E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag "divorci" nga Mercedes, MekLaren do strukturat e BMV-së

Bashkëpunimi i MekLarenit dhe Mercedesit po shkon drejt fundit. Dy prodhuesit pritet të "divorcohen" në fund të këtij sezoni dhe Ron Denis po studion terrenin për të mbijetuar në cirkuitet e Formula 1. Sipas thashethemeve që qarkulluan në bokset e Suzukas, duket se skuadra britanike ka shfaqur interes për strukturat teknike të BMV-së. Në fakt, gjermanët do të largohen nga F1 dhe MekLaren synon të përfitojë nga teknologjia dhe eksperienca e tyre. Marrëveshja për shitjen e BMV-së te Sauber nuk e përfshin seksionin motoristik në Mynih dhe kjo u lejon anglezëve të manovrojnë pa probleme. Ata mund të bëhen si Ferrari, Tojota apo Renault, duke realizuar vetë motorët dhe telajot e makinave. Ndarja ndërmjet MekLarenit dhe Mercedesit duket se i ka rrënjët e thella: në planin sportiv, gjithçka lidhet me skandalin "Spystory" në dëm të Ferrarit, që u shoqërua me largimin e Denis nga drejtimi i skuderisë. Për më tepër, Mercedesi po përqendrohet maksimalisht te bashkëpunimi me BraunGP, me të cilën pret të triumfojë në kampionatin botëror pas dy javëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›