E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e tragetit në Qipron Veriore, arrestohen kapiteni dhe tetë anëtarë të ekuipazhit me akuzën për neglizhencë

Autoritetet në Qipron Veriore kanë arrestuar kapitenin dhe tetë pjesëtarë të ekuipazhit të tragetit që u fundos tragjikisht në brigjet e ishullit, ngjarje që i kushtoi jetën të paktën shtatë personave.

Sipas agjencisë ANSA, e cila i referohet raportimeve të Cyprus Mail, arrestimet u konfirmuan nga kryeministri i Republikës së vetëshpallur Turke të Qipros, Ünal Üstel. Personat e ndaluar po ballafaqohen me dyshimet për “neglizhencë të mundshme” që çuan në mbytjen e shpejtë të mjetit lundrues vetëm pak minuta pas nisjes nga porti i Kyrenias (Girne).

“Çdo aspekt i këtij incidenti do të hetohet me rigorozitet,” u shpreh Üstel, duke paralajmëruar zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive penale pas dëshmive të të mbijetuarve se ekuipazhi nuk kishte dëgjuar thirrjet për t’u kthyer mbrapsht sapo anija filloi të mbushej me ujë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›