Qeveria nuk e përfillë FMN-në për çështjen e buxhetit

Përderisa në Kuvendin e Kosovës pritet që të premten të diskutohet Projektbuxheti për vitin 2011, në Qeverinë e Kosovës shprehen këmbëngulës për miratim të buxhetit me rritje të pagave, pavarësisht mospajtimeve nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për këtë rritje.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë të mërkurën se Kosova është shtet i pavarur dhe askush nuk mund t’ia diktojë se a duhet apo jo ta miratojë një ligj të caktuar.
Dyshi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se edhe për pagat do të diskutohet në seancën e Kuvendit dhe deputetët do të japin sugjerimet e tyre për buxhetin, i cili nuk është buxhet i Kosovës, e jo i pozitës, apo opozitës.
Letrën e dërguar para dy javësh nga FMN-ja, Kuçi nuk e konsideron as si kërcënim, as si kusht, po si letrën më të mirë të mundshme, përderisa ka thënë se janë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat e mundur të negociimit me FMN-në dhe në këtë kuadër edhe janë arritur përafrime të qëndrimeve.
“Unë mendoj që ne kemi program me FMN-në, jemi anëtar i FMN-së, jemi shtet sovran dhe askund nuk shënon në Kushtetutën tonë që ne duhet ta pyesim dikë që t’i miratojmë ligjet tona”, ka thënë ai.
Ai ka folur me vlerësime të larta për ndarjen buxhetore që është bërë me Projektligjin e buxhetit për këtë vit, duke vlerësuar edhe gatishmërinë e grupeve parlamentare për ta shqyrtuar dhe për të diskutuar në mënyrë të hapur për projektbuxhetin 2011.
“Mendoj se edhe Qeveria e Kosovës, por edhe qytetarët duhet të ndihen mirë me një buxhet të tillë. Është buxhet i kufizuar, natyrisht ambiciet tona dhe kërkesat e qytetarëve janë shumë më të mëdha, por në kuadër të mundësive tona të të hyrave buxhetore, është bërë një shpërndarje e mirë që unë do t’i ndaja në tri fusha, që mundëson zhvillimin e vendit, mundëson perspektivën evropiane të vendit dhe përmirëson mirëqenien e qytetarëve, veçmas atyre të punësuarve, por edhe të gjithë qytetarëve”, është shprehur Kuçi.
Në seancën e së premtes, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet që të diskutojnë për projektbuxhetin e vitit 2011, i cili është vonuar për disa muaj për shkak të procesit të tejzgjatur zgjedhor.
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka zhvilluar disa takime me grupet e partive politike të përfaqësuara në Kuvend dhe me komisionet parlamentare, me të cilat ka diskutuar paraprakisht për buxhetin e këtij viti, i cili parashihet të jetë rreth 1.5 miliardë euro. /kosovapress/