E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekurit s'marrin dëmshpërblim, s'ka fonde as ligj

Shehu: Dëmshpërblimi për të përndjekurit zvarritet nga qeveria


TIRANË - Fondi i përcaktuar në buxhetin e vitit 2009 për dëmshpërblimin financiar të ish të përndjekurve politik nuk do të mund të shpërndahet deri në fund të dhjetorit. Ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh skeptik në lidhje me përfundimin e shqyrtimit të dosjeve nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa i bëri apel qeverisë që të marrë masat për të bërë të mundur shpërndarjen sa më parë të parave për ish të përndjekurit. Sipas Shehut, nuk ka asnjë arsye logjike që të justifikojë këto vonesa, ndërsa pas shqyrtimit të dosjeve, sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që të mos lejojë shpërndarjen e parave. "Qeveria të mos zvarrisë shpërndarjen e parave për ish të përndjekurit politik. Duhen bërë borderotë, e nëse plotësohen ato nuk ka asnjë pengesë tjetër pastaj", - tha Shehu. Por, sipas tij, çështja nuk qëndron vetëm te plotësimi i borderove, por edhe te shqyrtimi i dosjeve pranë Ministrisë së Drejtësisë për çdo të përndjekur. Shehu theksoi se duhet krijuar një grup i posaçëm për shqyrtimin e tyre i përbërë nga specialistë. "Nuk ka një njësi që ta menaxhojë mirë këtë proces. Duhet të krijohet një njësi me persona të posaçëm për të shqyrtuar dosjet", - tha Shehu. Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, theksoi se në mënyrë të vazhdueshme janë hasur vështirësi në dokumentacionin e paraqitur nga të përndjekurit duke u bërë shkak për vonesa. "Që në fillim ka pasur probleme me dokumentacionin prandaj ka pasur vonesa, por unë mendoj se gjatë viteve të fundit ky proces ka pasur përmirësime", - tha Spaho. Fondi i përcaktuar në buxhetin e këtij viti për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik ka qenë 2 miliardë lekë, por deri më tani nuk është shpërndarë asnjë qindarkë. Po ashtu edhe fondi i përcaktuar për vitin 2008 nuk u shpërnda. Këto vonesa në shpërndarjen e fondeve për ish të përndjekurit, funksionarët e ministrisë së Drejtësisë e kanë përligjur me mungesat që, sipas tyre, hasen në dokumentet e ofruara nga subjektet. E. S



Ministri i Drejtësisë i përgjigjet shqetësimit të anëtarëve të komisionit, për ata që janë pushkatuar pa gjyq dhe për të internuarit



Ish të përndjekurit, Nishani: Nuk
ka fonde. Mungon baza ligjore


TIRANË - Për kompensimin financiar të ish të përndjekurve, nuk ka as fonde, por as bazë ligjore. Bëhet fjalë për familjarët e personave të ekzekutuar pa gjyq, si dhe për ata, të cilët kanë qenë të internuar, për të cilët Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, dje gjatë prezantimit të buxhetit në Komisionin e Ligjeve, nuk ka mundur të japë përgjigje konkrete. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, u shpreh dje gjatë mbledhjes së komisionit për kontaktet e vazhdueshme të deputetëve me familjarët e personave të ekzekutuar pa gjyq, për të cilët është dashur edhe një modifikim në ligjin aktual për të përndjekurit. Për këtë arsye, Rusmali ka pyetur Ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, nëse brenda këtij buxheti të vitit 2010-të, do të jetë e mundur të fillojë dëmshpërblimi edhe për këtë kategori personash. Por, përgjigja e Ministrit Nishani ka qenë krejt e pashpresë për këtë kategori. "Besoj se me t'u mbyllur nga pikëpamja procedurale, ne kemi qenë dhe mbetemi në negociata të vazhdueshme me ministrinë e Financave dhe nga ministria e Financave na është garantuar se në momentin që plotësohet pjesa e akteve të duhura nënligjore për këtë qëllim pa dyshim do të ketë dhe rialokim të buxhetit për të filluar menjëherë dëmshpërblimin e tyre", - u shpreh ai. Sipas Ministrit, mungesa e bazës ligjore është pengesa edhe për një tjetër kategori, po aq të persekutuar në kohën e regjimit komunist, atë të internuarve. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, ka qenë i interesuar, nëse për kategorinë në fjalë, do të ketë dëmshpërblim financiar vitin që vjen. "Së pari, e theksova dhe pak më parë, e rëndësishme është të dalë kuadri ligjor, se pa dalë ai nuk mund të ketë planifikime për sa i takon çështjes së buxhetit, aq më tepër që pjesa e planifikimit të buxhetit vjen nga ministria e Financës mbi kërkesat që bën ministria e linjës për një çështje konkrete", - tha Nishani. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, është pyetur dje nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, se për sa vjet do të mbyllet çështja e dëmshpërblimit e gjithë kategorisë së ish të përndjekurve dhe se kush është planifikimi i qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi. "Natyrisht që ka një plan, i cili bazohet mbi ligjin e miratuar dhe që parashikon që brenda tetë viteve të realizohet shpërndarja e të gjithë mbështetjes financiare apo kompensimit financiar për të dënuarit politikë. Aktualisht, po punohet me intensitet në Ministrinë e Drejtësisë, nga sektori përkatës. Deri tani janë mbi 3500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie. Aktualisht, është në përfundim një vendim tjetër qeverie me 500 kërkesa të tjera që kanë përfunduar të gjithë procesin e dorëzimit të kërkesave, plotësimit të dosjeve sipas kërkesave që parashikon ligji. Brenda këtij viti do të tentojmë të realizojmë 1000 mijë kërkesa të tjera dhe për sa kohë buxheti është parashikuar për këtë ecje, për këtë plan kalendar që ne e kemi shtrirë përgjatë tetë viteve absolutisht që kemi besimin e plotë", - u përgjigj Nishani. Sipas tij, çështja nuk ka të bëjë me financimin apo mosfinancimin e buxhetit, por te procedurat. Nishani theksoi se çështja është tërësisht teknike dhe lidhet thjesht me verifikimin e atyre kërkesave, që ligji kërkon të verifikohen para se të shkojë të bëhet e vlefshme në ministrinë e Financave.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›