Sulmi ndaj Albert Xhanit, njëri prej agresorëve në kërkim
Policia e Tiranës ka arrestuar Erald Vatën dhe ka shpallur në kërkim një të ri, si përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj presidentit të “Partizanit”
Tiranë Policia e kryeqytetit ka shpallur në kërkim një të dyshuar si autor të sulmit ndaj presidentit të ekipit të Partizanit, Albert Xhani, i cili mbeti i plagosur. Policia ka mundur të ndalojë njërin prej agresorëve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Sipas kallëzimit penal që Xhani ka paraqitur në polici, pasi ka marrë ndihmën mjekësore, rezulton se personi i dytë që ka ushtruar dhunë është me banim në qytetin e Fushë-Krujës. Presidenti i Partizanit ka deklaruar se di vetëm emrin e agresorit dhe vendbanimin, duke përshkruar edhe karakteristikat fizike të tij. Ndërkohë që një prej të dyshuarve ndodhet në ambientet e paraburgimit në policinë e kryeqytetit, në pritje të masës së sigurisë që gjykata do të caktojë ndaj tij. Sipas policisë, i arrestuari është 18-vjeçari Erald Vata, me banim në kryeqytet. Nga hetimet paraprake, çështja është klasifikuar goditje për shkak të detyrës, ndërsa dje policia ka referuar në prokurori dosjen penale për ngjarjen ku mbeti i dëmtuar Albert Xhani. Sipas policisë, presidenti i ekipit të Partizanit u sulmua nga një grup tifozësh të kësaj skuadre, të cilët kanë pritur para zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit përfundimin e takimit mes presidentëve të klubeve dhe zyrtarëve të federatës. Sapo kanë parë Xhanin në shkallët e pallatit ku ndodhet Federata, një grup tifozësh fillimisht kanë fyer dhe sharë presidentin e Partizanit dhe më pas e kanë sulmuar atë me sende të forta dhe grushte. Si pasojë e sulmit, Albert Xhani ka marrë disa plagë të rënda në fytyrë dhe trup, ndërsa është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. I arrestuari Vata, sipas policisë, pritet të përballet në gjykatë me akuzën e goditjes për shkak të detyrës, ndërsa në kërkim është shpallur edhe një tjetër person që dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin fizik ndaj Xhanit. Prej kohësh ekipi i futbollit të Partizanit po kalon disa vështirësi për të cilat tifozët e kuq bëjnë përgjegjës presidentin e këtij klubi, Albert Xhani. L.Bakillari