E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikatat ultimatum Qeverisë: Të ulet mosha e pensionit

pensionet e minatoreveVetëm pak ditë pasi kryeministri Berisha iu premtoi publikisht minatorëve se do të ulte moshën e daljes në pension, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë i ka bërë një kërkesë zyrtare qeverisë shqiptare, ku kërkon kthimin e këtij premtimi në një vendim zyrtar.
Kërkesa
Sipas presidentit të sindikatave të bashkuara, Gëzim Kalaja kërkesa drejtuar qeverisë kërkon që punonjësit e nëntokës të dalin në pension në moshën 55-vjeçare si dhe vjetërsia e përgjithshme në punë për ta të jetë 25 vjet. U konkretizua kërkesa e tyre, për uljen e moshës së pensionit, nga 60 në 55-vjeç. Pra minatorët shqiptarë dhe punonjësit e nëntokës shqiptare pas miratimit nga ana e qeverisë së këtij ligji do të dalin në pension në moshën 55-vjeç e konvertuar kjo me 25 vjet punë. Dhe nga këto 12 vjet e gjysmë nëntokë. Minatorët shqiptarë dhe punonjësit e industrisë, minerare shqiptare që kanë punuar dhe vijojnë të punojnë nëntokë e meritojnë dhe ju takon për ta marrë, këtë pension nga ana e qeverisë shqiptare. Këtë e shoh të realizueshme para datës 23 qershor, theksoi presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Premtimi
Sipas z.Kalaja, ky vendim e pozicionin Shqipërinë në të njëjtin nivel me shtetet e tjera të Ballkanit, të cilët e kanë miratuar prej kohësh uljen e moshës për pension të minatorëve në 55-vjeç. Vetëm pak ditë më parë, ndërsa mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë të organizuar me rastin e 22 vjetorit të grevës së përgjithshme të minatorëve në maj të vitit 1991, kryeministri Berisha iu premtoi minatorëve se do të marrë parasysh të gjitha kërkesat e tyre, përfshirë edhe atë për uljen e moshës së daljes në pension në 55 vjeç. Pas kësaj deklarate të kryeministrit, dje sindikatat në emër të minatorëve kanë kërkuar mbajtjen e premtimit.
Krahasimi
Shqipëria renditet si një nga vendet me moshën më të lartë të pensionit në Europë. Të dhënat zyrtare të OECD-së tregojnë se mosha e pensionit për burrat në Shqipëri është mesatarisht 2.1 vjet më e madhe se mesatarja e vendeve të zhvilluara. Të dhënat krahasuese me vendet e tjera tregojnë gjithashtu se janë vetëm dy raste të shteteve që e kalojnë moshën 65 vjeç të daljes në pension, Norvegjia dhe Islanda. Por ekspertët gjykojnë se është e tepërt të krahasojmë realitetin shqiptar me realitetin e këtyre dy vendeve super të zhvilluara. Shqiptarët jetojnë më pak se sa qytetarët e vendeve të zhvilluara. Për shkak të moshës së lartë të pensionit një individ mashkull sot në Shqipëri përfiton mesatarisht 14.5 vite pagesë pleqërie, kur mesatarja e vendeve të zhvilluara është 18.5 vjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›