E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare; Shqiptarët sulmohen tek ideja e lirisë



ǒmendoj për Kosovën sot, shqiptarët dhe lirinë

Shkrimtari Ismail Kadare bën definicionin politik të prerë për çfarë ndodh sot në rajon se: “Pavarësia e Kosovës është akti më ekuilibrues, më drejtpeshues në Ballkan”.

Kur mori çmimin letrar në Spanjë, “Princi i Asturias” një nga pyetjet më të vazhdueshme dhe delikate për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare ka qenë: Nëse tregon ky çmim një ndryshim të politikës spanjolle lidhur me Kosovën. Se cila ka qenë përgjigje dhe si e ka përjetuar Kadare këtë çështje delikate në mbretërinë që po e nderonte, ekskluzivisht rrëfehet në një nga televizionet e Kosovës, RTK, në intervistën e mëposhtme me drejtorin e informacionit, Smajl Smaka.

Në këtë rrëfim na vjen për herë të parë gjithë mendimi i shkrimtarit mbi çështje të lakuara nga më delikatet që kanë të bëjnë jo vetëm me debatin e gjerë të identitetit shqiptar, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por dhe me nacionalizmin apo fenë si një shenjë që devijon debat për shqiptarët, të cilët sot “sulmohen tek ideja e lirisë”.

Smajl Smaka: Zoti Kadare, cili është raporti juaj fizik e krijues me Kosovën, me temën e Kosovës, që nga imazhi i parë, kur e keni parë nga avioni dhe kur i keni kushtuar vjershën e parë, më duket në vitin 1966 e deri sot?

Ismail Kadare: Pikërisht hera e parë ‘66-a ka qenë. Kam përfytyruar një udhëtim mbi Kosovën, në fakt jam kthyer por nuk kam qenë i sigurt në ishte Kosova apo Mali i Zi. E kam menduar që është Kosova, kalonte linja e avionit, se disa më kanë thënë se s’kalonte andej. S’ka rëndësi kjo. Ideja ishte e rëndësishme që unë për herë të parë më dukej se po e shihja poshtë avionit Kosovën. Në atë kohë emri i Kosovës nuk përdorej, nuk ishte familjar në Shqipëri, ishte i rrallë, ka mbetur sipas një inercie, inercie të vjetër ose i një keqkuptimi të madh. Është një histori e gjatë kjo, si të thuhet, por Kosova përmendej tepër rrallë. Nuk ndalohej sigurisht, por nuk ishte familjare...

Smajl Smaka: Jeni fitues i çmimit më të lartë letrar në Spanjë, një çmim prestigjioz. Si e ndjeni veten si fitues i këtij çmimi nga një vend i cili ende heziton ta pranojë Kosovën të pavarur?

Ismail Kadare: Kjo që thoni ju, është thelbi i diçkaje që më ka ndodhur pothuaj se me të gjithë gazetarët spanjollë, që kam qenë i detyruar t’u jap intervista, sepse hynte në programin e çmimit, sigurisht. Dhe, pyetja e parë ose e dytë ishte pikërisht kjo: - si unë shkrimtar shqiptar, i angazhuar në punën e Kosovës sidomos, veç jam shqiptar por edhe i angazhuar sepse në Spanjë janë botuar gjithçka që unë kam shkruar për Kosovën. Domethënë, duke filluar nga librat artistike deri te libri “Ditari për Kosovën” - “Ra ky mort e u pamë” dhe janë vepra shumë të recensionuara në shtyp, shumë të njohura. Prandaj, më kanë bërë këtë pyetje. Dhe a tregon kjo, më kanë thënë, një ndryshim të politikës spanjolle lidhur me Kosovën. Dhe, kjo ka qenë pyetja më delikate. Sigurisht se përgjigjja ime ka qenë që unë nuk jam në mendjen e drejtuesve të Spanjës. Më pëlqen ta mendoj se mundet të jetë një shenjë e kësaj gjëje, por nuk e di gjithashtu se sa është i pavarur ky çmim nga shteti spanjoll, ndonëse e jep Shtëpia Mbretërore. Shpresoj, mendoj se ka një lidhje me shtetin, me botën spanjolle, por nuk e di gjer në ç’shkallë është kjo, prandaj s’mund të jap një përgjigje të saktë. Do të doja që kjo të ndryshonte, dhe kur isha në ditët që po merrja çmimin nga Spanja, pra po më nderonte Spanja, më kanë pyetur: ç’mendoni për këtë gjë? Kam thënë, fare hapur, shprehimisht: mendimi im është se Spanja bën një gabim që transferon problemet e saj të brendshme në Ballkan, në këtë rast, dhe mendoj, se Spanja bën një si kritikë ndaj vetes duke e afruar, pa dashur, veten e vet - me një regjim që ishte i dënueshëm nga e gjithë bota – ai i Millosheviçit. Jo se ofron direkt, por vetvetiu, duke e transferuar problemin vetvetiu, duket sikur krahason gjendjen e Kosovës me disa gjendje që ka ajo, problematike në shtetin e saj, Baskët ose Katallanët. Thashë se në këto vende nuk janë bërë as masakra të tmerrshme, as përdhunime grash, as djegie, as pastrim etnik dhe s’ka Spanja gjëra të tilla, dhe, përse e fut veten, si të thuash, në këtë telash. Kjo ka qenë përgjigjja ime e plotë. Disa herë ka qenë më e thjeshtë, disa herë më e ndërlikuar. Por ka qenë pyetja e vazhdueshme edhe përpara edhe gjatë marrjes së çmimit.

Smajl Smaka: Si reflektohet pavarësia e Kosovës në identitetin e shqiptarëve dhe a mund të ketë identitete të modifikuara, të përgjysmuara, apo identiteti është kompakt, homogjen?

Ismail Kadare: Tashti, unë jam pyetur edhe një herë tjetër ose dy herë tjera për identitetin dhe kam frikë se një herë më është keqkuptuar përgjigjja ime, përgjigjja ime e fundit. Problemi është, më duket se e kam thënë, se në fund të fundit e vendosni ju atje (në Kosovë). Diçka e tillë! Nuk e kam thënë këtë sepse kam ndonjë lëkundje në vizionin tim për identitetin shqiptar, që është identiteti shqiptar, por thjesht për arsye etike sepse jam për atë, se populli i Kosovës nuk ka nevojë që për gjëra themelore të marrë këshilla nga dikush, s’mund ta këshillojë dikush se është më e mirë liria se robëria. Dhe, në këtë kuadër, ndoshta s’kam qenë i qartë në shprehje, në të folur, por kam thënë se: në fund e vendosni ju vetë, ose e vendosin vetë shqiptarët e Kosovës.

Kam shprehur pra mendimin e paluajtshëm, e shpreh edhe tani, e theksoj, e qartësoj si të thuash se identiteti shqiptar është një. Nuk ka nevojë që ne si popull në Ballkan të krijojmë luksin për të dubluar ose tripluar identitetin tonë. Identiteti shqiptar ka një histori, ka një kujtesë, ka një vazhdimësi të pafundme. Domethënë që nuk mund të zëvendësohet kaq lehtë, as të modifikohet kaq lehtë. Identitetet nuk mund të modifikohen, as nuk dobësohen për dhjetë vjet, ose dy vjet, ose katër vjet. Ato janë produkt i një kohe tepër të gjatë dhe i faktorëve jashtëzakonisht të ndërlikuar të kombit. Nuk shoh asnjë arsye sot për krijimin e atij që quhet identitet kosovar, i ndryshëm nga identiteti shqiptar. Pse i ndryshëm? Në fakt, fjala identitet kosovar, krijon shumë pikëpyetje. Sepse, kosovar ç’do të thotë? Do të thotë njeriu që banon në vendin e quajtur Kosovë. Po ndërkaq, serbët çfarë do të quhen? Edhe ata quhen kosovarë. Zakonisht, kuptohet, për shqiptarët në pikëpamje teorike edhe ai mund të thotë, edhe unë jam kosovar, edhe ai tjetri, çfarë ka aty. Kosovar do të thotë, dhe shpesh në Perëndim e përdorin, për të nënkuptuar shqiptarë, por ka ndonjë që nënkuptojnë disa herë kosovarë serbë. Prandaj, atje duhet thënë ekzakt shprehja shqiptarë të Kosovës. Se, s’mund të thuhet “kosovarët, shqiptarë të Kosovës”, nuk ka kuptim shqiptarët e Kosovës. Dhe, e njëjta gjë, problemi lidhet, degëzohet për gjuhën shqipe.

Fëmijët e dinë se një nga shenjat e para të identitetit shqiptar është gjuha - shqipja, a thua do t’i modifikojmë gjithashtu dhe ta ndajmë gjuhën shqipe, do t’i krijojmë dy shqipe? Pra, mua më duket se ky debat i pa vend, në një kohë të gabuar sot, dhe përgjithësisht e gabuar, aq më tepër tashti. Gjuha shqipe është një nga gjuhët më homogjene në Evropë. Identiteti, uniteti shqiptar, identiteti i kombit shqiptar është gjithashtu nga më homogjenët në Evropë. Nuk ka vende në Evropë që të flitet një gjuhë e përsosur nga njëri skaj të shtetit në tjetrin skaj, as në Gjermani, as në Francë, askund nuk ka, as në Itali e të tjera shtete, as në Spanjë pa dyshim, që janë shtete të konsoliduara, tipike perëndimore. E pse ne ta kërkojmë këtë luks, të kërkojmë pra një shqipe të përkryer.

Të them të drejtën, ka krahina brenda Shqipërisë që më duken, (këtë nuk e shikoj në Kosovë) të paqartë në të folur, duke përfshirë qytetin tim Gjirokastrën ku ka një lloj të folmesh shpesh dialektore, që është shumë larg asaj që quhet letrarishte ose gjuhë standarde. Prandaj, krijojmë probleme disa herë të paqena, mbytemi në to, nuk dalim dot prej tyre, ngatërrohemi me veten tonë dhe po kështu zgjidhet e lidhet, si puna e nacionalizmit për shembull.

Smajl Smaka: A ishte virtuale apo reale frika e disa qarqeve intelektuale e politike nga vendet fqinje, por edhe më gjerë rreth sintagmës “Shqipëri e madhe”? Dhe, pavarësia e Kosovës a e ka konsoliduar rajonin, a ka krijuar ekuilibër të ri apo ka paraqitur problem për fqinjët dhe më gjerë?

Ismail Kadare: Është jashtë çdo diskutimi pavarësia e Kosovës. Është akti më ekuilibrues, më drejtpeshues në Ballkan deri tashti. As s’mund të mendohej që të vazhdonte ajo gjendje. Ballkani do të kthehej përmbys po të vazhdonte ajo gjendje. Prandaj, këtu nuk ka asnjë dilemë, asnjë paqartësi s’mund të ketë, se mund të krijohen probleme. Probleme lindin gjithmonë në botë, pse jo. Ku ka zhvillim ka edhe probleme, kjo është tjetër gjë. Por, nuk mund të ketë krahasim, të krahasosh natën me ditën me atë që ka ndodhur. Prandaj, është faktor, absolutisht, stabilizues. Çfarë ndodh në një vizion më të gjerë, çfarë ka ndodhur në Ballkan? Ka ndodhur që kombi shqiptar, komb themelor dhe i rëndësishëm i Ballkanit po fiton peshën e vet, peshën e vet të mohuar, të munguar, të humbur padrejtësisht! Dikush e gjeti komode këtë tretje të kombit shqiptar. Edhe, i dukej si fund i botës në qoftë se ky komb do të marrë atë shtatin normal dhe ky shtat i tij u quajt shtat i tepruar – Shqipëri e madhe. “Shqipëri e madhe”, do të thotë “Shqipëri e keqe” në njëfarë mënyre. Nuk është thjesht e madhe gjeografikisht, por presupozohej një “Shqipëri e dëmshme”. Sikurse çdo term – e madhe përdoret në kuptimin, e dëmshme. Pra, kjo nuk është Shqipëri e dëmshme. Nuk është Shqipëri e madhe. As e vogël, as e madhe dhe sidomos nuk është e dëmshme. Përkundrazi, është Shqipëri drejtpeshuese, stabilizuese. Në radhë të parë kombi shqiptar, kombi grek, kombi serb janë të rëndësishëm në Ballkan. Dhe këto, sigurisht që krijojnë kualitet. Kjo s’ka pse t’i shqetësojë njerëzit. Mirëpo, për fat të keq, ka një përgatitje për t’u shqetësuar, një gatishmëri për t’u alarmuar, siç lidhet puna e alarmit për nacionalizëm. Kemi 20 vjet që e dëgjojmë këtë alarm në Ballkan. Dhe, përmendet sa për ta larë gojën nacionalizmi. Nacionalizmat që i vunë zjarrin Ballkanit ka së paku 10 vjet përpara se të ndodhte masakra e madhe e Kosovës ose tragjedia e Kosovës - zhurma bëhej kundër nacionalizmit shqiptar, sikur ky po ia vinte zjarrin Ballkanit. Shikoni pra, një zhurmë që të ç’orientonte gjithçka, që tërhiqte vëmendjen. Dhe, libra të tërë, ende botohen. Për fat të keq botohen edhe tek ne në Shqipëri, dhe tek ju në Kosovë. Për fat të keq, në disa herë me duar tona pranojmë diçka që ka qenë alarm, jo vetëm alarm i kotë por alarm i gabuar. Kush i vuri pra...? Koha e tregoi, historia e tregoi, në ‘99-ën. Pra, 10 vjet u vu alarmi për nacionalizmin, të këqijat e nacionalizmit. Atëherë, cili nacionalizëm e krijoi problemin? Ai mund të thotë nacionalizmi shqiptar! Pse? Pse e deshi lirinë. Këtu është problemi! Kjo histori u mbyll. Evropa ngriti avionët, mobilizoi ushtrinë, e ndëshkoi agresorin. Kjo histori mbyllet. Ende kokëfortët nuk duan ta besojnë që po mbyllet. Duan ta kthejnë mbrapsht tashti. Dhe, prapë, vazhdon historia e nacionalizmit shqiptar, si i dëmshëm! Kundër kujt, s’merret vesh.

Smajl Smaka: A do mund ta shpjegojmë ndonjëherë pse zelli i disa shqiptarëve është që të punojnë kundër vetes, kundër kulturës, kundër popullit të vet?

Ismail Kadare: Duhet ta kuptoni që ky është një sindromë universale. Domethënë në çdo komb, në çdo popull, në çdo shtet ka një grup të caktuar njerëzish që ngrihen kundër.

E keqja është masa, sasia e dozës. Te shqiptarët kjo dozë është tepruar. E keqja është te rrethanat historike. Ne nuk e kemi atë luks që ta lejojmë këtë dozë. Nuk po them, kur përmenda fjalën ta lejojmë, s’kemi ndonjë mundësi ta ndalojmë por së paku, trysnia shoqërore, mundet në mënyrë demokratike, të emancipuar të bëjë zotërues një mendim tjetër të kundërt. Sepse, realisht kemi të drejtë. Realisht! Nacionalizmi është i keq në qoftë se Shqipëria do të fillonte fushatë nacionaliste në Shqipëri ose në Kosovë, me një synim të caktuar për të prishur një paqe në Ballkan, për të kërkuar diçka që nuk ka të drejtë ta kërkojë, për t’u ngutur për diçka që nuk ka të drejtë të ngutet. Po, ne vetë do ta dënonim, se do të thoshim kjo na dëmton si komb. Nacionalzmin nuk e pranon kush në atë kuptimin e hidhur të tij. Sikurse nuk e pranon kush racizmin. Më në fund, Evropa ka arritur një sukses të madh. Dënohet racizmi në mënyrë absolute nga të gjithë... Në një intervistë kohëve të fundit kam ngritur këtë çështje se; ne jemi popull që rrezikohemi prej racizmit dhe ne duhet t’i themi Evropës, për hir të respektit që kemi për të, të tërheqim vëmendjen që; - shikoni shqiptarët janë objekt racizmi. Racizmi është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Nacionalizmi nuk është larg, kur është i keq. Kurse, ngatërresa, konfuzioni, kaosi që nën nacionalizëm t’i do të futësh patriotizmin. Është e vërtetë se kombet janë të rinj në botë. Koncepti komb, nacion, nuk është i vjetër dhe mund të ketë qindra përkufizime për kombin, secili do të japë mendimin e tij, thelbi është se vërtiten rreth një ideje. Kombi është një bashkësi njerëzish me kujtime të përbashkëta historike dhe me një dëshirë, me një vullnet për të jetuar bashkë, të dyja janë. Është një lloj, siç është thënë, një plebishit i vazhdueshëm që rikonfirmohet vazhdimisht. I vazhdueshëm domethënë, herë pas herë. Nuk është i pandryshueshëm, sigurisht me kuptimin që kombet nuk e kanë të garantuar pavdekësinë si hyjnitë. Kombi kur bën një seri gabimesh të vazhdueshme, fillon të tretet, si çdo gjë në këtë botë. Prandaj, çdo popull përpiqet ta mbajë, pasi kombet janë pasuri në botë. Tjetër gjë është kombëtarizmi në kuptimin e keq, nacionalizmi si quhet. Shovinizmi ishte pastaj skaji, i cili të kthehet si bumerang kundër teje. Natyrisht, ne këto i dimë të gjitha... Kështu që këto janë të qarta, por njerëzit qëllimshëm ngatërrohen shpeshherë. Dhe, ne shqiptarët kemi atë fatkeqësinë të tërhiqemi në mënyrë të tepruar, partizançe nga ide kinse të reja, nga ide kinse emancipuese. Edhe emancipimi quhet që të harrosh vendin tënd, të jesh modern, domethënë unë s’kam asnjë ndjeshmëri për popullin tim, për vendin tim, për këtë që thamë kujtimet, gjuhët e të gjitha për të ardhmen. Aq më shumë që unë kudo që të jetoj e kam atdheun me vete. Të gjitha këto ide natyrisht notojnë në botë. Por do të thosha një gjë kur fola për nacionalizmin, ndërsa, patriotizmi, është një gjë e vjetër e trashëguar. Koncepti, atdhe dhe liri, nuk është një lloj si nacionalizmi, - por ato vijnë që nga antikiteti. Në atë kohë s’ka pasur nacionalizëm por ka pasur patriotizëm. Dhe kultura greko-romake e njeh patriotizmin, edhe qytetarinë, shpirtin e qytetit. Këto dy koncepte pra janë transferuar dhe ka qenë një sukses i Evropës moderne që i çoi nga antikiteti, i solli në epokën e kombeve dhe u bë njëfarë shkrirje e kombëtarizimit të mirë, të padëmshëm me patriotizmin që e ka më të garantuar atë anën e fisme të tij.

Smajl Smaka: Dhe si mund të shikohet sot pozita dhe roli i shqiptarëve dhe cili është pozicioni, qëndrimi i Evropës ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve?

Ismail Kadare: Evropa, ne e kemi pranuar vetë dhe është mirë që e kemi pranuar, që ka luajtur, përveç të tjerash, një rol që quhet rol pedagogjik. Domethënë na mëson për disa gjëra dhe kemi nevojë të mësojmë. Kemi dalë vonë në liri. 100 vjet janë pak, Kosova aq më pak. Dhe ajo liri që dolëm ishte e cunguar në periudha të tëra kohe, prandaj ne kemi pranuar arbitrazhin e saj. Se është kontinenti ynë dhe nuk kemi tjetër kontinent. Ato marrëzitë që shkruhen disa herë në shtypin shqiptar...kam parë, nuk e di tek ju, në qoftë se ka arritur kjo marrëzi që i kundërvihet Evropës ta zëmë si “perandoria osmane si tepër e emancipuar dhe tepër liberale, mund t’i shërbejë si shembull edhe për demokraci Evropës”... Po, një nostalgji e çuditshme dhe besoj se shumica dërmuese e shqiptarëve për një mijë arsye janë të huaj për këtë gjë, për këtë nostalgji. Pra, ne kemi pranuar arbitrazhin evropian.

Smajl Smaka: A është liruar Ballkani nga recidivet e së kaluarës?

Ismajl Kadare: Jo, nuk është liruar. Lirimi duhet bërë në mënyrë të plotë nga të gjitha drejtimet. Nuk duhet bërë lëshime, pendime për diçka. Për një popull lejohet diçka që s’i lejohet tjetrit. Duhet të jenë standardet, sepse popujt duhet të respektohen nga të gjithë. Popujt e Ballkanit janë popuj dinamikë, janë popuj ambiciozë po janë edhe popuj xhelozë. Si të gjithë popujt edhe këta kanë defekte. Janë tepër xhelozë dhe duhet marrë parasysh kjo gjë. Është e lehtë t’i futësh në grindje njëri me tjetrin. Është shumë e lehtë, prandaj Evropa do të ishte mirë që të kishte gjithmonë një survejim tepër të thellë. Një fjalë goje është ta rishkruash, ta rishikosh historinë e Ballkanit. Po ta rishikosh në atë shkallë jo për t’i prishur thelbin e saj por për t’ia shëndoshur atje ku ai thelb është kalbur. Unë nuk jam kundër, për shembull, që serbët të jenë patriotë për vendin e tyre. S’ka asgjë të keqe. Madje po ta duan vendin e tyre mirë, ta duan siç duhet, do të shpëtojnë edhe nga urrejtja për të tjerët.

Smajl Smaka: Dhe, lidhur me këtë, desha t’ju pyes: cila është përgjegjësia e elitës serbe në nxitjen, inspirimin, përkrahjen e luftërave të përgjakshme, të gjenocidit dhe të krimeve në hapësirat e ish-Jugosllavisë? Dhe, a kemi shembuj tek intelektualët, tek shkrimtarët shqiptarë që dikush me veprën e tij ta ketë nxitur urrejtjen ndaj popujve tjerë?

Ismail Kadare: Është pikërisht kjo që thoni ju – elita serbe do të mbajë përgjegjësi, për atë përgjegjësi që ka. Nuk do t’i vëmë përgjegjësinë e krimeve të ushtrisë ose të tjera, por në qoftë se ajo, tërthorazi ka nxitur këtë frymë revanshi ose këtë frymë të sëmurë, do të përgjigjet sigurisht dhe duhet ta korrigjojë veten. Kur them do të përgjigjet, ta korrigjojë veten, ta kuptojë gabimin. Që të flasim dhe të mos flasim me retorikë boshe, Serbia s’mund të mohojë një doktrinë që quhet doktrinë e Çubrilloviçit që është turpi i saj deri sa nuk e ka dënuar. Unë nuk di të jetë dënuar publikisht. S’mund të mohoj që ka një nën-doktrinë ose pothuaj një teori të Gjorgjeviçit, ish kryeministrit të Serbisë. Këto janë të zezat e dheut, të tilla monstruozitete janë shumë të rralla. Unë nuk di që programimi i Hitlerit për Hebrenjtë të jetë më cinik se sa i Çubrilloviçit. Është e njëjta gjë. Është i njëjti turp. Prandaj, në qoftë se në kulturën shqiptare ka të tilla, ne duhet t’i dënojmë patjetër. Unë nuk di të ketë, por mund të gaboj sepse jam, si thuash, nga shikimi pozitivisht i kombit tim, nuk m’i shohin sytë. Të lutem t’i vësh në dukje, ku janë. Ku janë këto. Po që të thuash se shqiptarët po mburren se vijnë nga pellazgët, po mirë, kjo është një mendjelehtësi, mos e prano. Pse është kaq e dëmshme kjo? Pse? Pse është agresive! Që të thuash se gjuhën shqipe shqiptarët e çmojnë shumë, e lavdërojnë shumë, ç’të keqe ka. Por gjuha shqipe është e vetmja gjuhë në Evropë që është ndaluar 500 vjet dhe asnjë gjuhë tjetër në Evropë nuk ka qenë e ndaluar 5 shekuj. ... qoftë edhe për këtë, ka një borxh ndaj gjuhës së tyre, e lavdërojnë pak më shumë se ç’duhet. E, ç’të keqe ka. Lavdëroje edhe ti gjuhën tënde, s’po të ndalon kush, ngrihet në qiell. A mund të jenë këto arsye?

Prandaj, në qoftë se shqiptarët kanë bërë disa krime, që në studime po na i zbulon dikush, le t’i zbulojnë. Mua, për shembull, nuk më entuziazmon figura, ta zëmë e Ali Pashë Tepelenës, si disa që thonë – Pasha i madh, i ndritur, e parashikoi Shqipërinë e pavarur, kombin. Nuk më mbushet mendja se është ashtu. Është gjë tjetër ky diskutim. Ja një ekzaltim që unë kam guximin ta them përpara jush një gjë, ama, unë s’mund të pranoj kurrë, në qoftë se ne kemi dokrrat për Skënderbeun që thuhen qoftë shqiptarët, qoftë nga të huajt, ata të paktën që thonë. Sepse absolutisht ky është ndër figurat më të nderuarat në Evropë por ama dokrrat për Skënderbeun për të treguar të gjitha këto, se shqiptari nuk e njeh idenë e lirisë, por lufton për tjetër gjë; hakmarrjen. Kështu ka dalë teoria, gjëja revizioniste e rivizionit të Skënderbeut, dhe po përmbyset historia e tij, nga se zbulohet që Skënderbeu na paska pas hallin te gjaku i babait. Nuk dua të zgjatem për këtë gjë. Por kjo është shumë konstante tek disa. Konstante domethënë; çështja e lirisë!

Sa i takon Kosovës, kur nisi lufta, më kujtohet një intervistë e Drashkoviçit në Paris.

Ai erdhi i entuziazmuar se gjoja kujtonte se kishte gjetur levën e Arkimedit si ministër kulture që ishte. Drashkoviçin e kapi një si dalldi pajtimi me shqiptarët, që në kulmin e terrorit deklaroi: ne tani të bashkëpunojmë me shqiptarët, t’i quajmë vëllezër, ushtria serbe madje do të ndërtojë vetë ajo xhamitë e shkatërruara dhe të nisi një epokë të re.

Domethënë, me një dinakëri prej idioti, po linte të nënkuptonin sikur shqiptarët na kishin ngritur luftë, sepse iu prishën xhamitë, sepse iu mungonin xhamitë, për të hequr idenë se shqiptarët s’kanë liri.

Smajl Smaka: Që ishte problemi kryesor...

Ismail Kadare: Problemi absolut kryesor. Por shikoni se çfarë djallëzie, prej budallai që ishte, kaq mund ta quaj. Kujtonte se mund t’ia mbushësh mendjen Evropës që shqiptarët do të qetësohen kur t’ia shtonin disa xhami në Kosovë. Shqiptarët zotëri, i treguan gjithë botës, se ne luftojmë për liri dhe ne e çmojmë lirinë po aq sa ju në Londër, në Paris, në Hamburg, në Berlin. Kjo është tani, po sulmohet ideja, po sulmohen shqiptarët tek ideja e lirisë. Kjo do të thotë se këta njerëz nuk e kuptojnë fort këtë gjë dhe atëherë ka një histori, ka libra historikë që botohen kudo – se nacionalizmi shqiptar paska lindur nga disa sekte fetare... Kudo ka një përçmim shumë dinak, si një komb i parëndësishëm. Se një komb, më falni, që lind nga sekti i bektashinjve, sigurisht se është i parëndësishëm. Se bektashinjtë ishin një sekt, një tarikat i terminologjisë osmane që erdhi rastësisht në Shqipëri, dhe ky, e paska krijuar kombin shqiptar, ose ka luajtur një rol absolut në krijimin e kombit shqiptar. Kuptoni se si në mënyrë të tërthortë, dinake, tinëzare hidhen tezat të cilat fillojnë të bashkohen, të mohohen... Ky ishte një komb që aspiratën e lirisë e ka shumë të dyshimtë, nuk e njeh mirë, që, edhe në qoftë se është përpjekur, është rropatur nëpër shekujt për diçka, nuk ka qenë ajo e lirisë, por ka qenë tjetër gjë!

Smajl Smaka: Cili është roli i intelektualit në shoqëri, në shoqëritë në tranzicion, posaçërisht në shoqërinë shqiptare?

Ismail Kadare: Sigurisht, intelektualët lozin një rol të rëndësishëm. Nuk mund të kërkohet gjithçka nga intelektualët. Është gabim ajo sikur ne të tjerët s’kemi përgjegjësi, sepse kemi intelektualët, burrat e mençur dhe këta do të mendojnë për ne. Jo. Është koncepti që përmendet qytetari, qytetaria. Qytetari do të thotë baza më solide e një demokracie. Mendimi qytetar - sundon qytetari në kuptimin e madh të fjalës. Zvicra për shembull e ka të zhvilluar shumë këtë. Për çdo gjë bëhet një referendum, dhe është qytetari ai që vendos. Ata e kanë ndoshta pak të tepruar, por si koncept është që qytetaria e forcon në themel demokracinë, e çimenton. Ne shqiptarët s’duhet t’ua lëmë qytetarinë vetëm intelektualëve, e ta vëmë shpresën vetëm tek ata. Çdo njeri mundet në mënyrën e vet, qoftë edhe të thjeshtë, të ketë një vizion për botën, një koncept për lirinë, një koncept për qytetarinë, një koncept për të drejtat, një koncept për institucionet.

Parazitizmi mund të shfaqet edhe te kjo si ide, që për ne të mendojnë intelektualët, ose në versionin më të keq që për ne mendon shefi, - prej këtu fillon feudalizmi dhe diktatura. Por nëse mendon se është shefi që mendon, është bajraktari, është kryeplaku i fshatit, këtu merr fund demokracia, merr fund qytetërimi.

Smajl Smaka: Romani juaj më i ri “E penguara” ka temë – vuajtjet e vajzave, të vajzës apo të vajzave në kohën e diktaturës. A është personazhi konkret nga jeta apo është tërë gjenerata e vajzave, si kolektivitet, apo kemi një fiksion letrar? Cili është raporti i letërsisë me jetën, dhe a ka letërsia ndonjë përgjegjësi ndaj fakticitetit të jetës?

Ismail Kadare: Jo, letërsia, unë e kam shprehur, e kam këtë mendim të prerë, madje, se nuk duhet të kërkohet nga letërsia ajo që ne ia kërkojmë historisë apo faktologjisë. Letërsia dobësohet në këtë rast dhe del e humbur. Edhe në këtë roman, në radhë të parë bëhet fjalë për letërsi. Romani është një krijim letrar, është një vlerë e kulturës, pastaj është vlera faktologjike e saj që mund të jetë e mesme, e rëndomtë, e madhe s’ka rëndësi shumë. Nuk është e thënë që shkrimtari në veprat e tij të kapë vetëm probleme madhore sepse atëherë të gjithë do të sulmonin, të kapnin probleme madhore, si liria, pavarësia – kjo do të çonte në lindjen e diçkaje tjetër. Jo, letërsia vendos kamerën e saj atje ku nuk e pret. Dhe këtu unë nuk kam dhënë shterimin e temës që ka ndodhur në diktaturën komuniste, kam dashur t’i kthehem fatit të vajzave shqiptare. Vetëm kaq.

Smajl Smaka: Domethënë, personazhi është kolektiviteti i vajzave, fati i tyre?

Ismail Kadare: Ky është fiksion, absolutisht fiksion. Çdo ngjashmëri që do të ishte me një vajzë të caktuar, me një fat të caktuar do të krijonte probleme për shkrimtarin, për vajzën, për kujtimin e saj, për familjen e tjera. Shkrimtari u shmanget këtyre gjërave.

Smajl Smaka: Sa është e prezantuar dhe e njohur letërsia dhe shkrimtarët shqiptarë në botën letrare intelektuale evropiane?

Ismail Kadare. Ky është një debat shumë i zhvilluar në Shqipëri dhe mendoj se unë nuk jam shumë i përshtatshëm për t’u pyetur për këtë gjë. Në qoftë se do të flas për disa arritje të letërsisë shqipe do të duket sikur po theksoj paksa atë veten time, si të thuash, meqenëse unë jam nga shkrimtarët më të njohur ose më i njohuri. Këtu s’ka ndonjë punë modestie. Tani për tani, unë kam qëlluar që jam shkrimtari më i përkthyer, më i botuar në botën e jashtme. Nuk është i vetmi kriter për të çmuar një letërsi. Mund të ketë shkrimtar që për arsye të ndryshme janë më pak të njohur. Për shembull, po e them është Lasgush Poradeci. Është poet i klasit të parë. Po e marrim një rast të mesëm, poet i klasit të parë, poet që do ta nderonte çdo letërsi evropiane, poet me mundësi që të jetë vlera e tij edhe në përkthim. Por kjo nuk është e sigurt, kështu që ka mundësi të pakta rrezatimi në Evropë. Domethënë që objektivisht ka një mungesë, ka një kufizim. Ka shkrimtarë që s’kanë asnjë kufizim në përkthimi. Migjeni, për shembull, e jep tërë vlerën në çdo gjuhë. Kështu çdo letërsi e çdo vendi në botë, ka poetë të veçantë, vlera të veçanta, shkrimtarë të veçantë që humbasin shumë nga njohja botërore, por s’do të thotë se ata nuk kanë vlera. Megjithatë, kriteri botëror është absolut, në kuptimin dominues, është zotërues. Letërsia, ndryshe nga çdo e mirë tjetër shoqërore krijohet për gjithë botën. Do apo s’do shkrimtari i një vendi ditën që ai krijon një vlerë kulturore, letrare, muzikore, pikturale e tjera, kjo vlerë i dhurohet botës. Nuk e shfrytëzon siç shfrytëzon naftën ose pasuritë tjera, jo. Vetëvetiu ia ke dhënë gjithë botës, madje falas. Prandaj, kjo është bukuria e artit, bukuria e kulturës. Gëtja ka një koncept për letërsinë botërore; është e botës, është globale letërsia. E shfrytëzojmë ne Shekspirin po aq sa anglezët, po aq sa popujt e tjerë, njëlloj. Ndoshta më mirë se ata, disa herë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›