E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të dënuarit, zbardhen fondet e buxhetit të 2010

11/11/2009  Qeveria parashikon kompensim për të gjithë personat që kanë aplikuar

Kompensimi i viteve të burgut me pagesë për ish-të përndjekurit politikë do të vijojë deri në ndarjen e parave për të gjithë personat që kanë aplikuar. Mbështetja e kësaj kategorie është një nga prioritet e qeverisë, e cila ka projektuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm një shumë prej 2 miliardë lekësh ose 0.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. I miratuar në parim në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave projektbuxheti pritet të diskutohet sot. Rezervat e shprehura nga anëtarët e kabinetit qeveritar për shpërndarjen e fondeve për sektorët e ndryshëm ka qenë shkaku i shtyrjes së miratimit. Hartimi i projektit ka nisur më 10 korrik 2009 duke synuar kalimin e tij në qeveri më 25 tetor. Negociatat e vazhdueshme me dikasteret e kryesuara nga aleatët që kërkonin më tepër fonde ishin shkak për ndryshime të vazhdueshme.

Fondi rritje deri në 2012

Qeveria ka parashikuar një rritje të fondit për kompensimin e ish-të dënuarve deri në vitin 2012. Sipas të dhënave të kuadrit makroekonomik, në vitin 2011 dhe 2012 kjo shumë do të rritet nga 2 miliardë që është aktualisht në 3 miliardë lekë. Vetëm gjatë vitit 2009 qeveria kishte planifikuar 1 miliard lekë për këtë proces. Pas propozimeve të bëra për shtimin e këtij fondi, qeveria vendosi që të akordojë edhe 1 miliard lekë të tjera nga të ardhurat e përfituara prej privatizimeve të bëra në fund të vitit 2008. Fondi për vitin 2009 është llogaritur në këto nivele për shkak se fondi prej 10 milionë dollarë që ishte përcaktuar për ish-të përndjekurit nuk është shpenzuar. Burimet të Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur se ky proces po ndiqet me një vëmendje shumë të madhe. Nga ana tjetër janë përcaktuar edhe strukturat përgjegjëse qoftë për monitorimin e procesit të ndarjes së përfitimeve financiare, apo edhe për verifikimin paraprak të të gjitha kategorive, deri në miratimin e listave nga Këshilli i Ministrave. Aktualisht vijon ndarja e lekëve për përfituesit ish-të dënuar politikë. Ndarja e parave të kompensimit sipas ligjit është bërë vetëm për një pjesë të përfitimit, e cila derdhet në llogarinë bankare të hapur nga vetë i interesuari. Shuma e të hollave mund të tërhiqet nga vetë ish-të dënuarit ose në rast se ata nuk jetojnë më, ajo tërhiqet vetëm nga familjarët e tij si bashkëshorti/ja ose fëmijët. Nëse asnjë prej tyre nuk është gjallë, fondet i kthehen buxhetit. Depozitat bankare që çelen në emër të ish-të dënuarit politikë bëhen të disponueshme brenda një jave nga çelja e tyre.

Kriteret

Qytetarëve u duhet të plotësojnë në mënyrë sa më korrekte dokumentacionin e tyre, në të kundërt nuk do të marrin atë që ligji u ka caktuar të përfitojnë. Sipas burimeve zyrtare, radha dhe saktësia në depozitimin e dokumentacionit janë kriteret dhe njëkohësisht çelësi për shpejtimin e ekzekutimit të pagesave. Ministria e Financave ndjek procedurat e pagesës vetëm pasi ish-i dënuari është përfshirë në listën e VKM-së dhe nuk ka asnjë kompetencë apo funksion për procedurat përpara daljes së vendimit të Këshillit të Ministrave për pagesat individuale. Neni 12 i ligjit përcakton se në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë ish-të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1 milion lekë. “I njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që në çdo rast pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 mijë lekë. Asnjë ish-i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi.

Kundërshtimet

Nëse përfituesit kanë një ankesë apo kundërti për vendimin e marrë, apo shumën që u është akorduar, burimet bëjnë të ditur se komunikimi me ta do të jetë vetëm shkresor dhe jo nëpërmjet sqarimeve individuale. Është Ministria e Drejtësisë ajo që ndjek të gjithë procedurën e informacionit për dosjet individuale deri në nxjerrjen e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dërgimin e tij me listat bashkëngjitur në Ministrinë e Financave për pagesë. “Në rast se ish-të dënuarit kanë vërejtje për përfitimet e mëparshme, gabime të mundshme duhet të drejtojnë kërkesë zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë për korrigjime të mundshme, nëse rezulton një gjë e tillë”, - theksojnë burimet zyrtare të Drejtorisë së Thesarit. Verifikimi për përfitimet e mëparshme të ish-të dënuarve është informacion i dërguar në Ministrinë e Drejtësisë nga Ministria e Financave për shumat në letra me vlerë dhe lekë përpara vitit 1997.

Për çdo ditë burg

Ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë do të përfitojnë 2 mijë lekë për çdo ditë burg. Ndërkohë ata që kanë qenë të internuar ose të rrethuar në tela me gjemba nga viti 1944 deri në vitin 1954 do të përfitojnë nga 1 mijë lekë për çdo ditë burg. Ligji “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist” zëvendësoi në këtë mënyrë ligjin e mëparshëm, i cili përreth dy vjet ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas këtij ligji, përfitues janë ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist të periudhës 30 nëntor 1944 deri më 1.10.1991, të cilët kanë kryer dënim penal të padrejtë dhe kanë vuajtur pjesërisht apo plotësisht dënimin e dhënë, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuar gjatë periudhës 30 nëntor 1944 deri më 1.10.1991. Që prej vitit 1991, kur morën fund persekutimet për motive politike, shtresat e përndjekura për këto motive ende nuk janë rehabilituar financiarisht.

Depozitat

Depozitat e çelura sipas nenit 15 të këtij ligji mund të kërkohen nga të interesuarit deri në 3 vjet nga çelja e tyre. “Kur brenda 3 vjetëve pranë bankës nuk paraqitet asnjë i interesuar, apo kur të interesuarit nuk plotësojnë kriteret e caktuara sipas nenit 14, llogaria transferohet drejtpërdrejt në Thesarin e Shtetit sipas një rakordimi paraprak të kryer nëpërmjet bankës së nivelit të dytë dhe Ministrisë së Financave”, - theksohet në ligj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›