E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish pronarët, miratohet fondi i tokës për kompensimin fizik

PRONATQeveria ka vënë në dispozicion të AKKP-së një fond toke prej 1262 ha për kompensimin fizik të ish pronarëve. Tokat i përkasin ish-NB-ve (Ndërmarrjeve Bujqësore)dhe do të ndahen në formë kompensimi për pronarët.
Vendimi
Qeveria miraton kalimin në fondin e kompensimit fizik dhe vënien në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të fondit të tokës bujqësore, me sipërfaqe 1262 (një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy) ha, të ish-NB-ve, sipas dosjeve të seksioneve të administrimit dhe mbrojtjes së tokës (SAMT) në qarqe, thuhet në vendimin e djeshëm. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave zotëron një fond të veçantë toke për këtë qëllim (kompensimin). Në vite, Këshilli i Ministrave, vazhdimisht përmes vendimesh të ndryshme, i ka kaluar agjencisë sipërfaqe të ndryshme pronash shtetërore në funksion të kompensimit fizik të pronarëve.
Fondi i kompensimit
Fondi përbëhet nga sipërfaqet ndërtimore në pronësi të shtetit, toka truall, toka bujqësore, toka kullotë dhe toka pyll. Pra fondi ka në përbërje të gjitha llojet e pronave të cilat u janë njohur pronarëve për kompensim. Sipas specialistëve logjika e kompensimit fizik bazohet te kompensimi tokë me tokë, me vlerë të njëjtë tregu. Përmes kompensimit fizik, shteti u jep mundësinë pronarëve për konvertimin e këtyre pronave me pasuri të cilat mund ti zotërojë e ti shfrytëzojë. Ndërkohë ky proces shihet si efikas edhe për faktin se konvertimi në natyrë i një prone me një tjetër, që ka të njëjtën vlerë tregu, e bën shumë më të lehtë marrëveshjen mes shtetit e pronarëve.
Kriza
Duke qenë se fondet financiare për të kompensuar ish pronarët kanë qenë përherë të pakta për shkak të krizës ekonomike në vitet e fundit, si dhe buxhetit të vogël të shtetit, atëherë Qeveria është pozicionuar në grumbullimin e fondit të tokave për kompensimin fizik. Fondi i kompensimit fizik nuk është gjë tjetër veçse një grumbull pasurish, përfundimisht shtetërore, të cilat do të jenë të destinuara për tiu dhënë në kompensim atyre subjekteve (pronarëve), prona e të cilëve nuk është arritur të kthehet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›