E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, si merret formulari on-line

04/06/2009  Ministria sqaron se vendimi është marrë për të lehtësuar punën e të interesuarve

Ministria e Drejtësisë në vijim të procesit për zbatimin me korrektësi të të gjitha hallkave procedurale që ia kërkon ligji “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” u ka dërguar aplikuesve njoftimet për plotësim dokumentesh si dhe kërkesën për plotësim të formularit të vetëdeklarimit nëpërmjet Postës Shqiptare. Një pjesë të këtyre njoftimeve Posta Shqiptare i ka kthyer sërish në Ministrinë e Drejtësisë për shkak të vështirësive që ka hasur në gjetjen e adresave të personave që duhet të njoftohen.

Nisur nga ky fakt, Ministria e Drejtësisë njofton të gjithë aplikuesit që ende nuk kanë marrë në duar formularët e vetëdeklarimit se mund t’i shkarkojnë ato nga “Arkiva e çështjeve të dëmshpërblimit të ish-të dënuarve Politikë”, t’i plotësojnë, duke shënuar numrin e aplikimit (numri korrespondues i dosjes, shumë i rëndësishëm për t’u plotësuar), dhe më pas t’i sjellin ato nëpërmjet postës në Ministrinë e Drejtësisë.

Si gjendet

Pasi të hyni në faqen zyrtare on-line të Ministrisë së Drejtësisë www.justice.gov.al, klikoni tek “Arkiva e çështjeve të dëmshpërblimit të ish-të dënuarve Politikë”.

Pasi të hyni në këtë faqe, klikoni te rubrika “Formulari” dhe në krye do të gjeni “Formularin e vetëdeklarimit”. Klikoni mbi të dhe printojeni siç është në dy pjesë. Plotësojini të dyja pjesët sipas rubrikave dhe mos harroni të shënoni mbi të numrin e aplikimit (nr. korrespondues në dosje). Pas plotësimit dhe nënshkrimit dërgojeni atë nëpërmjet postës ashtu siç keni bërë më parë për dërgimin e aplikimit. Ministria e Drejtësisë përfiton nga rasti për t’ju siguruar se do të ndjekë me korrektësi të gjitha hallkat procedurale që ia kërkon ligji “Për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist”, si i vetmi mjet për të garantuar një proces të drejtë. Kjo procedurë do të ndihmojë të interesuarit në marrjen e formularëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›