Ish-kryeministri Sali Berisha shkon në selinë e PD-së

Komisioni për Rithemelimin e PD-së i kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha hyri sot në mesditë në selinë e PD-së për të zhvilluar aktivitetin e tyre politik mandatar nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
Para selisë së Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se anëtarët e Komisionit të përkohshëm të PD-së kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve.
“Jemi këtu për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë. Siç e shihni janë anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD-së të zgjedhur në Kuvendin e fundit, të cilët kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për problemet e rëndësishme të të ardhmes. Tani ne po ngjitemi sipër”, tha Berisha.
“Ne vijmë këtu për të bërë një mbledhje dhe deputeti Basha deri në datën 18 duhet të mendojë dhe reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e Europës, ku kuvendi i anëtarëve triumfoi në mënyrë mahnitëse. Sot futem si njëri nga anëtarët e këtij komisioni që funksionon me kolegjialitet, i barabartë sipas të barabartëve”, tha Berisha.
Sali Berisha dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit të PD po zhvillojnë mbledhje në një prej sallave të selisë blu. Ndërkohë, në të njëjtën kohë në seli është edhe Lulzim Basha i cili po zhvillon mbledhje me grupin e punës për zgjedhjet në FRPD në një tjetër zyrë.