Ish-sekretari: Biseda e fundit me Ramizin për sekretet e mëdha
Guro Zeneli, një ndër miqtë më besnikë të Ramiz Alisë, pohon se ish-presidenti po shkruante një dorëshkrim për familjen, me të vërteta që ai i konsideronte të rëndësishme. “Në takimin e fundit i thashë me shaka se politikanët e vërtetë i marrin me vete sekretet e mëdha që dinë. Ai buzëqeshi e më tha që, ashtu është në fakt, shumë të vërteta merren me vete”
Intervistoi: Habjon Hasani
Guro Zeneli, ish-sekretari në Presidencën e Ramiz Alisë, njëherazi mik besnik i tij, thotë se vdekjen e përjetoi si humbjen e një njeriu të afërt. Në një intervistë për “MAPO”-n, Zeneli tregon se kohët e fundit, Ramiz Alia kalonte orë të tëra duke lexuar dhe shkruar në kompjuterin e tij. Ai rrëfen edhe bisedën e fundit me Ramizin, mbi dorëshkrimet e ish-presidentit dhe të vërtetat e tij të pazbuluara. “Kur u takuam disa ditë më parë, i thashë si me shaka: Thonë se politikanët e vërtetë i marrin me vete sekretet dhe të vërtetat e mëdha që dinë. Ai buzëqeshi dhe ma ktheu: ‘Vërtet ashtu është, shumë të vërteta merren me vete’. E më pas më shpjegoi se ishte duke lënë disa dorëshkrime, disa gjëra që ai i mendonte si të rëndësishme. Më tha se do ua linte fëmijëve t’i shihnin, pra rrethit familjar, dhe se nuk i kishte për botim”, - tregon për “MAPO”-n Guro Zeneli.
Zoti Zeneli, keni qenë një mik i hershëm dhe i ditëve të fundit i ish-presidentit Alia. Si e përjetuat lajmin e vdekjes së tij?
Si humbjen e një miku. Një njeriu të afërt për mua, një njeriu me vlera.
Prej sa kohësh ishte sëmurë zoti Alia?
Ai ka qenë në Boston të Shteteve të Bashkuara disa muaj më parë dhe aty ka bërë dhe një vizitë mjekësore, ku mjekët i kishin evidentuar disa probleme. Shkonte çdo vit në Boston. Kur u kthye, më tha që i kishin evidentuar disa probleme. Para një muaji ai pësoi probleme me gjurin e këmbës dhe nuk mund të dilte dot e nuk mund të shëtisnim më, siç bënim shpesh. Kohët e fundit unë kam qenë në kontakt telefonik të përditshëm me të, pasi shkoja më rrallë për ta vizituar, sepse ime shoqe ka pasur probleme shëndetësore dhe jam marrë me vizitat e saj më shumë. Por kemi folur shumë shpesh në telefon.
Siç edhe thatë, ju keni komunikuar me zotin Alia kohët e fundit. Ku ishte më shumë i interesuar apo i fokusuar ai?
Leximi ishte një pasion i tij. Lexonte shumë, mund të them se lexonte më shumë se kushdo moshatar i tij, për mendimin tim. Gjatë takimeve flisnim për shumëçka, por bisedat më të shpeshta kanë qenë të natyrës shoqërore, lidhur me çështjet dhe sfidat tona të përditshme, biseda politike filozofike etj. Ai edhe shkruante shumë, kishte kompjuterin e vet dhe aty kalonte orë të tëra duke lexuar, por edhe duke shkruar.
Ka pasur diçka në dorë për të publikuar së fundmi?
Jo, nuk mendoj se ka pasur diçka në dorë për të publikuar, por ama ka qenë duke shkruar. Disa ditë më parë, kur u takuam i them si me shaka: “Thonë se politikanët e vërtetë dhe profesionistë i marrin me vete sekretet dhe të vërtetat e mëdha që dinë”. Ai buzëqeshi dhe ma kthen: ‘Vërtet ashtu është në fakt, shumë të vërteta merren me vete. E më pas më shpjegoi se ishte duke lënë disa dorëshkrime, disa gjëra që ai i mendonte si të rëndësishme, që më tha se do ua linte fëmijëve t’i shihnin, pra rrethit familjar, dhe se nuk i kishte për botim. Se çfarë janë, unë nuk di ta them, sepse vetëm kaq kemi biseduar.
Mendimet për zotin Alia janë më së shumti kontradiktore. Ju çfarë mbresash keni për të?
Unë jam miku i tij dhe e kam pranuar me zë të lartë këtë gjë dhe në ditë të vështira për të. Dua të them diçka, në shumë e shumë vite njohje me të, nuk e dëgjova njëherë të thoshte ‘bjerini këtij’ apo ‘merruni me filanin’. Gjithmonë ka pasur një qetësi të rrallë, një sjellje shumë qytetare, shumë njerëzore do thosha, përgjigjej gjithnjë “shikojeni me kujdes këtë apo atë problem”. Kam njohur dhe shumë liderë e politikanë të pas viteve ’90, e mund të them se si nivel shtetari, si nivel njerëzillëku, asnjë nuk i afrohet atij. E ka qenë pikërisht kjo sjellje qytetare, njerëzore e tij, që bëri dhe kalimin e butë të pushtetit në fillim të viteve ‘90. Kjo ishte në tërësi natyra e tij, e matur dhe njerëzore.
A keni informacion mbi ceremoninë mortore të tij? Do të jetë një ceremoni shtetërore apo private?
Familjarëve u është thënë se mjediset e Shtëpisë së Oficerëve do të jenë të lira për homazhe. Deri tani, kështu u është thënë. Nuk e di më vonë se ç’do bëhet. Mendoj se kjo është në kundërshtim me ligjet e posaçme për këto raste. Ligji thotë që figurave të larta shtetërore u bëhen homazhet në institucionet ku kanë punuar. Në rastin e Ramizit nuk ndodh kështu, të paktën deri tani.
Si e kanë pritur familjarët këtë komunikim që u është bërë në lidhje me homazhet?
Nuk është se kanë thënë ndonjë gjë.