Bllokohet KQZ, Jani Jani ngrin funksionin e tij
Anëtari i propozuar nga PBDNJ: Solidarizohem me kolegët e larguar
Pas dorëheqjes së dy përfaqësuese të Partisë Socialiste nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Jani Jani i propozuar nga PBDNJ ka deklaruar ngrirjen e aktivitetit të tij si anëtar i KQZ-së. Përmes një deklarate për mediat, Jani tha se ky vendim i tij vjen si shenjë solidariteti me kolegët e tij, Biba, Shtylla dhe Muho.
Deklarata
Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit se forca të caktuara politike dhe konkretisht mazhoranca aktuale haptazi ka ndërmarr veprime që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni duke shkelur ligjin. Gjithashtu vlerësoj aktin e dorëheqjes se dy kolegeve të mi si zgjedhje të drejtë të bindjes së tyre. Për arsye të situatave të krijuara dhe në pritje të një reflektimi real, të dukshëm të politikës për të hequr dorë nga tentativat për të cenuar pavarësinë e këtij institucioni, si edhe në shenjë solidariteti me kolegët e mi, deklaroj ngrirjen e veprimtarisë time formale në KQZ”, thuhet në deklaratën e Jani Janit. Ky vendi i anëtarit të KQZ-së bën që KQZ, të zhvillojë mbledhjet e saj, duke nisur që nga sot vetëm me katër anëtarë të pranishëm. Por ky vendim i Janit, duke se nuk do të zgjasë shumë, pasi duke ju referuar Kodit Zgjedhor, vetëngrirja e funksionit nuk mund të zgjasë më shumë se një periudhë pesë ditore. Neni 18 i këtij ligji sanksionon se nëse anëtari i KQZ-së mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë, atëherë i ndërpritet mandati.
PS
Pas largimit të dy anëtarëve të PS-së nga KQZ-ja, duke ju referuar Kodit Zgjedhor kjo parti duhet të dorëzojë në Kuvend emrat e rinj për këto poste brenda afatit të 48 orëve. Nuk dihet ende nëse PS do të respektojë këto afate të përcaktuara nga Kodi, ndërsa ende mungon një prononcim zyrtar nga selia rozë për anëtarët e rinj. Largimet e fundit nga KQZ-ja kanë paralizuar funksionimin normal të saj, për shkak të numrit të anëtarëve të pranishëm. Nga shtatë anëtarë, të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, sot KQZ ka në përbërje të saj, katër anëtarë.
Wollfarth: KQZ mund të funksionojë
edhe kështu, por duhet të jetë i plotë
Ambasadori i OSBE-së, Euggen Wollfarth i ka bërë apel opozitës që të dërgojë brenda afateve emrat e saj për të zëvendësuar dy anëtarët e larguar nga KQZ-ja. Sipas Wollfarth, KQZ mund të funksionojë edhe me këtë numër anëtarësh por është e rëndësishme që ajo të jetë e plotë. KQZ sigurisht mund të operojë edhe me 5 anëtarë por do të ishte e preferueshme që të funksionojë me 7 anëtarë. Një KQZ e plotë me anëtarë që do të punonin në mënyrë të shëndoshë profesionale dhe jo politike. Të përgatisësh zgjedhjet do të thotë të punosh në ekip. Nuk është e rëndësishme të caktohet se kush e ka fajin, rëndësi ka që të gjithë të japin një kontribut pozitiv, deklaroi Wollfarth.