Qeveria vodhi tokat për fshatin e Argitës
Fatmir Dobrolishti, është një prej shumë trashëgimtarëve të familjeve Kalaja ose siç njihen edhe me mbiemrin Preza, siç pretendon ai ata janë pronarë legjitimë të sipërfaqeve të mëdha të tokave, kullotave dhe pyjeve që shtrihen në Kepin e Rodonit dhe në Gjirin e Lalëzit, në komunën e Ishmit në Durrës.
Pikërisht familja Preza, pasardhës i të cilëve është edhe Dobrolishti, është një prej familjeve që posedon dokumente të pronësisë që prej më tepër se 400 vitesh, të rikonfirmuara dhe rifreskuara në mënyrë të herëpashershme deri para vitit 1946.
Një pjesë të pronave që ata pretendojnë, nëpërmjet dokumenteve të pronësisë që posedojnë, ndodhet pikërisht në një prej tre fshatrave turistikë, të miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës, kryesuar nga kryeministri Berisha.
Ndonëse pretendohet me dokumente të plota të vërtetuara në mënyrë të herëpashershme, madje dhe në vitin 2002, nga agjencia përkatëse, ata ende nuk mund të gëzojnë pronën e tyre, për shkak të një shfuqizimi të AKKP-së, vitin e kaluar, duke ia njohur të njëjtën pronë një famileje tjetër.
Ndërkaq edhe pse në një konflikt të pastër pronësie KRRTRRSH-ja ka miratuar ndërtimin e fshatrave turistike, mbi sipërfaqe të tilla me probleme pronësie. "Konflikti është shkaktuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave (AKKP), që kur ajo në mënyrë të vazhdueshme pranoi që sipërfaqet e njohura nga vendimi nr.667, i 21 qershorit 2002, të na i kthejë fizikisht.
Ky konflikt është thelluar, në vitin 2006, mbi pronën tonë, AKKP-ja e Durrësit, me vendim nr.131, të 16 qershorit 2006, i ka njohur dhe kthyer fizikisht, trashëgimtarëve të familjes Veliu, 350 mijë m2 tokë, në Muzhël, pronë e familjes Kalaja- Preza,- rrëfen Dobrolishti.
Sipas tij, me një vendim tjetër me nr. 152, të 30 qershorit 2006, të AKKP-së Durrës, është njohur dhe kthyer prona e trashëgimtarëve të familjes Veliu, 124 mijë m2, (70 mijë prej të cilave brenda pronës së familjes Kalaja- Preza në Gjirin e Lalëzit).
Megjithë ankesat e herë pas hershme drejtuar Agjencisë së së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, kryeministrit Sali Berisha, autoriteteve të tjera dhe Shërbimit Diplomatik në vendin tonë, veprimtaria e paligjshme e AKKP-së, sipas tij është është thelluar.
"Me vendimin nr. 368 të vitit 2007, zyra e Durrësit, pjesën e pronës tonë që ndodhet buzë detit në Gjirin e Lalëzit, ia ka njohur dhe kthyer pjesërisht trashëgimtarëve të familjes Cena.
Kjo pronë ndodhet në pjesën e Hendekut të Bizës deri pranë pronës që është zaptuar tashmë nga familja Veliu. AKKP-ja, pas ankesës Cenajve, i ka kthyer atyre të gjithë pronën që është e dokumentuar se është e jona, afërsisht rreth 350 dynymë". Dobrolishti thotë se këto vendime si dhe të tjera, të AKKP-së, bien në kundërshtim me dokumentet arkivore që ekzistojnë, si dhe me ligjet në fuqi.
Sipas përfaqësuesit të familjeve Preza dhe Kalaja, ai pohon se Berisha është njoftuar personalisht për abuzimet
Dobrolishti: Kallëzimet te antikorrupsion dhe prokuroria pa efekt
Për shkak të mosnjohjes së pronës dhe për shkak të falsifikimit të dokumenteve të tyre , familja Preza- Kalaja, ka depozituar edhe një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Përgjitshme dhe asaj të Durrësit.
Pikërisht në një sipërfaqe prej rreth 70 dynymësh, në pronësi të Preza- Kalaja, po ndërtohet edhe fshati turistik i miratuar pak ditë më parë nga KRRTRSH-ja, e cila veç se njihet por sipas tyre edhe iu është përvetësuar nga të tretët. Dobrolishti ka pranuar të rrëfejë për "Shekullin", atë që ai e quan grabitjen e pronës së familjes së tij dhe të të gjithë atyre bashkëpronarëve që e trashëgojnë atë.
Ju thoni se veprimet e AKKP- së, kanë qenë të kundraligjshme në kurrizin tuaj dhe në favor të familjeve të tjera që ju përmendni. Ku bazoheni për pretendimet tuaja ?
Dy blloqet qendrore të pronave, që janë e para në fshatin Shetaj, të komunës Ishëm, me sipërfaqe 631.7 hektarë, e cila kufizohet në të katër anët me kufij natyrorë. Nga Veriu dhe Jugu me detin, nga Lindja me Përroin e Mullirit, të Fosit, dhe pyllin Komunal Shetaj. Nga perëndimi me përroin e Prothonait. Kjo pronë është e regjistruar në librin nr.13 të Kadastrës së Durrësit, faqe 228, me numër rendor 127.
Veç këtij dokumenti kryesor, për këtë pronë, ka me dhjetëra tapi të vjetra në emër të trashëgimlënësit tonë, Z. Adem Veli Bej Preza (Kalaja), e shoqëruar edhe me hartë, të përpiluar në vitin 1938, sipas Arkivit të Shtetit, fondi 171, viti 1944, Dosja X-38 fleta 37. Blloku tjetër i pronës me sipërfaqqe 1308.5 hektarë, që ndodhet në Bizë dhe Lalëz Rrotull, ka kufijë natyrorë, përroin e Draçit, pyllin dhe përroin Allaj, detin në krahun e Gjirit të Rodonit, në Jug, Hendekun e Bizës, në Perëndim Detin.
Kjo pronë figuron e regjistruar në librin 13, të Kadastrës së Durrësit, në faqen 254 me numër Rendor, 286/2 dhe 87/3. Edhe për këtë pronë ka tapi në emër të trashëgimlënësve Adem Veli Preza (Kalaja) dhe Zenel Selim Preza. Edhe për këtë pronë është harta përkatëse nga Arkivi i Shtetit me emrin Pylli i Bizës, në fondin 277 viti 1923, dosja 160, fleta 12, të shpallura në Fletoret Zyrtare të kohës.
Në zonën e Gjirit të Lalëzit, janë miratuar disa projekte për fshatra turistike nga KRRTRSH-ja. A keni prona në territoret ku parashikohet të ngrihen këto fshatra dhe nëse po, cili është pozicioni juaj në këtë rast ?
Siç ju sqarova edhe më lart ne kemi prona në sipërfaqe të mëdha të dokumentuara fare qartë. Brenda sipërfaqeve të pronave tona, janë bërë studime turistike, një pjesë e të cilave u miratuan pak ditë më parë siç edhe është njohur opinioni publik.
Nga sa informacion ne kemi, në këto sipërfaqe janë miratuar fshatra turistikë, port jahtesh, pistë për avionë të kapaciteteve të vogla, pista hipizmi, si dhe objekte të tjera sportive zbavitëse në funksion të turizmit.
Kush do që do të bëjë investime turistike në këto zona, qofshin autoritete shtetërore, investitorë të huaj, ose shqiptarë, ne nuk do të njohim dhe do të ndjekim ligjërisht të gjithë ata që nuk kanë kontaktuar me ne dhe nuk kanë marrëveshje me ne si trashëgimtarë legjitimë, të pronave të të parëve tanë. Kjo pasi ndërkohë që janë projektuar të ndërtohen këto objekte në pronat tona, ne nuk na njihet dhe na kthehet prona nga shteti ynë.
T'i kthehemi problemit të konfliktit në fshatin turistik. Në Gjirin e Lalëzit, janë disa prej tyre që po përgatiten të ndërtohen, pasi pikërisht në këtë zonë, edhe janë bërë studimet. Cilat janë pretendimet tuaja ?
Siç e sqarova edhe më lart, këto prona ne i trashëgojmë nga të parët tanë, që prej më tepër se katër shekujsh. Sipas ligjit, ne kemi dokumentacionin që vërteton pronësinë tonë mbi këto sipërfaqe. Konkretisht është një sipërfaqe prej 70 dynymësh që është rrethuar me një rrjetë jeshile me tela me gjemba që ruhet me roje po bëhen investime, ndërkohë që ne nuk jemi kontaktuar duke qenë se jemi pronarët legjitimë të kësaj sipërfaqeje.
Për këtë sipërfaqe ne posedojmë dokumentacionin e vjetër shoqëruar me hartat përkatëse. Konkrektisht ky investim po bëhet në pronën tonë të regjistruar në Kadastrën e Durrësit, në librin nr.13, faqe 254 me numër rendor 86/2, dhe 87/3. Kjo pronë quhet Pylli i Bizës dhe ka dy emra Purriz dhe Zallë.
Në pjesën që po bëhet investimi ne kufizohemi me familjen Veliu, të cilës komisioni i kthimit të pronave me vedimin nr.152 datë 30 qershor 2006, i ka njohur dhe kthyer 70 dynymë nga prona jonë.
Po atëhere si është e mundur që ndërtohet në pronën tuaj pa u kontaktuar me ju ?
Ndërtimi këtu është i parashikuar mirë, nga ata njerëz që qëndrojnë pas vendimeve të Agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave e cila me vendimin nr.1108, datë 9 tetor 2008, ka shfuqizuar totalisht vendimin nr.667, të datës 21 qershor 2002, duke përgatitur terrenin në këtë mënyrë, për veprime abuzive të paligjshme, antikushtetuese dhe duke konsumuar elementët e veprës penale, që organet kompetente mund ta klasifikojnë si tjetërsim prone, shpërdorim detyre etj.
Ju keni kallëzuar në prokurori ndërsa në terren po punohet. A keni informacion si po ecën hetimi në këtë drejtim?
Ne kemi kallëzuar që prej janarit të këtij viti, në Prokurorinë e Përgjithshme veprimet abuzive të AKKP-së rajonale Durrës dhe qendrore. Me gjithë interesimin tonë të vazhdueshëm, nuk dimë ende se në ç'fazë janë veprimet konkrete të saj.
Madje mund t'ju them se nga dokumentacioni që ne kemi zbuluar është manipuluar dhe vjedhur edhe një sipërfaqe prone shtetërore me sipërfaqe 4 mijë dynymë në fshatin Shetaj, për të cilën ka informacion dhe dokumentacion të plotë si Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Durrësit.
Njëkohësisht njësia Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave, vetë kryeministri personalisht, me një dosje të plotë me pronat tona dhe ato shtetërore të grabitura nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, që transferojnë pronat nga një vend në një tjetër. Ndoshta nga mosveprimi i qëllimshëm i organeve kompetente në Gjirin e Lalëzit vihen re zaptime pronash, shitje pronash të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe investime të tilla të paligjshme si rasti i fshatrave turistikë.