Islandezët i thonë “Jo” BE-së, referendumi rrëzon rifillimin e negociatave pas më shumë se një dekade

Votuesit në Islandë kanë refuzuar propozimin për të rihapur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, duke i dhënë fund përpjekjeve për integrim pas më shumë se një dekade nga pezullimi i negociatave të mëparshme.
Sipas rezultateve përfundimtare të transmetuesit publik RÚV, fushata e kundërshtarëve të anëtarësimit fitoi me 52.8% të votave, kundrejt 47.2% që votuan pro. Kryeqyteti Rejkjavik ishte e vetmja zonë ku shumica e popullsisë mbështeti rifillimin e negociatave, ndërsa pjesa tjetër e vendit votoi masivisht kundër. Procesi zgjedhor shënoi një pjesëmarrje të lartë prej më shumë se 82% nga 270,000 votues me të drejtë vote. Fushata referendumit vuri përballë dy vizione fundamentale për të ardhmen e kombi-ishullit prej 400,000 banorësh.
Pse fitoi “JO”-ja
Industria me ndikim e peshkimit udhëhoqi rezistencën nga frika se Politika e Përbashkët e Peshkimit e BE-së do të hapte ujërat islandeze për anijet e vendeve anëtare (si Spanja apo Holanda). Për islandezët, kontrolli mbi detin lidhet me identitetin kombëtar dhe historinë e tyre të “Luftërave të Merlucit” me Britaninë e Madhe në vitet 1970. Gjithashtu, skeptikët argumentuan se Islanda gëzon tashmë avantazhet e tregut të vetëm të BE-së dhe zonës Schengen (përmes EEE-së), pa pasur nevojë të dorëzojë sovranitetin politik.
Qëndrimi i kampit “PRO”
Mbështetësit, të udhëhequr nga Kryeministrja e koalicionit të majtë, Kristrún Frostadóttir, argumentuan se përdorimi i monedhës Euro do të sillte stabilitet financuar kundrejt luhatjeve të kronës islandeze, ulje të inflacionit dhe mbrojtje më të fortë gjeopolitike. Votimi u mbajt gjithashtu në hijen e deklaratave të përsëritura të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me Groenlandën fqinje, çka nxiti kërkesën për solidaritet me bllokun evropian.
Reagimet e Rejkjavikut dhe Brukselit
Pas shpalljes së rezultateve, Kryeministrja Kristrún Frostadóttir u shpreh se shpreson që ky votim të mos e ndajë shoqërinë islandeze, duke vlerësuar se qytetarët e pranuan rezultatin me maturi.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se ekzekutivi i BE-së “merr parasysh rezultatin e referendumit dhe respekton plotësisht zgjedhjen e popullit islandez”, duke nëvizuar se Islanda do të mbetet një partnere strategjike dhe e afërt e bllokut.
/rtsh.al/