Ish-reparti ushtarak në Bërdicë do të përdoret për bujqësi nga Bashkia Shkodër

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot transferimin në pronësi të Bashkisë Shkodër të pronës së njohur si “Ish-reparti ushtarak”, me vendndodhje në Bërdicë, Shkodër.
Vendimi u mor në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8744, datë 22.02.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”.
Prona e transferuar do të përdoret për ushtrimin e funksioneve në fushën e bujqësisë, ushqimit dhe zhvillimit ekonomik. Ajo i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike të Bashkisë Shkodër dhe hiqet nga lista e pronave që i kalojnë Ministrisë së Mbrojtjes.
Bashkisë Shkodër i ndalohet heqja ose prishja e objekteve fortifikuese të pronës pa miratimin e ministrit të Mbrojtjes. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Bashkia Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e vendimit, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në “Fletoren Zyrtare”.
/a.f//r.e/