E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi merret i pandehur nga SPAK për 33 milionë lekë dëm në buxhetin e shtetit

Ish-kryebashkiaku Elvis Roshi do të përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës përgjatë viteve 2013–2014, kur ai drejtonte bashkinë e Kavajës.

Me kërkesë të GJKKO-së që në mars të vitit 2024, akuza iu referua ish-kryebashkiakut nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila hetoi pretendimet për një dëm financiar rreth 33 milionë lekë në buxhetin e shtetit. Këto dyshime u ngritën fillimisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Për akuzën e abuzimit të fondeve të Bashkisë nëpërmjet dy tenderave, çështja penale ndaj Roshit ishte pushuar më herët nga Gjykata e Durrësit, por GJKKO-ja konstatoi pavlefshmërinë e procesit.

Elvis Roshi u dorëhoq nga detyra pas ligjit të dekriminalizimit, kur u vërtetua se ai ishte dënuar në Itali, por nuk e kishte deklaruar në organet zyrtare. Ai e ushtroi detyrën nga viti 2011 deri në 2016-ën.

Pak javë më parë, ai u vendos nën hetim nga SPAK dhe Policia e Shtetit edhe për dyshimin e korrupsionit zgjedhor gjatë zgjedhjeve të 11 majit, duke u akuzuar për përfshirje në blerje votash në mbështetje të kushëririt të tij, Elton Rroshi, kandidat për koalicionin PD-ADSHM. Në kuadër të këtij operacioni u kontrolluan disa banesa dhe ambiente private, përfshirë pronat e Elvis Rroshit, ku u sekuestrua telefoni i tij celular, fatura, kuponë karburanti, si dhe lista me të dhëna zgjedhësish.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›