E Diel, 1 Nëntor 2026

Islamistët po bëjnë kushtetutë të re në Egjipt

Anëtarët e komisionit përgjegjës për shkrimin e kushtetutës së re egjiptiane kanë zgjedhur si kryesues, Saad al-Katatni, një prej liderëve të Vëllazërisë Myslimane, që aktualisht është kryetar i parlamentit të vendit.

Vendimi është sjellën ditë pasi që nga komisioni u tërhoqën përfaqësuesit e partive sekulariste, të cilët pohojnë se partitë islamiste, që janë shumicë në parlament, dëshirojnë të përpilojnë një dokument që do t’iu shërbejë synimeve të tyre.

Gjatë kësaj jave, kur edhe u formua komisioni 100-anëtarësh, nga ky trup janë tërhequr afro 10 personalitete politike, ndërkohë që gjykata administrative në Kajro pritet që deri më 10 prill të deklarohet për validitetin e këtij organi. Të tërhequrit mendojnë se gratë, të rinjtë dhe të krishterët nuk janë të përfaqësuar sa duhet në komision.

Partitë sekulariste dyshojnë e islamistët do të kenë fjalën kryesore gjatë përpilimit të kushtetutës së re, meqë në komision kanë 60 përfaqësues, gjë që iu mundëson formulimin e kushtetutës në pajtim me qëllimet e tyre politike dhe fetare – siç është, për shembull, forcimi i ligjit të sheriatit.

Katatni u zgjodh menjëherë pasi që Gjykata Supreme e Egjiptit njoftoi se nga komisioni po tërhiqte përfaqësuesin e saj, Ali Awad Saleh, duke vënë kështu në pikëpyetje legjitimitetin e tij.

Megjithatë, islamistët mendojnë se komisioni, anëtarët e të cilit janë zgjedhur nga deputetët, duhet të pasqyrojë qëndrimet parlamentit, dy të tretat e ulëseve të të cilit mbahen nga islamistët. Kushtetuta që vlente në kohën e Hosni Mubarak ishte pezulluar menjëherë pas rrëzimit të tij, në shkurt të vitit 2011.

Mes tjerash, kushtetuta e re do të përcaktojë të drejtat e pakicave dhe balancin e pushteteve të presidentit - i cili më parë ishte edhe lider suprem, dhe të parlamentit.

Pas përpilimit të projekt-propozimit, aprovimi i tekstit do të propozohet me referendumin që pritet të mbahet para zgjedhjeve presidenciale, që mbahen më 23 dh 24 maj. Ushtria egjiptiane, e cila mban pushtetin që nga rrëzimi i Mubarakut, ka premtuar se do t’ia kthejë gjithë pushtetin civilëve menjëherë pas zgjedhjes së presidentit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›