Kosovë – Zgjedhjet e 12 tetorit, akreditohen 29 media vendore dhe 13 ndërkombëtare

PRISHTINË, 9 tetor /ATSH/ 29 media vendore dhe 13 të tjera ndërkombëtare me numër të përgjithshëm të përfaqësuesve 573 janë akredituar sot në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prej 71 mediave që kishin aplikuar për akreditim.
Në këtë mbledhje, anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi kërkoi që të mos akreditohen mediat serbe, duke thënë se janë të njohura për propagandë e shpifje.
Ndërsa, anëtari tjetër nga PDK-ja, Arianit Elshani, tha se mediat nga Serbia duhet të verifikohen.
Edhe anëtari tjetër, Ilir Gashi kërkoi që lista e të gjitha mediumeve ndërkombëtare duhet t’i kthehen KPM-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në mënyrë që ato të japin një përgjigje nëse se ka ndonjë media apo individ brenda tyre që mund të cenojë rendin publik.
Kujtojmë, të dielën në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e rregullta për kryetar të komunave dhe asamblistë në kuvendet komunale.
/Kosovapress/