E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS gare protestash ne dhjetor

24/11/2009  Kryeministri thotë se protesta e opozitës kishte për qëllim bllokimin liberalizmit të vizave

Në dhjetor mazhoranca dhe opozita matin forcën

Qeveria do të festojë rrëzimin e komunizmit, opozita proteston për kutitë

Ergys GJENÇAJ

Kryeministri Sali Berisha pothuajse ka injoruar protestën e opozitës të zhvilluar gjatë fundjavës së kaluar. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike shefi i ekzekutivit ka folur gjatë mbi reformat e realizuara dhe ato që duhen ndërmarrë në funksion të liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në këtë mbledhje ai ka thënë se përpjekjet për të bllokuar procesin e rëndësishëm të liberalizimit të vizave përfunduan në lumin e Lanës. “Dua të siguroj qytetarët shqiptarë se të gjitha përpjekjet për ta bllokuar këtë proces përfunduan në lumin Lanë, i mori Lana”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Për të treguar forcën e mazhorancës dhe përkrahjen që ajo ka në popull, kryeministri paralajmëroi një manifestim të madh më 8 dhjetor, ditën përkujtimore të rënies së komunizmit në Shqipëri. Vetë kryeministri Berisha kujtoi lëvizjen studentore për rrëzimin e sistemit më diktatorial në të gjitha vendet e bllokut komunist në Evropën Lindore. Pikërisht me rastin e 19-vjetorit të rrëzimit të komunizmit pritet të zhvillohet një ndër manifestimet më të mëdha. Ky organizim pritet të jetë një përgjigje e mazhorancës dhe gjithë përkrahësve të saj ndaj protestave të ndërmarra nga opozita gjatë ditëve të fundit. Manifestimi i 8 dhjetorit do të ketë si qëllim jo vetëm kujtesën e rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri, por do të shërbejë edhe si reflektim për gjithçka është arritur nga kjo mazhorancë. Ky manifestim do të zhvillohet pak ditë pasi të ketë skaduar ultimatumi i vendosur dy ditë më parë nga opozita për hapjen e kutive të votimit, si dhe pak ditë pas skadimit të një ultimatumi tjetër, vendosur po ndaj qeverisë nga drejtuesit opozitarë të pushtetit vendor, të cilët kanë paralajmëruar nisjen e protestave nëse nuk plotësohen disa kërkesa që kanë të bëjnë me funksionimin e autonomisë vendore. Ditët e para të dhjetorit do të shihet një matje force mes dy kampeve politike. Opozita këmbëngul në kërkesën për rrëzimin e qeverisë, ndërsa mazhoranca përcjell lajmin e vazhdimit të reformave në interes të vendit dhe qytetarëve.

Ligji antimafie

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së kryeministri Berisha e ka vënë theksin në domosdoshmërinë e miratimit të ligjit antimafie. Ai ka thënë se ky ligj i jep mundësi çmontimit të pasurisë së krimit të vendosur nga mafia, bllokimit të saj dhe eliminimit të çdo mundësie për funksionimin e degëve të klaneve të pagoditura për vepra penale nga ligji. Berisha tha se ligji me shumë siguri do të miratohet në seancën e javës së ardhshme. Ai tha se standardi për këtë ligj është marrë nga vende me traditë ndër më të konsoliduar demokratike dhe se në përpilimin e tij ndihmë ka dhënë edhe misioni i Bashkimit Europian.

Lëvizja Socialiste për Integrim

Meta: Opozita të heqë dorë nga politika e nxitjes së tensioneve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka vlerësuar se ultimatumi i opozitës është krejtësisht jashtë çdo logjike demokratike, çdo mendësie evropiane. Për kreun e LSI-së, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, opozita duhet të reflektojë dhe të heqë dorë nga politika e dështuar e nxitjes së tensioneve, rrëmujave dhe ultimatumeve pa vlerë. “Këta zotërinj të reflektojnë dhe të kuptojnë se nuk merret pushteti me forcë, nuk merret pushteti me dhunë, nuk merret pushteti me ultimatume, sepse çështja e kutive është alibia e tyre. Kutitë i ka hapur vetë zoti Rama, i ka firmosur vetë, i ka vulosur vetë me 20 mijë komisionerë në të gjithë Shqipërinë. Kjo është vetëm një alibi për të bërë rrëmuja në Shqipëri”, - ka thënë Meta. Ai ka thënë se vendi ka nevojë për stabilitet dhe shqiptarët duan që të zgjidhen më mire problemet e tyre. “Nuk ka njeri në Shqipëri që të besojë përrallën e kryetarit të PS-së për hapjen e kutive. Kjo është një histori e mbyllur”, - tha Meta. Meta ka hedhur poshtë çdo mundësi për destabilizimin e vendit në rast se nuk gjendet gjuha e përbashkët mes palëve për zgjidhjen e këtij konflikti.

Replika e PS-së

Klosi: Meta e Patozi i mbajnë ison Berishës

“Astrit Patozi dhe Ilir Meta u vunë sot në garë kush i tregon më shumë dhëmbët popullit opozitar. Ata na kujtuan sot ministrat e piramidave, që i mbanin asokohe ison faraonit të tyre Sali Berisha edhe kur piramidat po u binin mbi kokë”, - u shpreh deputeti i PS-së Blendi Klosi. Kështu, pas deklaratave të ardhura gjatë ditës së djeshme lidhur me artikulimet e bëra nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, sa i takon qëndrimeve të mëtejshme që do të marrë kjo parti përkundrejt mazhorancës, përfaqësues të kësaj të fundit, kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, nuk kanë kursyer kritikat për lidershipin socialist. Por këtyre deklaratave u është kundërpërgjigjur deputeti socialist Klosi, i cili gjatë një prononcimi për shtyp vuri në dukje se “u kemi dhënë vetëm 10 ditë kohë për të reflektuar dhe do të jetë shumë keq për ta që ta përdorin këtë kohë për kërcënime. Lëvizja popullore për hapjen e kutive shumë shpejt do të kthehet në lëvizjen popullore për zgjedhje të parakohshme. Ata që do të mbajnë kutitë e mbyllura forcërisht, do të ikin nga pushteti demokratikisht.” Në fakt, ditët e fundit replikat mes kampeve kanë qenë gjithnjë e më prezente.

Presidenti i Republikës shprehet e gatshëm të luajë rolin e negociatorit

“Ndërhyrja në zgjidhjen e ngërçit varet nga vullneti politik”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritet të jetë negociatori për zgjidhjen e konfliktit politik mes dy forcave kryesore në vend - Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Gjatë një prononcimi për mediet ai ka shprehur gatishmërinë e tij për të ndërhyrë në zgjidhjen e ngërçit politik, por sipas kreut të shtetit shqiptar kjo varet nga vullneti i partive politike. “Së pari, nuk është koha për të dhënë një prononcim të tillë në një eveniment si ky, ku unë kam ardhur për të respektuar. Mirëpo për të respektuar edhe gazetarët dhe në të njëjtën kohë edhe medien, unë atë gatishmëri që kam pasur gjithmonë vazhdoj ta kem, por çështja qëndron gjithmonë te vullneti politik i partive politike”, - u prononcua Topi. Presidenti i Republikës u prononcua pas homazheve që bëri për nder të anëtarit dhe ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave Teki Biçoku, i cili u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare, dy ditë më parë. Pasi vendosi një kurorë me lule në shenjë nderimi dhe respekti për profesorin e shquar, Presidenti i Republikës ngushëlloi nga pranë familjarët dhe vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të profesor Biçokut për gjeofizikën shqiptare. “Profesor Teki Biçoku, një studiues dhe shkencëtar i përkushtuar i fushës së tij, por edhe profesionist aktiv e i rrallë për shumë vjet, i dha akademizmit shqiptar vlera, vepra e punime jetëgjata e tepër të çmuara sot e për brezat e rinj, që do të kontribuojnë për zhvillimin dhe ruajtjen në të ardhmen të kapaciteteve të gjeologjisë shqiptare”, - shprehu vlerësimet e tij për këtë studiues numri një i shtetit shqiptar, Topi.

Qëndrimi i PS-së

Ish-kryeministri shqiptar, njëkohësisht deputet i PS-së, Pandeli Majko e ka përshëndetur deklaratën e kreut të shtetit, megjithëse nuk ka qenë shumë optimist për një reagim pozitiv nga ana e Berishës. Në një prononcim për shtyp Majko deklaroi se “pa dyshim gatishmëria e Presidentit është më se e mirëpritur, megjithëse vjen pak vonë, pasi zhvillohet në një kohë që opozita po proteston prej kohësh. Dhe kjo opozitë, që ka dalë në protestë, i përket një spektri të gjerë politik, nga e majta deri tek e djathta”. Sipas tij, palët duhet të ulen në tryezë për të negociuar, pasi kërkesat e opozitës nuk sjellin destabilitet, por krijojnë mundësi përfundimtare që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dy ditë më parë kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, në një intervistë dhënë gjatë emisionit televiziv deklaroi se “u takon partive të marrin një vendim për të filluar dialogun”.

Kreu socialist mbledh sot grupin kuvendor për strategjinë e mëtejshme

Më 3 dhjetor në shesh për protestën e radhës

Oli Xhilaga

Ligjvënësit socialistë mblidhen sot për të diskutuar mbi strategjinë që do të ndiqet në vijim nga kampi i majtë. Pritet të jetë pikërisht data 3 dhjetor dita kur socialistët do të mblidhen sërish në shesh. Pas skadimit të afatit të vënë për kryeministrin Berisha lidhur me kërkesën për hapjen e kutive, kjo parti duket të ketë gati projektin mbi të cilin do të bazojë aksionin e ri politik. Gjatë mbledhjes së sotme pritet që të dëgjohen të gjitha alternativat, përmes të cilave socialistë mendojnë që ta shtrijnë kundërvënien e tyre, e cila tashmë më shumë se një kërkesë për hapjen e kutive të votimit do të përqendrohet te largimi i kësaj mazhorance dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Për këtë arsye në diskutimet që do të zhvillohen sot pritet që të vijnë propozime të ndryshme, duke përfshirë dhe ato më radikalet. Nga ana tjetër, përveç propozimeve për mënyrën se si opozita do të vijojë më tej aksionin e saj, i cili tashmë pritet të vijë në një formë të re, nuk përjashtohen dhe zërat kundër një rrugë të tillë, zëra që sikundër dihet përbëjnë linjën kundërshtarë brenda radhëve të Partisë Socialiste. Kësisoj, deputetët pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS pritet që jo vetëm të jenë pjesë e këtij takimi, por dhe të japin mendimin e tyre kundër pozicionit të ri që po merr kampi rozë ndaj institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Megjithatë, tashmë është e paravendosur që selia rozë të vijojë më tej me oponencën e saj, pavarësisht se ky grup deputetësh është kundër bojkotit, për më tepër që së fundi është kundër mënyrës se si kupola rozë ka zgjedhur të kërkojë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të qershorit të këtij viti. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se mbledhja e radhës e ligjvënësve socialistë fillimisht ndalet te falënderimet për të gjithë deputetët që dhanë kontributin e tyre për mbarëvajtjen dhe realizimin brenda kuadrit të të gjitha detyrimeve që përmbante në vetvete protesta triditore e Partisë Socialiste, e mbështetur nga aleatët e saj të majtë e të djathtë. Por ndërkohë propozimi i parë i ardhur nga lidershipi socialist do të jetë pikërisht data kur do të organizohet protesta e radhës pas përfundimit të ultimatumit të vënë për mazhorancën dhe kreun e saj. Mësohet se do të jetë data 3 dhjetor kur do të zhvillohet kjo protestë, por kjo mbetet për tu diskutuar gjatë kësaj mbledhjeje, së bashku më mënyrën se si do të konceptohet i gjithë organizimi i saj, nisur nga vetë deklarimet e ardhura nga selia rozë, sipas të cilave protesta do të ketë një formë të re.

Vendimi

Mbledhja e sotme e grupit parlamentar të Partisë Socialiste do të diskutojë mbi strategjinë që kjo parti do të ndjekë në vijim. Pritet që protesta e radhës të organizohet më 3 dhjetor. Megjithatë, në mënyrë të detajuar vendos mbledhja e sotme.

Pjesëmarrja

Deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS pritet të jenë sot pjesë e mbledhjes së grupit kuvendor të kësaj partie, e thirrur nga lidershpi socialist. Mësohet se edhe në këtë mbledhje këta deputetë të jenë kundër linjës zyrtare në parti.

Paralajmërimi i PS-së

Rama: Do të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme

“Zgjedhjet e parakohshme do ti provokojmë me forcën e së vërtetës dhe pasionin politik të një populli të tërë për të mbrojtur të drejtat”, - ky ishte mesazhi i lëshuar dje nga kreu i PS-së Edi Rama për qëndrimin që do të ndjekë më tej Partia Socialiste lidhur me pozicionin e saj kundrejt institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, ajo që duhet të kuptohet nga të gjithë është se lëvizja e re popullore për lirinë e votës, për drejtësinë e zgjedhjeve, për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha që prodhojnë zgjedhjet e deformuara tërësisht nëpërmjet trysnisë së shtetit është një lëvizje që nuk do të ndalet dhe vala e protestave qytetare do të përhapet në të gjithë Shqipërinë. “Do të përfshijë të gjithë: qytetarë, grupe shoqërore, parti politike, komunitete kudo ku janë, në funksion të rikthimit të legjitimitetit të Parlamentit dhe qeverisë në Shqipëri. Në rast se nga ana tjetër në këto 10 ditë nuk do të ketë asnjë reflektim dhe në rast se hapja e kutive do të vazhdojë të shihet si një ogur i zi, pa asnjë dyshim moshapja e tyre do të jetë ogurzezë për fatin e këtyre institucioneve të marra peng nga ata që duan të vazhdojnë regjimin e uzurpimit mbi kurrizin e shqiptarëve, pavarësisht nga varfërimi i përditshëm i qytetarëve dhe i familjeve të këtij vendi, pavarësisht nga rëndimi i përditshëm i krizës së demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vet ekonomisë”, - vuri në dukje Rama gjatë një komunikimi me mediet. Në gjykimin e kryetarit të socialistëve, afati 10-ditor është fundi i një kapitulli, i një aksioni opozitar dhe fillimi i një kapitulli të ri.

Reagimi i PD-së

Patozi: Ultimatumi është përpjekje për përmbysje të demokracisë

Partia Demokratike ka vlerësuar ultimatumin e lëshuar nga kryetari i Partisë Socialiste Eid Rama si një përpjekje për të cenuar themelet e sistemit demokratik në vend. Nënkryetari i PD-së, njëherësh kryetar i grupit parlamentar Astrit Patozi, ka bërë të qartë se nuk do të pranojë për asnjë rast ultimatumin e Ramës për hapjen e kutive. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike e denoncon ultimatumin e zotit Rama, me të cilin ai po kërkon të përmbysë themelet e sistemit demokratik, duke e konsideruar atë një akt sa qesharak aq edhe domethënës. Grupi parlamentar i PD-së e fton zotin Rama që këtë ultimatum tia nisë Enverit, Spiros apo Kiços, si familja e tij historike dhe biologjike”, - ka thënë Patozi. Për zyrtarin e lartë demokrat lideri i opozitës po firmos fundin e tij politik. “Ne i themi kryetarit të Partisë Socialiste se me dhunë dhe me ultimatume ke vetëm një rrugë: të firmosësh fundin e turpshëm dhe të pashmangshëm politik”, - deklaroi numri një i grupit parlamentar demokrat. Deklarata e djeshme e kreut të deputetëve të PD-së vjen pas qëndrimeve të shpeshta të deputetëve të mazhorancës, të cilët e kanë cilësuar protestën e opozitës si një lëvizje kundër liberalizimit të vizave dhe procesin integrues të vendit. Sipas tyre, kryesocialisti Rama dhe lidershipi i opozitës janë angazhuar në një fushatë intensive kundër heqjes së vizave dhe se organizimi i protestave bie në kundërshtim me shpresat dhe ëndrrat e çdo qytetari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›