E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mazniku: Diplomacia ekonomike, kyçe për ndërlidhjen e kapaciteteve vendore me kërkesën globale

TIRANË, 9 shtator  /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Diplomacia e zgjuar dhe zhvillimi i qëndrueshëm: Pozicionimi i Shqipërisë si një destinacion i përgjegjshëm dhe inovativ”, theksoi rëndësinë e turizmit dhe eksporteve si elementë kyç për zhvillimin ekonomik dhe ekspozimin e zonave me potencial të lartë, përtej destinacioneve tradicionale.

“Turizmi është produkt eksporti. Çdo koncept zhvillimi duhet të lidhet me kapacitetin tonë për të eksportuar ” u shpreh Mazniku.

Ai solli si shembull zonën e Treganit në Elbasan, ku gjatë sezonit të llixhave regjistrohen rreth 700 mijë netëfjetje në vit, një shifër e krahasueshme me zonat bregdetare më të frekuentuara. Sipas tij, kjo zonë ka një potencial të madh për rritje dhe kërkon promovim të dedikuar turistik, sidomos për tregjet e huaja si Kosova, Bullgaria dhe të tjera.

Mazniku theksoi se turizmi malor dhe bujqësia, duhet te jenë pjesë e paketës së zhvillimit.

Ai përmendi edhe nismën “Paketa e Maleve”, që synon të vendosë në funksion turistik 60–70% të territorit të Shqipërisë që përbëhet nga zona malore, duke kapërcyer sfidat e pronësisë dhe duke zhvilluar turizmin aktiv.

“Një tjetër element me rëndësi ishte zhvillimi i bujqësisë me produkte të specializuara për eksport. Në fshatin Jagodinë (Elbasan), prodhimi i lakrës së Brukselit është rritur 6 herë në 5 vitet e fundit, ndërsa e gjithë sasia prodhohet për eksport në tregjet evropiane”, u shpreh Mazniku.

Ministri nënvizoi se vetëm 10% e zonës bujqësore atje është e shfrytëzuar me serra, ndërsa potenciali është për rritje 10-fish. Po ashtu, në Belsh, një kompani e huaj ka parablerë vaj ulliri me çmim dyfish më të lartë se ai i tregut lokal, duke dëshmuar vlerën e produkteve autentike shqiptare.

Një tjetër shembull përmendi ai, është zona e ish-Metalurgjikut në Elbasan, ku prodhohen turbina për HEC-e që eksportohen deri në Australi, duke theksuar se edhe prodhimi industrial shqiptar ka potencial për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare.

Mazniku përfundoi duke theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe diplomacisë ekonomike, si mënyrë për të ndërlidhur kapacitetet vendore me kërkesën globale dhe për të përshpejtuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›