E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta Ramiz Alia, pak miq e asnjë politikan në shtëpi

Udhëheqësi i fundit komunist dhe presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste ndërron jetë në moshën 86-vjeçare, në Sanatorium. E afërmja: Jemi të tronditur, vdekja ishte e papritur. Djali i madh i Enverit dhe disa ish-zyrtarë ngushëllojnë familjarët

Vladimir Karaj

Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist dhe presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, u shua dje në moshën 86-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë në mushkëri. Alia, një prej shumë figurave kontradiktore të historisë shqiptare, u shpall i vdekur në orën 6.15 minuta nga mjekët, pas një komplikimi të shëndetit të përkeqësuar tri ditët e fundit. Ai shihet si pasardhës i diktatorit Enver Hoxha, por po ashtu, si njeriu që mundësoi një rrëzim të “butë” të komunizmit në Shqipëri. E ndërkohë që përmendet për aktivizimin e tij në luftën Nacional-Çlirimtare në moshë të re, ai gjithashtu është një nga drejtuesit komunistë të akuzuar për ekzekutimet e persekutimin e mijëra shqiptarëve dhe izolimin 45-vjeçar të Shqipërisë.

Morti

Në apartamentin që ndodhet në katin e tretë të një pallati të vjetër pranë stadiumit “Selman Stermasi”, ku Alia jetonte i vetëm, dera qëndron e hapur për të pritur të afërm dhe miq të të ndjerit, por në tre-katër orë që qëndruam pranë saj, pak njerëz u panë të hynin e të dilnin prej saj. Heshtja dhe njerëzit e paktë, “vetëm 3” na thotë një e afërme, tregojnë edhe dyzimin e mjaft shqiptarëve përballë vdekjes së pasardhësit të diktatorit. Një pjesë ndalojnë përballë hyrjes dhe pasi hedhin sytë, largohen. Sipas së afërmes me të cilën flasim, në shtëpi gjenden vetëm familjarë të ish-Presidentit. Gjithë sa mund të marrim vesh nga biseda me këtë grua që prezantohet si “e shtëpisë” dhe që hamendësojmë se është mbesa e ish-udhëheqësit komunist është se, për ta “kishte qenë e papritur”. Me gjithë sëmundjen dhe moshën, sipas saj, Alia e kishte marrë veten të enjten në mbrëmje dhe vetëm një komplikacion në darkë vonë kishte sjellë edhe vdekjen e tij. Gruaja nuk pranon të komentojë gjatë mbi situatën në familje. “Jemi të gjithë të tronditur”,- na thotë, ndërsa shpjegon se në atë orë ende nuk ishte marrë një përgjigje për mënyrën se si do të përcillej i ndjeri, edhe pse ishte përcaktuar që ceremonia do të zhvillohej të dielën, pasi dy fëmijët e Alisë që ndodheshin jashtë shtetit, duhej të ktheheshin. Vetëm njëra prej vajzave të ish-Presidentit ndodhej pranë tij. E afërmja na tregon se shëndeti ishte përkeqësuar në mbrëmje vonë, ndërsa thotë se në mëngjes ka qenë vetë ajo që i ka çuar kostumin, me të cilin e kanë veshur dhe me të cilin do të përcillet për në banesën e fundit.

Vizitat

Të paktë kanë qenë njerëzit që kanë hyrë dje në shtëpinë e Ramiz Alisë. Nga vëzhgimi aty dhe nga njerëzit me të cilët flasim, mësojmë se ndër të parët që ka hyrë në shtëpi për ngushëllime ka qenë djali i madh i Enver Hoxhës, Iliri. Ndërkohë, ka pasur edhe të tjerë ish-zyrtarë, me të cilët duket se Alia kishte ruajtur marrëdhëniet miqësore. Vizita kanë kryer edhe ish-kryetari i Akademisë së Shkencave, Ylli Popa dhe njerëz të tjerë, të cilët e kanë njohur Alinë nga afër. Askush nga politikanët shqiptarë nuk i është afruar shtëpisë së të ndjerit dhe as ka pasur reagime politike rreth vdekjes së tij, përjashto atë të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Nga ana tjetër, lajmi i vdekjes së tij në mediat online është shoqëruar me komente kontradiktore nga lexues të ndryshëm. Mjaft prej tyre e kanë cilësuar si çlirim, të tjerë kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit.

Ditët e fundit

Pak dihet se si jetonte drejtuesi i fundit komunist i Shqipërisë. Pranë shtëpisë së tij, ku herë pas here kalonte pasditet dhe konsumonte kafenë, të thonë se përgjithësisht shoqërohej nga njerëz të afërt. Alia prej kohësh jetonte vetëm, i shoqëruar nga një grua që kujdesej për të, ndërsa fëmijët e tij jetojnë jashtë Shqipërisë. Fqinjët thonë se deri para se të shtrohej në spital, ish-Sekretari i Parë i Partisë së Punës kishte ndjekur ritualin e kafesë në lokalin poshtë apartamentit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›