Vizat? Dy muaj kohë për të përmbushur kushtet
Raportuesja europarlamentare për liberalizimin e vizave me Ballkanin, Tania Fajon, në një intervistë për "Top Channel" kërkon që qeveria shqiptare të punojë fort në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit. Pastrimi i parave, korrupsioni, kontrolli i kufijve dhe garantimi me ligj i të drejtave të minoriteteve rome apo homoseksuale mbeten probleme për t‘u zgjidhur sipas Fajon në Shqipëri. "Javët e fundit, që nga korriku, janë shpërndare 150 mijë pasaporta biometrike, por mbetet ende shumë punë për të bërë. Së pari duhet të përmend luftën kundër korrupsionit dhe ndaj pastrimit të parave duhet të forcohet kontrolli i kufijve, pastaj mbetet çështja e minoriteteve, pra mendoj se tani është koha që autoritetet zyrtare në Tiranë të tregohen të përgjegjshme dhe të punojnë më shumë në këtë drejtim", u shpreh Fajon. Ndërsa Shqipëria humbi kohë me procesin zgjedhor dhe formimin e qeverisë së re, Bosnja, që renditej pas vendit tonë në vlerësimin e fundit të komisionit, ka përmbushur pjesën dërrmuese të kritereve sipas Fajon. "Në këta muaj, Bosnja ka arritur të përmbushë 90% të kritereve të kërkuara, ndaj ata janë në rrugën e duhur dhe komisioni së shpejti do të dërgojë misionet e ekspertëve në rajon dhe besoj se në fillim të vitit do të përpunojë vlerësimin e tij përfundimtar", u shpreh Fajon. Eurodeputetja sllovene mendon se raporti i saj do të miratohet me shumicë votash në seancën plenare të nëntorit. "Thënë më qartë, ne nuk po e ulim numrin e kritereve. Qeveritë dhe politikanët e këtyre dy vendeve duhet të bëjnë punën e tyre me përgjegjësi, por ne thjesht kërkojmë që të mos humbim kohë shtesë, çfarë do të ishte e nevojshme, nëse do të kishim të njëjtën procedurë përsëri vitin e ardhshëm në Parlament", shton Fajon. Parlamenti ka rol konsultues në vendimmarrjen e Bashkimit Europian. Fjala e fundit u takon vendeve anëtare në dhjetor të këtij viti. Nëse Këshilli i BE-së merr në konsideratë rezolutën e Parlamentit, Shqipërisë i mbeten edhe 2 muaj kohë për të përmbushur maksimumin e mundshëm të kritereve për liberalizimin e vizave Shengen. Komisioni Europian është duke verifikuar raportet e marra nga qeveria shqiptare dhe ajo boshnjake me informacione shtesë mbi progresin e bërë deri në fund të muajit shtator në përputhje me udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave. Këtë e konfirmon përfaqësuesja e Drejtorisë për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë në Komisionin Europian, Daphne Gogou, gjatë debatit me europarlamentarët për raportin e propozuar nga deputetja Tanja Fajon. "Masat e deklaruara apo që janë marrë deri në fund të shtatorit duhet të verifikohen si janë zbatuar në terren, me qëllim që të përfundojmë vlerësimin tonë mbi raportet që kemi marrë 3-4 ditë më parë për sa i takon Shqipërisë dhe Bosnjës", shprehet Gogou. Megjithëse komisioni nuk e ka ndryshuar pozicionin mbi përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në të njëjtin propozim për heqjen e vizave me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, eurodeputetët kanë dhënë mbështetjen e tyre të parë duke votuar "pro" raportit të Tania Fajon. "Ne po bëjmë presion te komisioni që të shohë edhe aspektin politik të kësaj çështjeje, për të përfshirë gjithashtu Shqipërinë e Bosnjën në listën e bardhë Shengen me kushtin e përmbushjes së kritereve", pohon eurodeputeti Zoran Thaler. Me 51 vota pro dhe 8 kundër, Komiteti i Jashtëm vlerësoi se raporti i Tanja Fajon duhet të miratohet në seancë plenare. Pas shumë debatesh, veçanërisht me zonjën Bildt, bashkëshorten e ministrit të Jashtëm suedez Karl Bildt, e cila votoi kundër raportit, e argumentoi këtë qëndrim si sjellje dashamirësie ndaj qytetarëve të Bosnjës e Shqipërisë. "Diferenca mes nesh e raportueseve është se ne duam të jemi të sinqertë me këta njerëz e jo t‘i zhgënjejmë ata", nënvizon Bildt. Më 19 tetor raporti për liberalizimin e vizave me Ballkanin do të votohet në Komitetin e Çështjeve të Lirisë, Drejtësisë e Sigurisë në Parlamentin Europian.