E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-presidentët Meidani dhe Moisiu: Duhet të hapen kutitë

Ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu shprehen hapur në mbështetje të qëndrimit të opozitës, duket i kërkuar qeverisë dhe Kryeministrit Sali Berisha që të lejojë hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit. Të pranishëm në një takim promovues të librit të ish-kreut të shtetit Moisiu, ata kanë theksuar se kutitë e votimit mund të hapen dhe kjo i shërben transparencës së një procesi zgjedhor. Por, konstatoi ish-presidenti Meidani, mesa duket politika nuk do t‘i përgjigjet kërkesës për hapjen e kutive të votimit, sepse në disa kuti tek-tuk mund fshihet realiteti konkret. Në analizën e tyre për zhvillimet e fundit politike në vend, ata kanë theksuar se pavarësisht se si mund të jetë realiteti i gjërave kësaj i duhet shkuar deri në fund. Dy ish-drejtuesit e shtetit për periudha të rëndësishme të zhvillimeve politike mbështesin idenë e opozitës për të mos hyrë në sallën e Parlamentit. Ish-presidenti Moisiu deklaroi se duhet t‘i jepet fund çështjes së manipulimit të zgjedhjeve, duke u shprehur se "kjo duhet të marrë fund me hapjen e kutive të kundërshtuara nga opozita". Ai nënvizoi se "nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon që të përfundojë njëherë e mirë manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri". Lidhur me qëndrimin e opozitës për të hapur kutitë e votimit, ish-presidenti Moisiu u përgjigj: "Nuk ka se si mos të bëhet. Hapja e kutive të votimit do t‘i japë fund procesit të deformimit të votës dhe do të shërbejë për t‘i dhënë fund në proceset e tjera zgjedhore manipulimit të votës". Gjatë promovimit të librit të tij, ish-presidenti Moisiu duke kritikuar politikanët e sotëm dhe konkretisht drejtuesit e qeverisë tha se "ne kemi pasur një Enver Hoxha që sot e kritikojmë dhe është normale që ta kritikojmë, por ne po shohim se po lind një tjetër Enver i dytë dhe nuk është e nevojshme që të veshësh vetëm një kostum të ri për të sjellë demokracinë". Më tej ai ka theksuar se gjatë këtyre 18 viteve vendi ynë ka qenë gjithmonë në tranzicion, kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi probleme të mëdha, sidomos me administrimin e zgjedhjeve. Ne, tha ish-presidenti Moisiu, vazhdojmë ta diskutojmë akoma rezultatin e zgjedhjeve pas çdo procesi dhe kjo shihet edhe në raportet e të huajve, të cilët shpeshherë nuk dinë si t‘i përcaktojnë ato, duke gjetur shpesh terma që u ngjajnë akrobacirave, pra janë pa një përcaktim të saktë. Moisiu dhe Meidani janë të tjerë zëra që i bashkohen opozitës pas drejtuesve të disa partive të djathta, që kërkojnë me forcë hapjen e kutive të votimit, ku pretendohet se ka pasur manipulime. Mosplotësimi i kësaj kërkese nga ana e qeverisë dhe Kryeministrit Sali Berisha ka detyruar opozitën të përshkallëzojë reagimin e saj, duke ftuar në shesh të gjithë qytetarët për të kërkuar para zyrës së Kryeministrit Berisha hapjen e kutive të votimit. Kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe deputetët e opozitës pretendojnë se më 28 qershor në disa qarqe të vendit dhe konkretisht në Tiranë, Shkodër dhe Berat është manipuluar me kutitë e votimit, ndaj ato duhet të hapen për të zbuluar të vërtetën. Por Berisha dhe mazhoranca i kanë bërë thirrje opozitës të heqë dorë nga kjo ide dhe të kthehet në Kuvend për të vijuar normalisht betejën politike. Këtij qëndrimi të mazhorancës i është bashkuar edhe faktori ndërkombëtar. E.Gjura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›