Ish-luftëtarët dorëzojnë deklarata në EULEX
Ish-ushtarët e brigadës 121 - Kumanova kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të EULEX-it nga një deklaratë me të cilin marrin përgjegjësinë për të gjitha veprimet për të cilat akuzohen bashkëluftëtarët e tyre, të arrestuar së fundi nga EULEX-i.
Pasi kanë pritur rreth një orë para dyerve të Prokurorisë Speciale në Prishtinë, dy përfaqësues të këtyre ish-luftëtarëve, ish-komandanti Haxhi Shala dhe Skender Hoti, janë lejuar të hyjnë brenda ndërtesës dhe të dorëzojnë deklaratat.
“Deklaroj me vetëdije të plotë se unë marrë përgjegjësitë për të gjitha veprimet për të cilat padrejtësisht ngarkohen bashkëluftëtarët tanë të arrestuar”, thuhet në deklaratën, të cilën e kanë nënshkruar veç e veç, ish-luftëtarët e kësaj brigade, pjesë e së cilës ishin edhe nëntë shqiptarët, të cilët u arrestuan në fillim të javës së kaluar, nën dyshimet për krime lufte.