Islandë, dorëhiqet qeveria, shkak kriza ekonomike
Qeveria e Islandës ka dhënë dorëheqjen pas përshkallëzimit të krizës ekonomike në vend. Kryeministri Geir Hard ka lajmëruar dorëheqjen e menjëhershme, pas bisedimeve me koalicionin e tij. Ndërkohë që të dielën kishte dhënë dorëheqjen ministri i Tregtise Bjorgvin Sigurdson. Sistemi financiar në Islandë u shkatërrua në muajin tetor, pas disa vitesh rritjeje të shpejtë ekonomike. Tregjet financiare në Islandë kanë rënë shumë këto muajt e fundit, teksa norma e papunësisë është rritur së tepërmi. Sipas parashikimeve, gjatë vitit 2009 Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit do të ulet me 9.6 përqind. "Më vjen shumë keq që nuk mund të vazhdojmë qeverisjen me këtë koalicion. Mendoj se mund të kishim arritur rezultate shumë të mira", deklaroi kryeministri islandez Hard. Koalicioni qeveritar mes Partisë së Pavarësisë së Kryeministrit Hard dhe Aleancës Social - Demokrate të ministrit të Jashtëm Inxhibjorg Gisladotir ka qënë nën presion gjatë gjithë këtyre tre muajve të fundit. Hard është shprehur se do të fliste me Presidentin e vendit për të formalizuar shpërbërjen e qeverisë. Javën e kaluar, kryeministri islandez kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në vend, në të cilat ai nuk do të marrë pjesë për arsye shëndetësore. Tashmë pritet që Partia Aleanca Social - Demokrate të shikojë për një koalcion të ri deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.