Topi: I gatshëm të negocioj, por duhet të vendosin partitë
Topi tregohet i gatshëm të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik. Përshëndetet nga deputeti i PS-së, Pandeli Majko, dhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka. Meta i shmanget pyetjes. Asnjë koment nga PD-ja
TIRANË - Presidenti i Republikës është i gatshëm të negociojë për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Por, iniciativën për këtë lëvizje, duhet ta marrin vetë partitë politike. Pas përfundimit të homazheve të anëtarit dhe ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave, Prof.
Dr. Teki Biçoku, i cili dy ditë më parë u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare, Presidenti i Republikës është pyetur nga mediat rreth gatishmërisë së tij për të ndërhyrë në zgjidhjen e ngërçit politik, që aktualisht po kalon vendi.
"Unë atë gatishmëri që kam pasur gjithmonë, vazhdoj ta kem, por çështja qëndron gjithmonë te vullneti politik i partive politike", - tha dje Topi. Përmes kësaj deklarate, Presidenti i Republikës ka lënë qartë të kuptohet se ai do të jetë gjithnjë i gatshëm që të negociojë, porse kjo lëvizje nuk varet nga ai, por nga vullneti i partive politike.
Ndërhyrja e Presidentit të Republikës për këtë çështje do të ishte rruga më e drejtë, por kreu i shtetit nuk ka ndërmend që ta bëjë një gjë të tillë, për sa kohë që nuk ka vullnet të shprehur nga dy forcat kryesore politike në vend. Megjithatë, sinjalet e para kanë ardhur dje, por jo zyrtarisht nga partia më e madhe e opozitës.
Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, është shprehur dje në një intervistë televizive se çdo rol që Topi do të merrte përsipër për zgjidhjen e këtij ngërçi, do të ishte i mirëpritur. Edhe Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, është shprehur dje se është momenti që Presidenti i Republikës të marrë në dorë fatet e vendit, që vendi të mos zhytet në një kaos.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, nuk ka pranuar pyetje gjatë deklaratës për shtyp të dhënë dje për mediat. Edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i është shmangur pyetjes konkrete lidhur me rolin e Presidentit të Republikës, duke vijuar me qëndrimin e mbajtur ndaj opozitës se pushteti nuk mund të merret me forcë dhe me ultimatume.
Deri më tani liderët e dy forcave politike në vend i janë drejtuar njëri-tjetrit për zgjidhjen e këtij ngërçi. Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka kërkuar publikisht, por edhe përmes lëvizjeve popullore, që qeveria të pranojë hapjen e kutive të votimit, me qëllim transparencën e zgjedhjeve të Qershorit.
Kryetari i opozitës është shprehur disa herë se kjo nuk është luftë për pushtet, por betejë për dinjitet. Në anën tjetër, kryeministri Berisha, po përmes konferencave për shtyp dhe takimeve që ai ka zhvilluar, ka kundërshtuar me forcë hapjen e kutive të votimit, duke çuar vendin në një krizë pa zgjidhje.
*********************************************
Ilir Meta deklaroi se qeveria është e hapur, por ultimatumi nuk mund të pranohet
Meta: S'pranojmë ultimatume. Kutitë nuk hapen
TIRANË - Për zv.kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ultimatumi i lëshuar nga opozita nuk mund të quhet dialog. Në të njëjtën kohë, Meta i përgjigjet sërish kërkesës së opozitës se hapja e kutive të votimit është e paligjshme.
Në një dalje të posaçme për mediat, dje në ambientet e kryesisë së Kuvendit, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se e gjitha kjo është një alibi për rrëmujë në vend. "Qeveria ka qenë dhe është e hapur vazhdimisht, por ultimatumi nuk mund të quhet dialog. Ultimatumi është ultimatum, vihet data dhe më pas konsiderohet i skaduar.
Dialogu do të thotë që të shqyrtohet çdo kërkesë e ligjshme, ndërkohë që kërkesa për hapjen e kutive është e paligjshme, është antikushtetuese, dhe këta zotërinj jo se kanë hallin e kutive, sepse vetë i kanë numëruar dhe certifikuar ato, por duan një alibi për rrëmujë në këtë vend, kur qytetarët duan qetësi dhe normalitet", - u shpreh Meta.
I pyetur se nëse nuk gjenden rrugët e dialogut, a është i mundur destabilizimi i vendit, Meta u përgjigj se nuk është i mundshëm. "Jo vetëm që i hoqën të gjithë punonjësit e bashkive me dhunë dhe me lista për t'i sjellë në protestë ditën e premte nga e gjithë Shqipëria, por tani janë duke i thënë qytetarëve se meqë ju nuk erdhët në shesh me ne, ne nuk do t'ju shërbejmë juve.
Nuk mund ta kuptoj këtë gjë, sepse këta i konsiderojnë bashkitë dhe komunat si pronë private, kur ato kanë për detyrë ligjore për t'i shërbyer qytetarëve me transparencë. Kështu të gjithë këto janë forma tërësisht të papranueshme, krejtësisht të vjetra dhe anakronike", - tha Meta.