E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Opera nuk ka nevojë për anarkistë!"

Tenori Rudin Sata "zbardh" situatën në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Sipas institucioni nuk ka nevojë për borde të "importuara" dhe për njerëz anarkistë
Tenori Rudin Sata është një nga ata artistë, që vlerëson më shumë tek vetja të qënurit qytetar. Ka provuar të "ndëshkohet" sepse ka qenë kundër rrymës, por për Satën është më mirë kështu se të heshtësh. Në një kohë kur zien debati mbi Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, është ndër ata artistë që i thonë gjërat hapur. Megjithë problemet që ia ka vënë në dukje vite më parë drejtorit Zhani Ciko, thotë se TKOB ka ecur gjatë këtyre viteve. Bordin e zgjedhur së fundmi nuk e shikon në të mirë të demokracisë institucionale, por si një tjetër diktaturë. Çensurë intelektuale dhe konflikt i pastër interesi. Sipas tij anëtarët e bordit të ri, përveçse janë figura të konsumuara në ambientet e Operës, janë edhe me tesera partie. Ndërsa njëri prej tyre (Arben Llozi), ka konflikt të pastër interesi pasi është bashkëshorti i njërës prej sopranove kryesore të TKOB. (Bordi përbëhet nga Zhani Ciko, Agron Xoxa, Ibrahim Madhi, Agim Duro dhe Arben Llozi). Tenori Rudin sata është një nga zërat e spikatur në Opera viteve të fundit. I specializuar në "Barbican Center" në Londër dhe në Poloni, Sata ka interpretuar në role kryesore në operat "Dhoma, "Opera për tre grosh", "Flauti magjik", "Ballo me maska", etj.
Duke qenë brenda Teatrit të Operës i njihni mirë problemet, çfarë po ndodh me këtë institucion?
Fatkeqësisht Teatri i Operës dhe Baletit është e vetmja zgjidhje për artistët. Ndryshe nga vendet e tjera, tek ne ka vetëm një skenë operistike kombëtare, ndaj duhet të jemi tepër të ndjeshëm për të bërë më të mirën për të. Ky institucion është duke vuajtur pasojat e një periudhe tranzicioni si e gjithë shoqëria jonë. Opera ka probleme të shumta sa i përket strukturës. Në krye të saj kanë ardhur shumë drejtorë. Por mund të flas vetëm për atë periudhë që e njoh shumë mirë, që nga viti 2002, deri më sot, thënë më saktë "epokënCikos". Shumë vite më parë jam shprehur që struktura ekzistuese ka ingranazhe shumë të konsumuara, sepse i përkiste një institucioni që vinte nga një frymë bolshevike. Një institucion me mekanizma tejet të rëndomtë dhe anakronikë sa i përket psikologjisë menaxheriale. Nuk kishte asgjë në këtë fushë. Dhe kam ndjekur pa pasion mënyrën se si është menaxhuar institucioni.
Dhe si ju ka rezultuar kjo mënyrë menaxheriale?
Si e vetmja skenë, ka probleme, sepse ka shumë konkurrencë dhe energji artistike. Por vura re me kënaqësi, që në ardhjen e tij maestro Ciko pati një platformë. Ishte një kulturë e re, të cilën nuk e kisha hasur më parë. Për një cikël 4- vjeçar, drejtuar Ciko ka përmirësime dhe nuk mund të pretendojmë që gjatë kësaj periudhe të ndreqet gjithçka. Përpos problemeve gjatë kësaj rruge, mbështes linjën e zgjedhur nga Ciko për të integruar teatrin tonë me botën e madhe artistike. Mjaft t'ju kujtoj që në operën "Ballo me maska", në krahun tim këndonte baritoni Piero Terranova. Dhe është një nder i madh që në skenën tonë të ngjitet një këngëtar i këtij niveli. Është për tu vlerësuar prurja e elementit të ri. Janë ende në hapat e tyre të parë, por opera është e garantuar për 20 vjet. Me prurjet e 4 viteve të fundit, opera nuk do të vuajë më për tenorë, baritonë e basë. Ndërkohë që u krijua mundësia e shkëmbimeve artistike. Falë marrëdhënieve ndërinstitucionale disa nga ne patën rastin të këndonin në skenat e huaja.
Dukeni tepër pozitiv ndaj TKOB-it, ndërsa keni qenë një nga njerëzit e parë që jeni përballur me drejtorin për probleme të institucionit…
Më dhëmb ky institucion ndaj edhe flas. Frojdi thotë: "Nëse njerëzit duan t'i bëjnë mirë të keqes, atëherë duhet të heshtin". Nuk i vjen e keqja operës, kur ofrohet debat. Vazhdimisht kam pasur debate me drejtorin, por gjithnjë për të mirën e institucionit. Duhet t'i mëshojmë demokracisë institucionale. Kur ajo mungon ka probleme. Por nuk mund të zgjidhen problemet menjëherë. Edhe vetë Cikon ta pyesni nëse ky institucion është perfekt, do t'ju thotë "Ju ka lënë mendja!". Sepse me shkop magjik nuk mund të ndreqen gjërat. Është shumë e vështirë të menaxhosh prurjet e operës.
Po tanimë nuk jeni vetëm, TKOB-i ëhstë bërë objekt debati…
Kam ndjekur me vëmendje debatin që ka nisur për operën. Më vjen mirë që nisën kritikat, por pyes veten se ku ishin këta njerëz deri më sot? E ngrita zërin shumë vite më parë për problemet e institucionit dhe u gjenda i vetëm. Askush nuk bënte kritika. Më lind e drejta të them që këta njerëz, që deri në sot ishin në gjumë, nuk kanë të drejtë morale. Më lind e drejta të mendoj që këtu ka keqdashësi.
Ju përmendët demokracinë institucionale, për këtë arsye është ngritur edhe një bord, apo jo?
Ëshë krijuar një bord. Dhe mua më vjen mirë. Prej alternativave dhe debatit, arti rritet. Por zgjedhja e këtij bordi duhet parë me rezerva. Jashtë shtetit menaxhohet ndryshe. Bordet janë të përbërë nga 9-11 veta, ku dy janë sponsorë dhe pjesa tjetër, 40% janë pjesë efektive e institucionit. Me sa shoh unë në këtë bord nuk ka asnjë artist të brendshëm. Nëse kërkojmë demokraci institucionale, këta njerëz që hiqen si dashamirës të artit të mos bëjnë të njëjtin gabim, që është bërë më parë. Kërkojnë demokraci dhe bordin e zgjedhin vetë. Jo! Kjo është përdhosje e demokracisë. Nuk ka gjë më të frikshme për një artist kur në një institucion sundon diktati. Nuk kemi nevojë për njerëz anarkistë. Do të isha i kënaqur sikur bordi të zgjidhej nga vetë teatri. Nëse ky bord do që t'i njihet besueshmëria, atëherë le të vijë e të kërkojë votat në institucion.
Pra ju mendoni se ka shkelje në përzgjedhjen e këtij bordi?
Ka më shkelje flagrante, kur ky bord vjen i importuar? Bordi, i cili ende nuk është prezantuar me stafin e TKOB, që do të thotë nuk ka hyrë nga dera, por vjedhurazi nga dritarja, duhet të marrë votat e artistëve. Unë nuk e di se ç'kanë bërë këta njerëz për artin, për të përmbushur të drejtën e këtij statusi. Ky është eklipsimi i figurave, ç'ekuilibrimi i parametrave mendorë. Kjo është çensurë. Për mua opera është pushtuar nga Akademia e Arteve. Nuk mund të menaxhohet opera, maja e institucioneve nga Akademia. Është e njëjta gjë si në diktaturë. Treçereku i bordit është me teserë partie. Ç'punë ka bordi me ngjyrat partiake? Tre anëtarë të këtij bordi, nuk duhet të marrin pjesë në të sepse janë të konsumuar. Kanë qenë dikur në këto borde dhe nuk kanë bërë asgjë. Kaq është kapaciteti i tyre si duket. Sot ka ardhur koha e njeriut të ri, njeriut demokrat, jo anarkist. Kultura jonë ka shumë personalitete. Nuk doja të përmendja emra, por nuk mund të mos përmend kolosë si Eno Koço, apo Ermir Krantja. Nuk kemi nevojë për borde të importuara, kemi personalitete me shumicë brenda institucionit tonë. Ndërsa fakti që njëri prej anëtarëve të bordit është burri i një sopranoje të TKOB (Arben Llozi) është konflikt i pastër interesi.
Ç'mendoni në lidhje me raportin mes repertorit dhe vënieve të reja, mendoni se është abuzuar me projekte?
Nuk ka pasur vetëm opera të mëdha, tradicionale. Ciko ka gjetur dhe rrugë të tjera për të promovuar operën. Teatri nuk mund të mbahet vetëm me "Rigoleto" e "Trovatore". Të eksperimentosh, do të thotë të jesh vizionar. Në skenat tona kanë ardhur artistë me famë ndërkombëtare, erdhi Ermonela Jaho që tani këndon në "Covent Garden". Nuk kishte ardhur më parë në kohën e drejtorëve të tjerë. Në kohën e këtyre drejtorëve "Traviata" këndohej gjysmë rreshti shqip e gjysmë italisht. Ky është turpi. Nuk mund të bëjmë produksione si në '60-ën. Mendësitë kanë ndërruar. Jemi në vitin 2008. Shkurt, ky debat përkthehet: "Ik ti, të vi unë". E pranoj diversitetin, por më parë dua të shoh platformën që ata ofrojnë. Sipas kësaj mendësie, veprat do të zgjidhen siç duan dy persona.
Kemi dëgjuar se po punohet për nxjerrjen nga arkivat të skenografive dhe kostumografive të vjetra…
Problemi nuk qëndron këtu. Çfarë e keqe i erdhi Teatrit nga prurja e kostumeve nga Roma? Kostumi i mbretit që vesha tek "Ballo me maska" ishte mbajtur nga një këngëtar shumë i madh në Romë. Dhe ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Ndërsa ai që vishte Piero Terranova ishte shkruar Giorgio Zancanaro. Një nga baritonët më të mëdhenj italianë, që ka kënduar në Scala për 15 vjet me radhë. Ky kostum vjen në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, kur këtu nuk ka drita gjatë shfaqjeve. Kostumet që kemi, bëjmë mirë t'i heqim qafe se kanë zënë myk dhe na kanë zënë vendin. Nuk mund të vëmë vepra me elementë të vjetëruar.
Cila është zgjidhja sipas jush?
Është Ministria e Kulturës, ajo që duhet të hedhë bazat e demokracisë institucionale, gjë që nuk kuptohet me borde të importuara. Të jem i sinqertë kam rezervat e mia në lidhje me menaxhimin e bërë deri tani dhe respektimit të vlerave artistike, por nuk është e thjeshtë. Nëse do më pyesnin, nuk jam për këtë bord, por për një politikë tjetër, siç e kanë teatrot në të gjithë botën. Por kemi edhe pengesat e ligjit. Le të ketë një përfaqësues të sponsorit kryesor (Vodafonit) përfaqësues nga Ministria dhe 4 nga opera. Që të mos ketë trysnira dhe të ketë të drejtë vote.
Po në lidhje me drejtorin aktual?
Maestro Ciko ka 5 vjet në krye të TKOB-it dhe nuk do të më vinte mirë ta rishihja atë pas dy vjetësh në një mandat të tretë. Dhe nuk besoj se ai do ta pranojë një gjë të tillë, sepse ka të tjera vizione. Nuk do të më pëlqente, sepse dua alternativat. Por duhen lënë njerëzit të punojnë. Duhet lënë treni të ecë, sepse ka hyrë bukur në binarë.
Sa ka ndikuar kjo atmosferë në punën e artistëve?
Këto janë trysnira klanesh dhe artistët janë ata që vuajnë pasojat. Ne jemi të "dëshpëruar" për zgjedhje, për alternativa, për debat, por jo për importime.
Momentalisht po punoj mbi rolin e Manricos, në operën "Trovatore" dhe jam duke punuar fort për ta mësuar, sepse nuk e di nëse bordit i shkrepet dhe vendos që vepra të vihet pas dy javësh. Doja të bëja një koncert recital, sepse nuk e di kur janë hapësirat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›