E Diel, 1 Nëntor 2026

Alketa Vejsiu: Lionel dhe Nicol janë një frymëzim shumë i madh

Ilda Lumani

Pas një eksperience të gjatë televizive, Alketa Vejsiu, prezantuesja e mirënjohur, e ka të qartë rrugën që po ndjek televizioni në botën globale. E di se cili është çelësi i një suksesi të vazhdueshëm. Është koherente ndaj çdo risie dhe këtë e dëshmon më së miri në këtë sipërmarrje të re. “X Factor”, një markë e garantuar që prej 2004-ës, është përkthyer në sukses absolut dhe audiencë maksimale në çdo vend që është transmetuar. Tani është radha e Shqipërisë. Të dyja, Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu arritën falë përvojës dhe “background”-it profesional të përzgjidheshin mes “konkurrentëve” të tjerë për të rrëmbyer licencën nga “FrementaleMedia”, për të sjellë këtë format ‘hit’ përmes produksionit të televizionit Klan. Në këtë bashkëbisedim me Alketën për faqet VIP të gazetës “MAPO”, ajo na tregon disa detaje rreth iniciativës së re…, ardhjen e Simon Cowell në “X Factor Albania”…, kënaqësinë që i ka falur mëmësia e dytë dhe përkushtimin që ka ndaj dy vogëlushëve, Nicol dhe Lionel!!!

Alketa vjen në ekran me një patentë të fuqishme, siç është “X Factor”. Ka qenë e mirëmenduar prej jush, që tashmë pas lindjes së djalit tuaj të vinit në ekran me një sipërmarrje kaq të madhe?

Strategjia ime ka qenë gjithmonë “fol atëherë kur ke diçka për të thënë”. Në përgjithësi, daljet e mia publike kanë qenë në funksion të punës që unë bëj. Periudha gjatë muajve të shtatzënisë më shërbeu si kohë për të menduar dhe për të reflektuar; pas këtij akumulimi kam shumë për të thënë.

Prej vitesh kam menduar që e ardhmja e televizionit janë formatet-patenta të garantuara dhe të testuara në botë. ‘X Factor’ më kishte intriguar prej vitesh. Sa herë që bëja një lëvizje jashtë kufijve shqiptarë, gazetat dhe revistat ndërkombëtare që lexoja, veçanërisht të gjitha tabloidet e shtypit britanik në qendër të tyre kishin personazhe që kishte promovuar ky format.

Ndërsa fenomeni Simon Cowell është një model referimi, një model që frymëzon, shumëdimensional, gjithmonë i suksesshëm, sfidues me idetë dhe shpikjet e tij, lider në median botërore, patentat e tij globalizohen në mënyrë të menjëhershme, (ndër të cilat “X Factor” dhe “Got Talent”).

E gjitha kjo ka qenë një shtysë drejt “X Factor”, e parë si një paketë me shumë avantazhe.

Në këtë projekt jeni bashkëproducente artistike me producenten dhe regjisoren e mirënjohur, Vera Grabocka. Si do ta cilësoje bashkëpunimin disavjeçar tashmë krah Grabockës?

Unë dhe Vera, përveç një alkimie të veçantë kemi edhe një lidhje profesionale shumëvjeçare, që tashmë është vërtetuar ndër vite për cilësinë e saj. Është një lidhje shpirtërore që në themel ka mirënjohjen, ku shkëmbehen eksperienca, përvoja të vyera jete dhe kishte ardhur momenti që ky bashkëpunim të kalonte në një fazë tjetër.

“X Factor” e ka çuar në një nivel tjetër këtë raport profesionalisht, ndërsa raporti njerëzor është gjithmonë në rritje. Të dyja bashkë me fuqinë e Radio-Tv Klan, kemi qenë një garanci më shumë, për “FrementaleMedia”, të cilët vlerësuan disa blerës të mundshëm potencialë për patentën, por na licencuan ne.

Alketa , kemi dëgjuar që ti dhe Vera jeni takuar edhe me Simone Cowell në Los Angeles, si edhe priten surpriza gjatë spektaklit, ç’mund të na tregoni më tej?

Si e specializuar në marketing, zhurmat artistike dhe aludimet hipotetike janë pozitive për promovimin e një sipërmarrjeje të re (sigurisht kur nuk është shumë zhurmë për asgjë). Evitoj të përgjigjem, por garantoj që do të ketë surpriza në spektakël.

A do të vijë Simone Cowell në spektakël?

Pse jo?

Tani që e keni mbaruar fazën e audicionit të producentëve, mund të na tregoni realitetin që keni parë nga një qytet në tjetrin të Shqipërisë?

Kur reporterët e televizionit Klan na merrnin në telefon për të përgatitur kronikat e lajmeve e na pyesnin: "He si po shkon", - përgjigjet tona ishin: "Po bëhet nami në Shqipëri me talente, vërshim të rinjsh", ose “shqiptarët, një gjë e bëjnë më mirë se çdo gjë tjetër, këndojnë bukur”… duke qetësuar çdo dyshim që mund të kish ndonjë skeptik për interesin e të rinjve në një format si ky.

Ne jemi popull që këndojmë, jemi popull thellësisht i bukur. Pavarësisht problematikave dhe zymtësisë së jetës veçanërisht në zonat rurale, është e kuptueshme që njerëzit janë shumë të ndjeshëm ndaj së bukurës, kënga është si një thirrje e brendshme për shpëtim nga monotonia, si një shpërthim për ta bërë jetën më të gëzueshme.

Sot, një ide përparimtare shpërndahet në mënyrë virale, është si një modë që ndjekin të gjithë; trendi i kohës dhe televizioni i së ardhmes, është televizioni që përfshin publikun. Njerëzit duan të jenë dhe vetë protagonistë në show. Çdo shfaqje që përfshin edhe ata është sukses i sigurt. Televizioni sot duhet të shërbejë si një pasqyrë ku njerëzit shohin veten.

Alketa, mjaft kurioze ka qenë për fansat tuaj, për mediat, lindja e djalit tuaj, Lionel. Në këtë fillim- projekt kur bebi është veçse pak muajsh, ç’mund të na tregoni për të dhe ardhjen e tij në jetën tuaj?

Jam shumë e lumtur. Lionel dhe Nicol janë një frymëzim shumë i madh. Ka një moment kur pasi përfundoj një ditë të lodhshme pune, mbyll gjithçka, e bëj ‘off’ dhe iu kushtohem . Sepse siç më japin energji, dua t’ua rikthej këtë jo vetëm për detyrimin që një nënë ka ndaj krijesave që sjell në jetë, por sepse jeta është e mrekullueshme pranë tyre. Gjithmonë kam menduar se një grua e realizuar, që punon, që ka energji, që është e lumtur 360 gradë, mund të jetë një nënë më e mirë për fëmijët e saj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›