Ky është armiku
Para disa ditësh një intelektuale shqiptare pyeste pa ndrojtje modestie se cili është armiku ynë tani që jemi në NATO. U lodha ta kuptoj në cilësinë retorike të pyetjes, e u ndala ta trajtoj. Natyrisht, nuk flitet për armiq të tipit metafizik që mund të gjenden në shkretëtirën e tartarëve të Dino Buxatit ose nga ata paranojakë të tip enverist. Edhe pse që të dy sot më shumë se kurrë i shkojnë përshtat njëri tjetrit. Në shoqërinë e përditshme shqiptare armiku i përditshëm dihet kombtarisht se është injoranca. Nuk po fyej askënd, në mbrojtje më vjen si shpesh herë etimologjia ose thënë shkurt historia e fjalës, pra injoranca vjen nga latinishtja ignotus, që d.m.th pa-dije, padituri. Nganjëherë budallallëku asfiksues është një dukuri plotëson qenien njerëzore, por në Shqipëri ai i jep shumë ngjyrë njeriut. Gati sa s’e bën pis në shpirt. I ngul kthetrat në egërsinë shtazarake. I pëlcet daullet e veshit me kolazhe dreqsirash më të poshtra. Një potpuri arritëxhinjësh që të jep shënjuesin aritmik të shëndetit mendor të bashkëqytetarëve tanë.
Ndodh vetëm në Shqipëri: kur një konflikt banal për motive politike ka bërë që dy vëllezër të përfundojnë në spital dy vëllezër, njëri me brinjë të thyera, ndërsa tjetri me një sy të nxjerrë. E sidomos kur ngjarja e ndodhur dje në fshatin Babje të komunës Qendër në Librazhd. Aty Besim B. është vënë në pranga pasi goditi me kaçavidë dy vëllezërit Besnik e Agron B. Dy vëllezërit ndodhen në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore, të dy me brinjë të thyera.
Pak koment: siç shikohet ngjarja është zhvilluar në fshatin Bab-je, ku nuk ka sesi të mos krahasohet kjo ndodhi me kërkesën që bënte Haxhi Qamili politikani nëpër rrethinat e Shijakut kur bërtiste si i çmendur “Dum babën, Dum Babën”. Baba ishte Sulltani. Në fshatin e Librazhdit Bab-je, e kanë kaluar fazën e të bërtiturës dhe më pas kërcet dajaku pa xhevap e kaçavida jo për të zbut apo për të vënë ndonjë vidë, por për të hapur golla në trupin politik. Militant hesapi.
Ndodh vetëm në Shqipëri: kur ish - Presidenti komunist Ramiz Alia del e thotë pa cipë se, “nuk janë të vërteta ato që janë thënë nga goja e Berishës, por fakte të tjera e thellojnë më shumë pozicionin politik e shoqëror të një njeriu të tillë siç është Berisha. Më tej ato çka thotë Z. Berisha nuk janë të vërteta. Do t’i kthej përgjigje shumë shpejt”.
Pak koment: dialektika e këtyre fjalëve të këtij xhelati të ndërgjegjshëm po aq sa edhe është përgjegjësia e tij ndaj krimeve të komunizmit të lë një acid në gojë derisa ta pështysh në sy. Këta gjakpirës gjysmë shekullorë i bien akoma fyellit dërdëllitës, me dashje e pa dashje. Por demokracia i jep atij një të drejtë që ai dhe nomenklatura ku bënte pjesë nuk jepte, ky është paradoks.
Ndodh vetëm në Shqipëri: kur është bërë tashmë një javë që Shaqë Shatrit i është prishur qetësia. Ky 64- vjeçar thotë se është tronditur kur ka parë letërnjoftimin me të dhënat e tij të shpallura nga policia në Britani, të cilat për vite, i kishte mbajtur njëri nga ish-drejtuesit në piramidën e lartë të Shërbimit Sekret të shtetit shqiptar, Ilir Kumbaro.
Pak Koment: Shaqës i përmbyset bota kur mëson se Lir K. bënte pallë në Britani me emrin e tij. Blinte, udhëtonte e dëfrehej në Pub-et e mahnitura të Londrës me emërzimin e tij. Afërmendsh s’ka sesi xhelozia e pjekur, e bluajtur edhe nga mosha kërkon si shpagim një vizitë në night klubet e Londrës si një detyrim që shteti shqiptar i ka prek sedrën.
Ndodh vetëm në Shqipëri: kur një ditë pas arrestimit të 30-vjetarit Klodian P., komuniteti i fshatit Gradishtë në Rrethin e Lushnjës ka dënuar aktin monstruoz të mbrëmjes së 30 marsit. Babai i autorit, Spirua, shprehet se ndihet i fyer si prind dhe se do të kërkojë dënimin maksimal për djalin e tij. Nëse shteti nuk e dënon tim bir për veprën që ka kryer, atëherë do të jem unë, i ati i tij, që do të vendos drejtësi.
Pak koment: po sikur ky Spirua t’i kish dhënë një edukatë e mbështetje tjetër këtij krimineli a nuk do të kishim një krim më pak? Sepse aty lind dhuna qysh në familje e më pas ajo hapet si metastazë në shoqëri. E ku dhuna kuptohet vetvetiu natyralizohet si mbisundim kudo. Spirua është babai epifenomik i shqiptarve që zgjedh dajakun e jo përqafimin. Se kështu është burri. Hajde burrni që është të dënosh fëmijën tënd hajde, do thoshte ndokush.
Ndodh vetëm në Shqipëri: Plagos klientin me armë, arrestohet pronari. Policia e Shkodrës ka bërë arrestimin dje të 46-vjeçarit Muharrem Sh., i cili akuzohet pasi dy javë më parë, në lokalin e tij, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Kastriot M.
Pak koment: në të gjithë botën parulla kapitaliste është “klienti ka gjithmonë të drejtë”, në Shqipëri parulla është “bjeri qenit, bjeri”. Se në fund të fundit ai që pi e dehet në lokal afër qenit flen natën kur gruaja nuk i hap derën. E kur ia hap bën kërdi si me grushte e garuzhde. Pasion hesapi. Po në këtë rast fajin e ka mizosofia e kapitalizmit tonë anarkik.
Ndodh në Shqipëri: kur një konflikt për murin, vë dy persona në pranga. E kështu konfliktohen njerëzia për murin rrethues, për pasojë dy fqinjët përfundojnë në pranga. Grushte dhe të shtëna pistolete për një mur rrethues në fshatin Rrushkull të Sukthit.
Pak koment: akoma se kanë marrë vesh lajmin këta se muri i Berlinit është shembur. Them lajmin se besoj se librin “Diskurset” të Jean-Jacques Rousseau nuk e kanë lexuar, se po ta kishin lexuar do kishin mësuar se gabimi më i madh që i ka bërë njerëzimi vetvetes është kur ka rrethuar e ka vënë kufirin në një copë tokë. Po të kishin lexuar “Kështjellën” e Ismail Kadaresë do kishin mësuar se bllokada ishte një mbytje, një vetasgjësim shoqëror e historik. Qytetarët e Rrushkut më duket se presin Mesinë e tyre: Haxhi Qamilin, sidomos për nga injoranca që i karakterizon.
Ndodh vetëm në Shqipëri: kur nuk e lejojnë të martohet, ai nxehet më pas del e pret hardhitë e fshatit. Sepse nuk e lejojnë të martohet me vajzën e zemrës, pret hardhitë e fshatit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bodar të Komunës Petranë në Përmet, gjatë mesnatës të së martës. 33-vjeçari Adrian Metko është zemëruar keqas, kur nuk e kanë lejuar të lidhë jetën me një vajzë të fesë së krishterë dhe si hakmarrje ndaj të gjithëve që ai mendonte se ia kishin prishur lumturinë e tij, ka prerë hardhitë e fshatit dhe tubat e ujit që përdoreshin për vaditje.
Pak koment: kemi të bëjmë me versioni shqip të tragjedisë Romeo e Xhulieta të Uilliam Shakespeare që pa dashje kthehet në një tragjik-sëkëlldi. Ku gjithë kjo gjullurdi nis nga sëkëlldia e papërmbajtshme e një njeriu që dashuron, ose më mirë i ka hip pasioni i marrëzisë. E marrëzia që ishte karakteristika përbërëse e hyjniut grek Dionisit, i cili në mitologjinë greke u mësoi njerëzve të bënin verën nga hardhitë e rrushit. Lidhja është e dyfishtë sepse mosha 33-vjeçare të vë ndërmend edhe Jezu Krishtin që tha metaforikisht se vera është gjaku i tij. Çka s’kuptohet nga kjo psiko-analizë introspektive është prerja e tubave të uji, apo ndoshta mendonte të priste tubin e tij. Nuk e di. Por siç thoshte Niçja “in vino veritas”, duke pirë verë e duke thënë të vërtetën.
Ndodh vetëm në Shqipëri: kur në një deklaratë për shtyp, myftiu i Burrelit, Fatmir S., ndër të tjera ka thënë se: “Veshja e vajzave myslimane me shami në kokë nuk është simbol dhe indoktrinim fetar, por një obligim i besimit islam. E drejta e arsimimit dhe e lirisë së besimit, mbështetet dhe garantohet me ligj nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.
Pak koment: Myftiu Fatmir kësaj herë ndodhi “fatkeq” sepse gaboi në terminologji sepse dihet Kushtetuta e Shqipërisë nuk është e barabartë me ligjin beduin të sheriatit arabik, me gjithë respektin që kemi për beduinët. Apo jo? Kam shumë respekt për napat e nënëdajave të të gjithë Shqipërisë, por në kryet e një vajze adoleshente napa ngjan po aq e rëndësishme sa patenta një të verbëri. Feja bazohet në parime morale e jo në parime mode.
Ndodh vetëm në Shqipëri: Nënë Ferideja: Edi Rama më tha të arratisem. E burgosura 75-vjeçare shpreh zhgënjimin e madh nga kryesocialisti derebe dhe kërkon zgjidhje. "Sa herë që jam takuar me Edi Ramën, më ka dhënë një sërë afatesh për lirimin, një herë më ka thënë se do të lirohesha më 7mars, njëherë tjetër me 8 mars, pastaj në prill... Siç e shihni, unë jam ende në qeli, më e zhgënjyer se kurrë", thotë Feride Bako, e cila akuzohet për kultivim hashashi.
Pa koment: më në fund kuptuam se kush e paska blerë hashashin.