E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-komandantit të Gardës i lexohet akuza në shtëpinë e tij: Vrave Myrtajn

Në foto: Ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi foto arkiv {Sh}

Flamur Vezaj

Akuza merr vulë zyrtare: Ndrea Prendi, nga dita e djeshme, është i pandehur për vrasje. Prokuroria i komunikon zyrtarisht akuzën e vrasjes ish-Komandantit të Gardës së Republikës, të pandehurit Ndrea Prendi, brenda ambienteve të shtëpisë së tij dhe gardistit Agim Llupo në qelinë e paraburgimit. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë grupit hetimore, që prej 14 muajve po heton pasojat e vrasjes së katër demonstruesve dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve më 21 janar 2011. Sipas prokurorisë, Ndrea Prendi do të përgjigjet para Gjykatës për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj, ndërsa gardisti Agim Llupo, për vrasjen e shtetasve Ziver Veizi e Hekuran Deda, si dhe plagosjen e gazetarit Fatos Mahmutaj e demonstruesit Sokrat Gode.

Ish-komandanti Ndrea Prendi ndodhet i izoluar në banesën e tij me masën e sigurisë arrest shtëpie, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, që nga data 23 janar 2012.  Njëri nga prokurorët e çështjes dhe dy hetuesit e dosjes zbarkuan në banesën e ish-komandantit Prendi, që ndodhet në afërsi të Gardës së Republikës. Në shtëpisë së tij, Prendit i kanë komunikuar akuzën e vrasjes me paramendim të fierakut Faik Myrtaj. Përveç komunikimit të kësaj akuze, hetuesit e çështjes e kanë njohur të pandehurin edhe me disa nga provat kryesore të çështjes, siç është raporti përfundimtar i Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së) mbi ekzaminimin e balistik e krahasues të pistoletës personale të tij.

Në përfundim të këtij ekzaminimi ka rezultuar se predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj ka dalë nga tyta e armës personale të ish-komandantit Prendi. Ky i fundit nuk ka pranuar të japë shpjegime pas komunikimit të akuzës, me cilësinë e personit të pandehur, duke rezervuar të drejtën e shprehjes në gjykatë. Nuk e pranoj akuzën dhe rezervoj të drejtën të jap shpjegime. Do të flas para gjykatës, ku do të shpreh edhe qëndrimet e mia për akuzat, mësohet se ka thënë ndër të tjera Prendi para hetuesve dhe prokurorit të çështjes. Këta të fundit, pasi kanë marrë nënshkrimin e ish-komandantit, në vendimin e komunikimit të akuzës, janë larguar nga banesa e tij.

Gjithashtu, grupi hetimor i dosjes së 21 janarit, ka zbritur edhe në qelinë e të dyshuarit Agim Llupo, ku mbahet i izoluar që nga data 11 shkurt 2011 me masën e sigurisë arrest me burg, dhënë nga Gjykata. Takimi me gardistin Llupo, sipas prokurorisë, është bërë në prani të avokatit të zgjedhur nga vetë ai, ku i është komunikuar akuza për dy vrasje. Në përfundim të fazës hetimore është arritur në konkluzion, bazuar mbi provat e gjetura, se i pandehuri Agim Llupo ka vrarë demonstruesit Hekuran Deda dhe më pas gjirokastritin Ziver Veizi, – thuhet nga prokuroria.

Përveç këtyre dy vrasjeve, në ngarkim të Llupos prokuroria ka vendosur edhe vrasjet e mbetura në tentativë ndaj gazetarit Fatos Mahmutaj dhe demonstruesit Sokrat Gode, që ndodheshin shumë pranë viktimës Hekuran Deda. Për të provuar këto akuza, hetuesit e kanë njohur të pandehurin Llupo dhe avokatin e tij mbrojtës me disa nga provat kryesore të çështjes, si raporti ekspertëve të Policisë Shkencore të Ministrisë së Brendshme, që kanë identifikuar armën nga e cila ka gjetur vdekjen Veizi, dëshmitë e Hysni Peposhit dhe të plagosurve Fatos Mahmutaj (reporter) dhe demonstruesit Sokrat Gode, të cilët kanë drejtuar gishtin duke identifikuar si autor të plagosjes së tyre, personin që ndodhej në dritaren poshtë ndërtesës së Kryeministrisë, që nga hetimi ka rezultuar se ishte gardisti Llupo. Pasi i janë vënë në dispozicion këto prova, gardisti Llupo nuk ka preferuar të japë shpjegime për akuzat, edhe pse kohë më parë ka pretenduar se prokuroria nuk e ka marrë në pyetje. Nuk i pranoj akuzat. Jam i pafajshëm. Nuk dua të flas tani për akuzat. Do të flas para gjykatës, kur ta shoh të nevojshme, mësohet se ka thënë ndër të tjera gardisti Llupo para hetuesve të çështjes.

Sipas prokurorisë, brenda 10 ditëve, dosja hetimore ndaj ish-Komandantit Prendi dhe gardistit Llupo do të përfundojë në Gjykatën e Tiranës së bashku me provat dhe materialet shkresore të hetimeve 14 mujore.

Agim Llupo

Nuk i pranoj akuzat. Jam i pafajshëm. Nuk dua të flas tani për akuzat. Do të flas para gjykatës, kur ta shoh të nevojshme, mësohet se ka thënë ndër të tjera gardisti Llupo para hetuesve të çështjes

Ndrea Prendi

Nuk e pranoj akuzën dhe rezervoj të drejtën të jap shpjegime. Do të flas para gjykatës, ku do të shpreh edhe qëndrimet e mia për akuzat,

Ende pa autor vrasja e Nikës dhe e katër plagosjet

Grupi hetimor i prokurorisë së Tiranës, edhe pas 14 muajve hetim, nuk ka arritur të zbulojë autorin e vrasjes së demonstruesit nga Lezha Aleks Nika dhe katër të plagosurve të tjerë, Ilia Papa, Ilia Qesku, Erald Bisha dhe Artes Dybeli. Sipas prokurorisë, predha e gjetur në kokën e viktimës Nika ishte e dëmtuar dhe nuk mund ti nënshtrohej ekspertizës balistiko-krahasuese, pra nuk u arrit të zbulohej arma nga e cila ka gjetur vdekjen. Gjithashtu, prokuroria nuk ka mundur të zbulojë edhe autorin e plagosjes së katër demonstruesve të tjerë që ndodheshin në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë më 21 janar 2011.

Vendngjarja

Ndrea Prendi vrau me pistoletën e tij fierakun Faik Myrtaj në momentin që ky i fundit ndodhej pranë dy kullave binjake në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe pranë Gjykatës Kushtetuese

2 armët Agim Llupos ishin të parat që u ekzaminuan. Kanë shtirë mbi demonstrues Hekuran Deda dhe Ziver Veizi si dhe plagosi gazetarin Fatos Mahmutaj dhe demonstruesin Sokrat Gode. Viktima Veizi në momentin e vrasjes ndodhej pak metra nga porta hyrëse e rrethimit të kryeministrisë. Pak metra pas tij është vrarë Hekuran Deda që ndodhej sipër skelës së vendosur nga mediat, ku pranë tij u plagos edhe reporteri Mahmutaj e demonstruesi Gode.

Plumba drejt demonstruesve

4 të plagosurit, sipas prokurorisë, nuk dihet ende kush i ka qëlluar

131 gëzhoja të plumbave luftarak janë gjetur në oborrin e kryeministrisë, janë qitur nga 6 armë të Gardës

11 plumba luftarak ka shkrepur Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, prokurori i provon vetëm një vrasje

31 plumba luftarak ka shkrepur Agim Llupo, prokuroria i provon vetëm dy vrasje

46 plumba luftarak ka shkrepur Gazmend Ahmetaj, në gjendje të lirë dhe pa akuzë

18 plumba luftarak ka shkrepur Mark Nikolli, në gjendje të lirë dhe pa akuzë

12 plumba luftarak ka shkrepur Ilir Duraku, në gjendje të lirë dhe pa akuzë

10 plumba luftarak ka shkrepur Sadik Çela, në gjendje të lirë dhe pa akuzë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›