Ish-presidenti Moisiu: S'mund të ndalet pavarësia e Kosovës
Alfred Moisiu ka pohuar gjatë takimit në Prishtinë se pavarësia e Kosovës është tashmë cështje e Evropës
"Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm". Kështu ka deklaruar dje ish- presidenti Alfred Moisiu nga Prishtina, në një kohë kur gjithë politika e rajonit, por dhe më gjerë, është përqendruar në çështjen e Kosovës, dhe shumë shpejt pritet të bëhet publike nga institucionet kosovare data e shpalljes së pavarësisë. I pranishëm dje në Prishtinë, në tryezën me temë "Sfidat e paqes në Kosovën e re", ish kreu i shtetit shqiptar ka deklaruar se tashmë Kosova është një çështje evropiane dhe i takon Bashkimit Evropian ta zgjidhë atë. "Është një çështje që duhet të ishte zgjidhur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por fatkeqësisht me këmbënguljen e padrejtë të Rusisë, kjo çështje nuk mund të zgjidhet më në OKB, por do ta zgjidhë Evropa, pasi Kosova është një çështje evropiane",- është shprehur Moisiu. Gjatë fjalës së tij, ish Presidenti Moisiu ka pohuar se ai ka marrë garanci nga liderët ndërkombëtarë për zgjidhjen sa më shpejt të kësaj çështjeje, një ndër të cilët është dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bush. "Mund të them se në takimin që pata me presidentin Bush në Tiranë, ai më tha se kjo çështje duhet mbyllur shpejt", ka theksuar Moisiu, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të ruajnë qetësinë në këto momente të rëndësishme. Pakthyeshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ish- kryetari i shtetit shqiptar e ka pohuar edhe pas konferencës, në një prononcim që ka dhënë për mediat e pranishme në aktivitet. Në këtë prononcim, Alfred Moisiu ka ritheksuar qëndrimin se, shpalljes e pavarësisë së Kosovës nuk mund të pengohet.
PR: Shqipëria të njohë e para pavarësinë
Partia Republikane i ka kërkuar dje qeverisë shqiptare që të njohë e para shtetin e pavarur të Kosovës. Sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PR, Artur Hasanabelliu vlerësoi dje qëndrimet dhe politikën e ndjekur nga qeveria në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe i kërkoi qeverisë që, përveçse ta njohë e para pavarësinë, të përgatisë një përfaqësi diplomatike, në përshtatje me rëndësinë parësore të marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Hasanbelliu, ndërsa theksoi faktin se periudha e parë e pavarësisë së Kosovës kërkon një mbështetje të fuqishme nga qeveria shqiptare, propozoi që të përgatitet një paketa strategjike për bashkëpunimin afatshkurtër dhe afatgjatë në të gjitha fushat me institucionet Kosovare. Duke iu referuar vetë statusit të Kosovës, sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PR-së tha se tashmë janë plotësuar kushtet për pavarësinë dhe shprehu besimin se vendimi për pavarësinë do të merret brenda 15 ditëshin të parë të muajit shkurt.