Ish-kombinati dhe Shkollë e Partisë, banesa për strehim
Godinat do të kalojnë në fondin e banesave për të kaluar për privatizim nga banorët
Qeveria ka vendosur të kthejë në banesa disa objekte që dikur kanë qenë pjesë e ish-Kombinatit të Tekstileve të Pambukta, Ndërmarrjes Mekanike Tekstili dhe ish-Shkollës së Partisë. Këto ndërmarrje dhe godina e ish-Shkollës së Partisë ndodhen në Tiranë.
Aktualisht këto ambiente po përdoren për banim dhe me këtë vendim, qeveria iu jep mundësinë banorëve t'i privatizojnë ato. "Enti Kombëtar i Banesave të bëjë privatizimin e këtyre objekteve për personat, të cilët i kanë aktualisht në përdorim, sipas akteve ligjore dhe nënligjore, në fuqi.",- thuhet në vendimin e qeverisë, i cili tashmë është botuar në fletoren zyrtare.
Pas miratimit të këtij vendimi, Enti Kombëtar i Banesave do të bashkëpunojë me ish-Kombinatin e Tekstileve të pambukta, Tiranë, me ndërmarrjen mekanike-tekstili, Tiranë, dhe njësinë bashkiake nr.11, Tiranë, për saktësimin e listave përkatëse. Këto në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike do të jenë organet përgjegjëse për zbatimin e vendimit të miratuar në fund të muajit qershor.
Banesat
Në vendimin e qeverisë janë miratuar të gjitha godinat, që kanë qenë pjesë e ish-kombinatit, ndërmarrjes mekanike dhe Shkollës së Partisë. Kështu në listën që do të kalojë për fond banesash në ish-Shkollën e Partisë në Laprakë do të përfshihen Konvikti numër 1, 2, 3 dhe konvikti i ri.
Gjithashtu pjesë e këtij fondi do të jenë magazinat dhe postoblloku. Në objektet e ish-kombinatit tekstileve të pambukta, Tiranë, që do t'i shtohen fondit të banesave do të jenë zyrat e mirëmbajtjes, reparti i ngjyrim fillit dhe i pikanolit, magazinë e lëndës së parë, e pjesëve të këmbimit, tezgjahut etj. Ndërsa tek ndërmarrja mekanike e tekstilit kanë kaluar në fondin e banesave dy impiantet e ftohjes, magazina e detaleve, etj.
LISTA E OBJEKTEVE QË KALOJNË NË FOND BANESE
A. Objektet e ish-shkollës së partisë Laprakë, Tiranë
1. Konvikti nr.1
2. Konvikti nr.2
3. Konvikti nr.3
4. Konvikti i ri
5. Magazina
6. Postblloku
B. Objektet e ish-Kombinatit Tekstileve të pambukta, Tiranë
1. Zyrat e mirëmbajtjes
2. Reparti ngjyrim fillit
3. Reparti pikanolit
4. Magazina e lëndës së parë
5. Ofiçina e transportit
6. Reparti i vatës
7. Magazina e pjesë këmbimit
8. Magazina e tekstileve të ngjyrosura
9. Magazina e tezgjahut
10. Impianti i zbutjes së ujit
11. Depoja e ujit, stacioni i pompimit pranë sektorit të zjarrfikësit
C. Objektet e mekanike tekstilit, Tiranë
1. Impianti i ftohjes nr.1
2. Impianti i ftohjes nr.2
3. Magazina e detaleve
4. Stacioni i pompimit të ujërave të zeza