Istvan Kovacs gjyqtar kryesor në ndeshjen Serbi-Shqipëri për Kupën e Botës 2026

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Federata Europiane e Futbollit ka caktuar gjyqtarët për sfidën e të shtunës mes Serbisë dhe Shqipërisë e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
Sipas njoftimit të UEFA-s, gjyqtari kryesor në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Gradski stadion Dubočica”, në Leskovac, do të jetë rumuni Istvan Kovacs.
Gjyqtari rumun konsiderohet si një nga arbitrat më të mirë të UEFA-s, pasi atij iu besua finalja e edicionit të kaluar të Ligës së Kampionëve, ku PSG mposhti Interin 5-0. Kovacs do të ndihmohet nga bashkatdhetarët Mihai Marica dhe Ferencz Tunyogi, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Horatiu Feșnic, gjithashtu nga Rumania. Në dhomën e VAR-it do të jenë gjyqtarët gjermanë Bastian Dankert dhe Pascal Muller. Ndeshja e Grupit K do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45, në stadiumin “Dubocica” të Leskovacit.
FIFA e ka vlerësuar këtë sfidë si me rrezik të lartë, duke dërguar dy oficerë sigurie.
Kombëtarja shqiptare zhvilloi sot seancën e fundit stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” nën drejtimin e trajnerit Silvinjo. Skuadra do të udhëtojë nesër drejt Nishit, ku në orën 16:30 do të zhvillohet konferenca zyrtare para ndeshjes me trajnerin dhe një lojtar, në stadiumin “Gradski stadion Dubočica”, në Leskovac.
Ndërkohë, kombëtarja shqiptare ka mbyllur sot përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit” dhe të premten do të udhëtojë drejt qytetit të Nishit në Serbi, ku do të zhvillohet ndeshja.
Shqipëria renditet e dyta në grupin K të eliminatoreve të Botërorit 2026 me 8 pikë pas 5 ndeshjeve, ndërsa Serbia renditet e treta me 7 pikë pas 4 ndeshjeve. Grupi kryesohet nga Anglia me 15 pikë pas 5 ndeshjeve. Ekipi i renditur i dyti në grup shkon në “play off”-in për Botërorin 2026.
Nëse Shqipëria arrin të fitojë këtë ndeshje, do të shënonte një hap të madh drejt kualifikimit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA. Ndërkohë, një fitore për Serbinë do të forconte pozitat e saj në grup.
/a.f/
