Mazhoranca humb tre vota nga LSI, fiton Islamin
Pavarësisht se e arriti qëllimin final për të zgjedhur Elvis Çefën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, votimi i djeshëm tregoi përçarje dhe pasiguri në radhët e mazhorancës, duke prishur ekuilibrat në Kuvend. Votimi në fakt ishte provë gjenerale edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në muajin korrik. Demokratët humbën votat e LSI-së dhe të deputetit Gazmend Oketa, por mori mbështetjen e deputetit Kastriot Islami. Si rrallë ndonjëherë, në seancën e djeshme ishin të pranishëm 139 deputetë , me përjashtim të deputetes Rudina Seseri, e cila ka dhënë dorëheqjen.
Si PD dhe PS, urdhëruan deputetët e tyre që të ishin të gjithë të pranishëm në sallën e parlamentit, ku priteshin edhe rrjedhje votash në favor të Ardian Vishës për shkak të njohjeve personale me të. Gazeta Shekulli ka mundur të sigurojë emrat e të gjithë deputetëve që kanë marrë pjesë në votim dhe të atyre që kanë pasur kartat, por kanë refuzuar votimin. Deputetët e majtë nuk morën pjesë në votim edhe pse kartat e deputetit ishin në pajisjen e votimit. Ajo që ra më shumë në sy ishte braktisja e votimit nga tre deputetët e LSI-së, Ilir Meta, Vangjel Tavo dhe Lefter Koka. Kandidati i propozuar nga opozita Ardian Visha ka qenë ish shef kabineti në Ministrinë e Jashtme kur drejtohej nga Ilir Meta, ndërkohë që fakt për tu shënuar është se ky organ, mund të marrë së shpejti atributet për të caktuar një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Edhe vetë Lëvizja Socialiste për Integrim u përça pasi ministri Nasip Naço dha mbështetjen kreut aktual të AKKP-së, Elvis Çefa. Pas deklaratave për tu larguar nga PD, Oketa nuk ka preferuar që të marrë pjesë në votimin e Çefës duke hequr kartën e deputetit nga pajisja elektronike dhe është larguar. Por, mazhoranca e ka zëvendësuar votën e Oketës me një tjetër votë nga radhët e opozitës pasi deputeti Kastriot Islami ka votuar pro kandidatit Elvis Çefa. Dy aleatët e tjerë të kryeministrit Berisha, PDIU dhe PR janë treguar besnikë. Deputeti republikan, Fatmir Mediu, dhe dy deputetët çamë, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri kanë votuar pro kandidatit Çefa. Si Mediu ashtu edhe Idrizi pritej që të votonin pro kandidatit Visha, por me votimin elektronik duket se kanë ndryshuar mendim. Visha njihet si avokati mbrojtës i Mediut në çështjen Gërdeci.
Skandal me votimin në Kuvend
Për shkak të frikës nga rrjedhja e votave, mazhoranca ndryshon mënyrën e votimit për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjithçka nisi në momentin e votimit kur demokratët kërkuan që fletët të firmosen në momentin që deputetët do të paraqiteshin për t’i tërhequr ato nga Sekretariati i Votimit i përbërë nga deputetët Subashi, Trashani dhe Gumi. Opozita e kundërshtoi duke për shkak të dyshimit të kontrollit të votës dhe kërkoi fillimisht që fletët e votimit të vuloseshin.
Pas refuzimit të demokratëve, socialistët pranuan firmosjen e fletëve të votimit, por kërkuan që 140 fletët e votimit të firmoseshin para se të fillonte votimi. Edhe ky propozim i socialistëve u refuzua në mënyrë të çuditshme nga mazhoranca e cila i druhej rrjedhjes së votave në favor të kandidatit të propozuar nga Partia Socialiste. Për shkak të frikës nga dekonspirimi i votave, opozita nuk pranoi që të merrte pjesë në votim dhe mori fletët e votimit. Pas debatit ndërmjet kryeministrit Berisha i rrethuar nga rojet dhe Gramoz Ruçin dhe deputetët e tjerë të majtë, kryetarja e Kuvendit e hodhi votimin në mënyrë elektronike.
Në një prononcim për Shekullin, anëtari i Sekretariatit të Votimit të Kuvendit, Armando Subashi sqaron shkeljet që sipas tij janë kryer në Kuvend. Padyshim që votimi i sotëm ka shkelje të rënda proceduriale të kryera nga Kryetarja e Kuvendit me urdhër të prerë dhe në mënyrë skizofrenike nga Kryeministri duke bërë disa shkelje radhazi të rregullores. U vendos votim i fshehtë në kuti dhe më pas u ndryshua në mënyrë elektronike. Për të mos folur më pas për skandalin më të madh që pasi u vendos të ishte votim elektronik, u hodh vetëm një emër dhe emri tjetër nuk u votua fare. Kush tha që kandidati tjetër nuk do të merrte 72 vota?, thekson deputeti Subashi.
Sulmi i Berishës
Kryeminsitri Berisha kërcënoi deputetë e opozitës me 21 janarin, gjatë votimit për anëtarin e ri të KLD. Në video amatore të deputetëve të opozitës, kryeministri Berisha larg gjuhës institucionale ka kërcënuar me përsëritjen e 21 janarit në rast të bllokimit të parlamentit nga deputetë e majtë. “E provuat më 21 Janar, doni ta provoni përsëri. Këtu jam, jua bëj prapë si më 21 Janar”, u shpreh Berisha në drejtim të deputetëve të opozitës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetëve të majtë të cilët e cilësuan një kërcënim të hapur ndaj opozitës dhe demokracisë. “Një gjë ta dish, hesapet që ke me ne për 21 Janarin do ti paguash një më një”, ka qenë reagimi i sekretarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në sallën e Kuvendit.
