E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Vendimi për naftën D2, rrezik integrimi në BE

Deputeti socialist Kastriot Islami shprehu dje sërish shqetësim për vendimin e qeverisë për trajtimin sipas tij në mënyrë të disbalancuar të prodhimit dhe importimit të naftës D2. Socialistët këmbëngulin se nuk dëshirojnë t‘i japin një dimension politik kësaj çështjeje, por kanë kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje që nuk dëmton as industrinë e naftës, por as dhe importuesit. "Një zgjidhje që merr parasysh edhe çështjet e mjedisit, por edhe respektimin e parimeve të barazisë e të liberalizimit në tregun të karburanteve", u shpreh Islami. Sipas tij, kërkohet gjithashtu një zgjidhje që respekton parimet e OBT-së dhe që nuk dëmton ecurinë e ratifikimit të MSA-së. Partia Socialiste vlerëson se kjo masë e qeverisë prek rëndë ecurinë e një prej proceseve madhore, ku të gjithë shqiptarët janë të interesuar, për çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE. "Masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare potencialisht bien në kundërshtim me nenin 19 të MSA-së", konstatoi Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›