Ish të përndjekurit, Bode: Gati pagesa për 700 emra
Bode në Facebook informon ish të dënuarit politikë: Për 2 muaj mbyllet kësti i dytë
Ministri i Financave Ridvan Bode ka informuar ish të përndjekurit politik se procesi i dëmshpërblimit po vijon me ritme normale. Bode shkruan në faqen e tij zyrtare të Facebook-ut se janë miratuar nga Këshilli i Ministrave gjithsej 11 mijë e 729 dosje për ish të dënuarit politik. Janë paguar për këstin e parë gjithsej 10594 dosje për ish të dënuarit politik; janë duke u paguar për këstin e parë 1135 dosje. Pagesa e këstit të dytë është kryer për 3885 dosje të ish të dënuarve politikë dhe janë duke u paguar për këstin e dytë edhe 6397 dosje të ish të dënuarve politikë. Nesër (sot) kalon listë-pagesa për mbi 700 dosje, shkruante dje në faqen e tij në internet ministri Ridvan Bode. Ndërkohë po sipas tij për rreth dy muaj do të përfundojë pagesa e këstit të dytë për të gjithë ish-të dënuarit politikë. Përtej premtimeve të ministrit Bode, shtresa e ish të përndjekurve politikë duket e pakënaqur me ndarjen e kësteve të dëmshpërblimit. Pak ditë më parë (në seancën e së hënës) para parlamentit një grup ish të përndjekurish protestuan në një mënyrë jo të zakontë duke u lidhur me zinxhirë, ndërsa kërkuan përgjigje për dëmshpërblimin që ende se kanë marrë. Ndërkohë policia i ka shoqëruar për në Drejtorinë e Përgjithshme 6 ish-të përndjekurit politikë që u lidhën me zinxhirë para parlamentit. Kryetari Shoqatës së të Burgosurve Politikë, në një dalje për mediat nga vendngjarja tha se qeveria duhet të mbajë premtimet e dhëna; sipas tij një pjesë e konsiderueshme e kësaj shtrese nuk i kanë marrë këstet që iu takojnë me ligj.