Ish-kryeministri Johnson zbardh bisedën me Putin: Më kërcënoi se do më vriste me raketë

Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson ka deklaruar se Presidenti rus Vladimir Putin në një telefonatë që ka zhvilluar me të pas vizitës në Kiev, e ka kërcënuar se do i merrte jetën me një raketë.
Ish-kryeministri, teksa ka zbardhur bisedën me Putin, u shpreh se e ka paralajmëruar këtë të fundit se pushtimi i Ukrainës do të ishte katastrofik dhe se perëndimi do të vendoste sanksione edhe më të ashpra ndaj Rusisë.
Johnson tha gjithashtu se i tha liderit rus se përshkallëzimi do të bënte vetëm që shtetet perëndimore të rrisin mbështetjen për Ukrainën, që do të thotë “më shumë NATO ” në kufijtë e Rusisë.
“Ai tha, ‘Boris, ti thua se Ukraina nuk do të bashkohet me NATO-n së shpejti. […] Çfarë do të ndodhë së shpejti?’ dhe unë thashë “Epo nuk do të bashkohet me NATO-n për një të ardhme të parashikueshme. Ju e dini shumë mirë këtë. Ai më kërcënoi në një moment dhe më tha: ‘Boris, nuk dua të të lëndoj, por me një raketë, do të duhej vetëm një minutë’, ose diçka e tillë”, ka deklaruar ish-kryeministri Johnson.
Johnson , ishte një nga mbështetësit kryesor të administratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në muajt pas pushtimit të Rusisë.
/rtsh.al/