E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare“Honoris Causa” në Palermo

04/06/2009  Komuniteti italo-shqiptar i provincës së Palermos nderon shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare. Të mërkurën, më 10 qershor në Palermo, në “Palazzo Steri”, Universiteti i Palermos, Kadaresë do t’i jepet diploma “Honoris causa”. Komuniteti italo-shqiptar (Contessa Entellina, Mezzoiuso, Palazzo Adriano, Piana degli Albanesi, Santa Cristina Gela) gjenden në provincën e Palermos prej më shumë se 500 vjetësh, duke ruajtur me kujdes gjuhën arbëreshe, kostumet e traditat dhe Kadareja vlerësohet pikërisht për kontribut në këtë drejtim.

Vlerësimi jepet në formën e një çmimi të quajtur “Besa”, i cili do t’i ndahet çdo vit “një personaliteti të shquar në fushën e vet (artistike, ekonomike, letrare, shkencore etj) për kontributin në fushën studimore apo në imazhin e minoritetit arbëresh në Itali”. Juria që vendos për fituesin e këtij çmimi përbëhet nga Elio Cardinale, president i Fakultetit të Mjekësisë (UNIPA); Giuseppe Cangialosi, president i “Unione dei Comuni Besa”; Matteo Mandalà, albanolog; Francesko Altimari, albanolog; Mario Giacomarra, sociolog; Giorgio Petta, gazetar (“La Sicilia”); Vizar Zhiti, poet dhe atashe kulturor i ambasadës shqiptare në Itali; Pietro Manali, drejtori i shoqërisë “Besa”.

Ky është edicioni i parë i ndarjes së këtij çmimi dhe është vendosur që t’i jepet shkrimtarit Ismail Kadare, më të madhit shkrimtar bashkëkohor shqiptar, disa herë kandidat për çmimin “Nobel” për letërsinë. Çmimi konsiston në dorëzimin e një brezi të argjendtë, që është edhe një nga elementet më të bukura të veshjes tradicionale arbëreshe dhe një pergamenë me motivacionin një thënie të vetë Kadaresë, të përkthyer në italisht nga shkrimtari arbëresh Xhuzepe Skiro di Maxhio.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›