Vdekja e 5-vjeçarit, pranga 3 bluzave të bardha
KORÇË/ Policia ka vënë në pranga një mjek dhe dy infermierë pasi nuk mjekuan në kohë një të mitur
Pas hetimeve rezultoi se vogëlushit nuk i ishte dhënë medikamenti antihelm që mund t'i kishte shpëtuar jetën
KORÇË - Vdekja e një 5-vjeçari për shkak të një kafshimi gjarpri pasi ishte dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës ka vënë në pranga një mjek anestezist reanimator, si dhe dy infermierë.
Burimet zyrtare të policisë së Korçës u shprehën se pas hetimeve të kryera ka rezultaur se bluzat e bardha kanë konsumuar veprën penale të "mjekimit të pakujdesshëm", pasi nga mosdhënia e ndihmës mjekësore më 18 korrik ka gjetur vdekjen Viktor Balliu, banor i fshatit Leminot. Hetimet nisën pasi prindërit e të miturit ngritën zërin për vdekjen e djalit të tyre 5-vjeçar.
Pas një kontrolli të hollësishëm të zhvilluar në spitalin e Korçës, marrjes në pyetje të personave mbi vdekjen e vogëlushit Viktor Balliu, nga ana e prokurorisë së rrethit gjyqësor të Korçës është vendosur arrestimi i tre bluzave të bardha. Nga hetimet ka rezultuar se më datën 18 korrik të këtij viti, në spitalin e Korçës është paraqitur 5-vjeçari Viktor Balliu, lindur në Slatinë të Mokrës së Pogradecit dhe banues në Leminat.
Por mbërritja e tij në spital nuk është shoqëruar me bërjen e gjilpërës kundër helmit, teksa bluzat e bardha kanë pretenduar se një ilaç i tillë nuk e kishin në gjendje në spital. Mosdhënia e ndihmës përmes medikamenteve ka bërë që gjendja e vogëlushit të përkeqësohet. Si rrjedhojë mjekët e kanë nisur 5-vjeçarin me urgjencë në drejtim të spitalit të Tiranës.
Por i mituri ka vdekur gjatë rrugës pa mbërritur në kryeqytet. Një gjë e tillë ka bërë që autoambulanca të kthehet mbrapsht dhe trupi i të miturit t'i ushtrohet verifikimeve. Prej saj është parë që shkak i vdekjes ka qenë pickimi i gjarprit dhe mosmarrja në kohë e ndihmës mjekësore. Por prindërit kanë protestuar duke denoncuar mjekët për neglizhencë çka nxiti dhe nisjen e hetimeve.
Nga verifikimet e bëra nga oficerët e policisë gjyqësore ka rezultuar se medikamenti antihelm ndodhej në farmacinë e spitalit të Korçës me afat skadimi në fund të vitit 2010. Sipas tyre ka qenë vetëm pakujdesia e mjekut reanimator dhe dy infermierëve që nuk kanë parë gjendjen në farmaci për të tërhequr medikamentin dhe për t'ia injektuar Viktor Balliut, ajo çka ka çuar në vdekjen e 5-vjeçarit.
Në këto kushte prokuroria e rrethit Korçë ka lëshuar urudhër-arrestin për konsumim të veprës penale të "mjekimit të pakujdesshëm" për mjekun anestezist reanimator Ilir Milo, 39 vjeç, lindur e banues në Ersekë, Juljan Maton, infermier ndihmës anestezist, 36 vjeç dhe Olgert Hoxhallarin, 24 vjeç, infermier.
Në mesditën e datës 18 korrik, vogëlushi Viktor Balliu, vëllai i tij më i madh dhe disa persona të tjerë ishin nisur për t'u larë në rezervuarin e fshatit të tyre. Por rrugës për atje ata kanë kaluar nëpër një arë të mbjellë me jonxhë dhe aty 5-vjeçari është pickuar në kurrizin e këmbës së djathtë nga një gjarpër. Dërgimi i menjëhershëm në spital nuk e ka shpëtuar të miturin, i cili ka ndërruar jetë për shkak të mungesës së mjekimit