Injorohet Presidenti /Shqipëria i hap rrugë importit të mbetjeve
Edhe pse po bëhet një luftë e madhe për importin e mbetjeve, dhe së fundmi presidenti Nishani dekretoi 22 dhjetorin e këtij viti si datën për mbajtjen e një referendumi kundër importit të mbetjeve në Shqipëri, Qeveria ka marrë vendimin ditën e djeshme që të importojë 3600 ton mbetje në vit.
Importi
Mbetjet do të importohen nga shteti i Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, dhe vendet e Bashkimit Europian. Transporti do të bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të plotësohet i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, si dhe kërkesat e vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të qeverisë shqiptare. Tashmë Qeveria ka autorizuar shoqërinë ANSA sh.p.k për importin e mbetjeve të polietilenit (mbetje plastike), për qëllime riciklimi, në bazë të Konventës së Bazelit (për mbetjet e listës së gjelbër, referuar edhe vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi, të ndryshuar.
Ambalazhimi
Ambalazhimi i tyre do të bëhet në paleta, i presuar ose në thasë plastikë, sipas kërkesave të përcaktuara qartë nga pala shqiptare. Për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, shoqëria ANSA, sh.p.k., duhet të dorëzojë të plotësuar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, dhe monitorimi i tyre do të kryhet nga strukturat përkatëse të doganave. Çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me një raport -analizë, të kryer për aspektin e radioaktivitetit. Periudha e lejimit të importit të mbetjeve të polietilenit nga shoqëria ANSA, sh.p.k., është 1 – vjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, thuhet në vendim.
Kontrollet
Ndërkohë nga ana e saj edhe Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të kërkesave ligjore dhe për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të qytetarëve, merr masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve të polietilenit nga shoqëria ANSA, sh.p.k. Gjithashtu Ministria e Mjedisit, komunikon me shkrim me shtetet eksportuese dhe me ato në të cilat do të bëhet kalimi transit për autorizimet përkatëse, në bazë të të cilave lejohet kalimi i kësaj sasie të mbetjeve të plastikës, në përmbushje të kërkesave të Konventës së Bazelit Për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre, në të cilën Republika e Shqipërisë është palë.
Debati
Debati për importin e plehrave ka nisur që në vitin 2011 kur Parlamenti miratoi një ligj të ri për trajtimin e mbetjeve urbane në të cilin ishin përfshirë edhe dy nene që lejonin importimin e tyre për qëllime riciklimi. Ambientalistët i kundërshtuan me forcë këto dy nene duke argumentuar se Shqipëria nuk ka mundësitë për kontrollet e nevojshme dhe se vendi, sipas tyre, mund të rrezikojë të kthehet në një destinacion për mbetjet e rrezikshme
Ndërkohë edhe vetë ministri i Mjedisit Fatmir Mediu më herët është shprehur se nuk është kundër zhvillimit të referendumit, përkundrazi ai ka kërkuar që ti adresohet dikasterit të tij çdo shqetësim në lidhje me ambientin, dhe se deri më tani është frenuar importi i shumtë i mbetjeve, që konsideroheshin të rrezikshme.