E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishin bllokuar prej më shumë se 16 orësh 800 metra nën tokë, 18 minatorët dalin nga miniera e Trepçës, priten me duartrokitje

Pas më shumë se 16 orësh të bllokuar në thellësitë e minierës së Trepça, 18 minatorët kanë arritur të dalin të sigurt nga zgafella, ku kishin mbetur të ngujuar për shkak të një defekti të rëndë teknik.

Lajmi u konfirmua nga anëtari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, i cili bëri të ditur se rikthimi i përkohshëm i energjisë elektrike bëri të mundur nxjerrjen e minatorëve nga rreth 800 metra nën tokë.

“Dolën 18 minatorët, e ndreqën rrymën përkohësisht, veç sa dolën…”, deklaroi shkurt Osmani.

Minatorët kishin mbetur të izoluar në zgafellë që nga momenti i ndërprerjes së energjisë, ndërsa ekipet teknike dhe drejtuesit e minierës punuan për orë të tëra për të stabilizuar situatën dhe për të rikthyer funksionimin e sistemit elektrik.

Ngjarja shkaktoi shqetësim të madh te familjarët dhe kolegët e minatorëve, ndërsa autoritetet dhe përfaqësuesit sindikalë ndoqën nga afër operacionin e shpëtimit.

Sipas informacioneve paraprake, minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa pritet që të kryhen verifikime të mëtejshme për shkaqet e defektit teknik që çoi në bllokimin e tyre në minierë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›