E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm për kishat e Voskopojës, po shemben kambanoret

Dy nga kishat më të rëndësishme të Voskopojës, ajo e Shën Kollit dhe Shën Mërisë kërcënohen nga shkatërrimi. Kambanoret janë dëmtuar, kanë plasaritje, gurët e tyre janë rrëzuar dhe po shkojnë drejt rrënimit të plotë

Dy nga kishat më të rëndësishme të Voskopojës kërcënohen nga shembja. Kisha e Shën Kollit dhe kisha e Shën Mërisë kanë probleme serioze në kambanoret e tyre. Të çarat në gjatësinë e murit, gurët që shkëputen dhe strukturat e lëvizura, kanë bërë specialistët të japin alarmin. Një grup specialistësh, pas një verifikimi në terren të kishave të Voskopojës, kanë konstatuar se më të rrezikuarat nga amortizimet dhe çarjet e shumta janë dy kishat. “Kambaneria e Kishës së Shën Kollit ka rrezikshmëri shembjeje. Në të ka një çarje vertikale të shkaktuar nga lëvizjet tektonike në vite dhe agjentët atmosferikë. Kambanorja është totalisht e amortizuar. Kjo kambanore është e lartë 12.45 metra. Aty është bërë një projekt, por ndërhyrja ka qenë e pjesshme dhe jo shumë efikase për shkak të teknikës së përdorur. Për këtë kishë pas konstatimit të gjendjes aktuale të rënduar që rrezikon shembjen do të bëhet gati një tjetër projekt, që do të parashikohet me një tjetër teknikë për shtrëngimin e brezave ndërkatorë në mbarim të harqeve”, thotë drejtori i degës së monumenteve të kulturës, Artan Buzo. Ndërsa për kishën e Shën Kollit projekti është më urgjent për të kryer ndërhyrjet me unaza metalike shtrënguese dhe për të mbyllur çarjet, të njëjtin fat duket se ka edhe kisha e Shën Mërisë. “Kisha e Shën Mërisë është e dëmtuar në kambanore. Kjo ka pësuar plasaritje anësore dhe i kanë rënë gurët. Edhe rrethimi i saj është i rrënuar”, deklaron Buzo. Për të dyja kishat po bëhen gati projektet për ndërhyrjet restauruese. Një projekt për kishën e Shën Mërisë për restaurimin e saj dhe për rrethimin dhe një tjetër për kishën e Shënkollit. Një pjesë e kishës së Shën Mërisë, ajo e Narteksit duhet ndërtuar. Shkatërrimi ka prekur edhe muret. Muri verior është i lagur nga ujërat nëntokësore. Narteksi është i prishur dhe duhen kryer punime në hajat dhe në pikturat e dëmtuara nga lagështira. Ndërkohë, në kishën e Shën Kollit muri rrethues është i dëmtuar. Aty janë hequr në vite gurët nga banorët e zonës dhe një pjesë e kishës gjendet pa rrethim, ndërsa shtresat e oborrit janë të dëmtuara.

Dëmtimet

Rreziku që sot u kanoset kishave të Voskopojës është pasojë e një sërë faktorësh. Datimi i disa shekujve më parë, dëmtimet që kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore nga djegia dhe shkatërrimi, nga lufta kundër besimeve fetare, nga keqpërdorimi nga ushtria dhe kooperativat, nga shembjet dhe shkatërrimi i pikturave murale, nga vjedhja e gurëve dhe objekteve me vlerë në brendësi të tyre etj. Bashkë me këto peripeci që kanë kaluar kishat e Voskopojës janë zhdukur edhe një pjesë e madhe e pikturave murale, e pjesëve të ndërtimeve, çative, gurët etj.
çatia e kishës së Shën Kollit është djegur nga nazistët në vitin 1944, kur në të ishin fshehur dy persona që kërkoheshin prej tyre. Për shumë vite kisha ka qëndruar pa çati dhe kjo ka sjellë një dëmtim të madh të pikturave në pjesën e sipërme të sistemit të mbulesave. Pikturat murale në këtë pjesë e kanë humbur ngjyrën dhe në disa të tjera janë shkatërruar. çatia u rindërtua shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore që preku jo vetëm këtë kishë, por edhe shumë të tjera. Por ndërtimi i saj nuk ishte cilësor. Konstruksioni prej druri u rindërtua në vitin 2000, ndërkohë që në vitin 2007 iu shtua edhe një shtesë hidroizoluese dhe mbulimi i çatisë me plloça të mëdha. Por edhe sot në vitin 2010 dëmtimet në këtë objekt janë të dukshme. Kambaneria e ndërtuar në vitin 1936 rrezikon shembjen, ndërkohë që mungojnë edhe gurët. Izolimi i mjedisit të brendshëm të monumentit është një tjetër aspekt që duhet vlerësuar, ndërsa për shkak të agjentëve atmosferikë dëmtimet kanë prekur edhe pikturat. E njëjta gjë ndodh edhe me kishën e Shën Mërisë ku me një fond prej 500 mijë lekësh pritet të kryhen ndërhyrje në pikturat murale që janë prekur nga lagështira. “Projektet parashikojnë edhe ndërhyrjet në pikturat murale, të cilat janë të dëmtuara nga lagështira. Një fond për ndërhyrjen në kishën e Shën Mërisë ka mbërritur dhe pritet që specialistët restaurues të nisin punimet në këto piktura”, tregon Artan Buzo. Por ndonëse gjatë këtyre 20 viteve në Voskopojë është folur tek-tuk për projekte restauruese, ritmet e dëmtimeve kanë qenë më të mëdha. Kishat e Voskopojës, veç të tjerash kanë vuajtur edhe mungesën e një kujdesje fillestare: atë të mbrojtjes nga faktoi njeri. Ligji i trashëgimisë me mungesat e tij, ka bërë që këto kisha në pjesën më të madhe të kohës të lihen në mëshirë të fatit, pa roje që të mund të garantojnë të paktën ruajtjen fizike. çarjet, dëmtimet shpesh të pakthyeshme në pikturat murale, lehtësisht të dallueshme edhe me sy të lirë, nuk kanë kursyer as kishën e Shën Mërisë. Faktori kohë ka bërë të vetën. Narteksi është shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa arkada ka rënë nga tërmeti i vitit 1960. Përreth kishës gjenden rrënoja të kishave dhe ndërtimeve të tjera. Pllakat e gurit që mbulojnë çatinë lejojnë penetrimin e ujërave të shiut, të cilat rrjedhin më pas në qemerët dhe kupolat, duke dëmtuar pikturat nën to. Dyshemeja e gurtë infiltron ujë nëntokësor gjë që shkakton ngritjen dhe praninë e lagështirës në ajër. Projektet restauruese për të cilat flitet, pritet të stabilizojnë gjendjen alarmante, por jo t’u japin fund problemeve. Të ndodhura në një zonë turistike, këto kisha janë një tërheqje e pashmangshme për vizitorët që kërkojnë në to gjurmë të historisë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›