E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islanda i thotë jo pagesës së borxheve

Votimi Rreth 93 për qind e islandezëve kanë hedhur poshtë ligjin për t’i kthyer paratë Britanisë dhe Holandës

Islanda i ka thënë jo në mënyrë absolute ligjit që parashikonte rimbursimin e thuajse katër miliardë eurove borxhe ndaj Britanisë së Madhe dhe Holandës, si pasojë e falimentimit të një banke islandeze. Mediat njoftojnë se në referendum rreth 93 për qind e qytetarëve kanë votuar kundër ligjit për dëmshpërblim të miratuar prej Parlamentit në vitin 2009. Kjo votë shërbeu për të dhënë një tjetër mesazh: ajo shërbeu për të treguar zemërimin e njerëzve, për mënyrën me të cilët bankierët, spekulatorët dhe një kapitalizëm pa rregulla rrezikoi dhe gjunjëzoi një vend të tërë. Referendumi kërkonte prononcimin e njerëzve mbi një plan, të aprovuar nga qeveria e Islandës për t’u kthyer qeverive të Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës një shumë prej 3.9 miliardë eurosh. Kjo shumë ishte e barasvlefshme me kursimet e qindra mijërave qytetarëve britanikë dhe holandezë që kishin depozituar paratë e tyre në bankat më të mëdha islandeze që falimentuan brenda pak ditësh në vitin 2008, në kulmin e krizës ekonomike globale. Qeveritë britanike dhe holandeze kishin kërkuar kthimin e parave nga Islanda për qytetarët e tyre. Sipas rezultateve, plot 93 për qind e pjesëmarrësve në votime i thanë jo propozimit për të rikthyer borxhin dhe vetëm 1.7 për qind e tyre kanë votuar pro. “Nuk është një surprizë”, ishte komenti i Kryeministres Johanna Sigurdartottir, duke theksuar se referendumi ka shërbyer për të shtyrë Britaninë e Madhe dhe Holandën për t’i bërë një ofertë më të mirë Islandës dhe se negociatat vazhdojnë. I të njëjtit mendim me të është edhe ministri britanik i Thesarit, Alistair Darling: "çështja kryesore për ne është që të na kthehen paratë, ndërsa kushtet për t’i rimarrë janë të negociueshme, mbi këtë pikë jemi fleksibël. Nuk është në interesin tonë të vëmë Islandën në vështirësi. Ne duam që ajo të jetë pjesë e procesit të integrimit europian. Nuk mund t’i kërkojmë një vendi të vogël si Islanda, që ka vetëm 320 mijë banorë, të paguajë menjëherë gjithë borxhet e saj, për këtë jemi të arsyetueshëm”. Një nga kushtet e kësaj marrëveshjeje ishte se për të shlyer të gjithë borxhin si pasojë e falimentimit të bankave, një qytetar islandez do paguante 135 dollarë në muaj për tetë vjet rresht, d.m.th. rreth 12 mijë për kokë. Islanda është një nga vendet më të prekura nga kriza ekonomike. Në mesin e saj banka si “Icesave” dhe “Landsbanki” falimentuan sa hap e mbyll sytë. Ato ofronin përqindje shumë të larta interesi. Nëse do të votonin të kundërtën atëherë vendi do ta kishte shumë të vështirë të dilte nga recesioni i thellë ku është zhytur. Islanda është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Pritet të shihet nëse Britania e Madhe dhe Holanda do të bllokojnë planet e Rejkjavikut për anëtarësim pas këtij vendimi të qytetarëve vendas.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›