E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islanda, anëtarësim i shpejtë në BE

BRUKSEL- "Islandës, që ka aplikuar për t'iu bashkuar bllokut të 27 vendeve, nuk do t'i jepet një anëtarësim i shpejtë në Bashkimin Evropian", deklaroi sot ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, i cili kujtoi se qeveritë e BE-së nuk duhet të harrojnë vendet që kanë aplikuar duke përmendur Shqipërinë dhe Serbinë.
"Ndërkohë që pritej për anëtarësimin e Islandës, qeveritë e BE-së nuk duhej të harronin vendet kandidate nga Ballkani si Shqipëria dhe Serbia"- tha ai për gazetarët përpara takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Sipas Bildt nuk ekziston një rrugë e shpejtë për Islandën, por një rrugë më e shkurtër pasi ajo është tashmë pjesë e tregut unik dhe e zonës Schengen.
Islanda aplikoi për anëtarësim në BE pasi u godit rëndë nga një krizë ekonomike. Zyrtarë të Komisionit Evropian thanë se ishte e paqartë sesa kohë do të merrte për ekzekutivin për t'i dhënë akses Islandës, por diplomatët thonë se koha më e shpejtë do të jetë 14 muaj.
Analistë të ndryshëm si edhe disa politikanë thonë se progresi i shpejtë i Islandës mund të krijojë zhgënjim në Ballkan.
"Ne kemi nevojë për një moment më të mirë në Ballkan. Ne duhet ta ruajmë momentin për integrimin evropian'', theksoi Bildt.
"Nuk mendoj se zhgënjimi i mundshëm që mund të lindë në Ballkan ka të bëjë me Islandën. Ai ka të bëjë vetëm me kushtet që ne kemi vënë. Janë këto që më shqetësojnë'', shtoi ai.
Pritet që ministrat të përsëritin perspektivën e anëtarësimit të vendeve ballkanike dhe të theksojnë se do të presin për aplikimin e Shqipërisë deri në përfundimin e procedurave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të zhvilluara atje. (Reuters)



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›