E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në batak

Qeveria e pritshme Berisha-Meta, e mbiquajtur e integrimit, ka ngritur shumë pikëpyetje nëse ka vërtet themelin moral, politik dhe normativ, si dhe bazën legjitimuese për t`u quajtur një qeveri përfaqësuese dhe integruese. Retorika zhurmëmadhe e ditëve të fundit na sugjeron që 'baballarët e kombit' janë vënë në rresht të shpëtojnë integrimin e Shqipërisë, duke 'sakrifikuar' sipas tyre dëshirat personale.


Por, për shumëkënd kjo nuk është veçse një zgjidhje oportune mes një Kryeministri në detyrë, në ankth për të bërë numrat e nevojshëm për qeverinë e re - dhe dikujt që në pamundësi për t`i hyrë një gare tjetër, për pamundësi financiare etj., pa si varkë shpëtimi një kohabitacion të sforcuar, që mund të jetë gjithçka, veçse programatik jo.


Ne vazhdojmë të renditemi në batakun e vendeve të rajonit, duke vazhduar të jemi në listën pafund të pritjes, bashkë me entitetin pa shtet të Bosnjës. Edhe koalicioni i 'vogël' Berisha-Meta, përveçse 'ndarjes së tortës' mes dy forcave që nuk kanë numrat, nuk do të sjellë ndonjë element të ri për sa i përket kursit të reformave, proceseve demokratizuese apo integruese.


Ajo që do ngjasë është vazhdimi i kthimit të ministrive në vatra punësimi; do vijojë mungesa e ekspertizës që na ka lënë në këtë stad zhvillimi tranzicional, ku ende lëçitemi mes reformash të munguara apo fondesh komunitare të djegura, për shkak të mungesës së projektplaneve dhe aftësisë menaxhuese.


Paralelisht, vëmë re një thuajse-linçim publik dhe një presion të paprecedentë të mediave proqeveritare ndaj liderit të së majtës, z. Rama, për të dhënë dorëheqje.


Përse po bëhet linçimi i Ramës, në një kohë që ai jo vetëm dyfishoi numrin e deputetëve socialistë të 2005-ës, por arriti gjithashtu të fitonte votën popullore si forcë politike? Mund të themi se ekziston një lloj frike.


Sepse Rama është sot i vetmi person që ka gjithë legjitimitetin e nevojshëm, më tepër se çdo personalitet tjetër real apo i hipotetizuar i së majtës, për të qenë figura udhëheqëse e kësaj force politike.


Duke marrë parasysh se në të djathtë të spektrit politik është thuajse e pamundur të dalë një forcë politike alternative ndaj PD-së, - koka e kërkuar me aq ngulm e Ramës, do thellonte çarjet e vazhdueshme të së majtës, do sillte veçse lënien e PS-së një forcë opozitare inekzistente dhe bënte fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme nga kjo parti një bast të pamundur në të ardhmen e afërt.


Ndoshta për disa opinionistë televizivë, rikthimi i politikës në klub thashethemesh, do mund të arrihej vetëm me spostimin e Ramës që nuk prodhonte shumë 'politikë' në këtë drejtim - por është e turpshme të imagjinohet ajo që ata kërkojnë: rikthimin në pikën zero dhe riciklimin e mbetjeve të politikës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›