E Shtunë, 31 Tetor 2026

Istogu shkon në balotazh

Pas numërimit, edhe të votave më kusht, garën për kryetar të Istogut në balotazh do ta vazhdojnë kandidati i LDK-së, Haki Rugova dhe ai i PDK-së, Shasivar Haaxhiaj.

Kështu kanë bërë të ditur për KosovaPress burime nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).

Nga votat më kusht, të cilat u numëruan dje pasdite, 202 vota ishin të vlefshme, nga to 81 i ka marrë kandidati i LDK-së, 60 i PDK-së, 29 i AAK-së, 9 i LDD-së dhe 23 i AKR-së, ka saktësuar një zyrtar i KQZ-së.

Pas numërimit të të gjitha votave, përfshirë edhe ato më kusht, të zgjedhjeve të mbajtura të dielën për kryetar të Istogut, të vlefshme janë 14 896 vota; nga to kandidati i LDK-së Haki Rugova ka marrë 7 349 vota, Shasivar Haaxhiaj i PDK-së 3249, Muhamet Shatri i AAK-së 3207, Rifat Osmani i LDD-së 585 dhe Ismet Mulaj i AKR-së 506.

Për të miratuar rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 prillit, do të duhen të kalojnë 48 orë të afatit të përcaktuar për dorëzimin e ankesave dhe parashtresave të mundshme nga subjektet politike.

Pas miratimit të rezultatit, KQZ do të shpallë edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve të balotazhit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Istog u mbajtën pas vdekjes së kryetarit të kësaj komune, Fadil Ferati, i cili ndërroi jetë në janar të këtij viti, pas një sëmundjeje të rëndë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›