E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohen në Shqipëri dy të kërkuar nga drejtësia për vrasje



Interpol Tirana ka ekstraduar nga Greqia dhe Italia dy të kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasje. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ditën e djeshme u soll nga Athina drejt Shqipërisë 28-vjeçari Arben Çollaku, nga Cërriku. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 96, datë 12.04.2005 e ka dënuar me 18 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”. Sipas burimeve nga policia, Çollaku, më datë 26.08.1997, rreth orës 00:00, në unazën e qytetit të Cërrikut, në bashkëpunim me shtetasin Bardhyl Kabila, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Ndriçim Gjolena. Pas ngjarjes autorët janë larguar nga Shqipëria. 28-vjeçari kishte emigruar drejt Greqisë, ku u vu në pranga pas bashkëpunimit midis Interpol Tiranës me Interpol Athinën. Gjithashtu, ditën e djeshme, nga Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol-Tiranës u krye ekstradimi nga Milano drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Laver Danaj, 64 vjeç, nga Vlora. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 68, datë 28.01.2002, e ka dënuar shtetasin Laver Danaj me 18 vjet burg, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me dashje”, “prishjes së qetësisë publike dhe armëmbajtjes pa leje”. Sipas burimeve zyrtare, krimi për të cilin 64-vjeçari është deklaruar fajtor, ka ndodhur më 10.08.1999, kohë kur Danaj ka vrarë me armë zjarri shtetasin Arben Ademi. 64-vjeçari ka pasur konflikte të vazhdueshme me fqinjët e tij, shtetasit Golik dhe Arben Ademi, lidhur me të drejtën e kalimit në një rrugë që ndodhej midis dy shtëpive. Më 10.08.1999, shtetasi Arben Ademi ka filluar të prishë një gardh të ndërtuar nga Laver Danaj. Familjarët e shtetasit Arben Ademi i kanë kërkuar të mos e prishë gardhin, por ai ka vazhduar veprimet e tij. Aty ka mbërritur Laver Danaj dhe pas një debati të ashpër ky i fundit është drejtuar për tek banesa e tij, ku ka marrë një armë zjarri automatike që e mbante pa lejen e organeve kompetente dhe nga veranda ka qëlluar në drejtim të shtetasit Arben Ademi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas krimit, shtetasi Laver Danaj është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes ku ka qëndruar në Itali. Të dy të ekstraduarit, Arben Çollaku dhe Laver Danaj, i janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›