Ish-të përndjekurit kërkojnë ligjin që ndan shoqërinë nga krimet e komunizmit
Shoqata Ndërkombëtare e ish-të Burgosurve Politikë dhe e Viktimave të Komunizmit mbajti në Tiranë Kongresin e saj të 17-të, si një provë se shoqëritë ish-komuniste e kanë të domosdoshme t’i shkëpusin lidhjet me diktaturën, përmes dënimit të plotë të krimeve të saj
Duhet të mbizotërojë sensi i drejtësisë historike dhe sociale, në mënyrë që Shqipëria e sotme dhe brezat që vijnë më vonë të njihen me realitetin e shkuar dhe të ndihen që kanë detyrim ndaj atyre brezave, atyre njerëzve që vuajtën, sepse liria dhe demokracia, prosperiteti që gëzojmë, i dedikohen në radhë të parë atyre njerëzve. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri Genc Pollo në hapje të Kongresit të 17-të të Shoqatës Ndërkombëtare të ish-të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, që zhvilloi dje punimet në Hotel "Tirana International". Pollo përcolli përshëndetjet e Qeverisë dhe të Kryeministrit Sali Berisha për këtë Kongres, si dhe vlerësoi faktin që një ngjarje e tillë zhvillohet në të njëjtën ditë me Samitin e NATO-s, ku Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota e kësaj Aleance. "Duke folur për përvojën shqiptare, ne kemi bërë një përpjekje politike jo të vogël, me kosto politike të caktuar, për të vendosur ligjin që e ndan shtetin dhe shoqërinë e sotme nga mëkatarët e regjimit komunist, nga ata të cilët në një masë të madhe janë përgjegjës për krimet e kryera deri në rrëzimin e tij," tha zv.kryeministri Pollo në fjalën e tij. Krahas kësaj, vazhdoi më tej z. Pollo, nuk duhet harruar detyrimi ndaj atyre që u kanë mbijetuar burgjeve, kampeve të përqendrimit, segregacionit social, dhe të afërmit e tyre, që kanë vuajtur bashkë me ta. "Një kompensim i rëndësishëm material është miratuar nga qeveria dhe parlamenti ditët e fundit, i cili do t'u krijojë një mundësi mirëqenieje viktimave të komunizmit dhe atyre që u burgosën dhe u dënuan me vdekje për përpjekjet e tyre demokratike, në pamundësi për t'u kthyer jetët normale, të cilat ata i humbën në regjimin komunist," tha z. Pollo. Ai përmendi punën e madhe të kryer nga qeveria për hartimin e listave të sakta të viktimave të komunizmit, si dhe ligjet e miratuara për dëmshpërblimin e tyre.
Kongresi i 17-të i Shoqatës Ndërkombëtare të ish-të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, me pjesëmarrjen e drejtuesve dhe përfaqësuesve të shoqatave kombëtare nga 16 vende ish-komuniste, si dhe përfaqësues politikë të këtyre vendeve. Shkëmbimi i përvojës së secilit vend për dokumentimin e krimeve të kryera në kohën e komunizmit, i rrugëve të ndjekura për realizimin e dëmshpërblimit të të përndjekurve dhe të burgosurve politikë, viktima të komunizmit, si dhe ngritja e strukturave të informimit dhe shpërndarjes së informacionit për këto krime, do të jetë dhe objekti i këtij Kongresi.