E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë, Boçi: Vijojmë mbështetjen për Binajn, më shumë kohë për fushatë

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi tha sot se vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e garës zgjedhore për Tiranën në 9 nëntor, nuk ndikon në kandidaturën që mbështet opozita.

Boçi u shpreh se mbështetja e opozitës do të vijojë për kandidatin e pavarur Florjan Binajn, ndërsa shtoi se më këtë pezullim “fituan” më tepër kohë për fushatë.

Deputeti i PD-së tha se sipas parashikimeve të tij, marrë në konsideratë dhe eksperiencën, pas këtij pezullimi, data 9 nëntor është thuajse e pamundur që të shkohet në zgjedhje të parakohshme për Tiranën, por se me shumë gjasë data e re do të jetë 30 ditë pas 31 tetorit, kur Kushtetuesja të marrë vendimin për këtë çështje të ankimuar nga Erion Veliaj.

“Duhet të presim atë që do parashtrojë Kushtetuesja në 31 tetor dhe do qartësohet gjithçka për pasjen e një date. Nga përvoja ime, data 9 nëntor për Tiranën duket e pamundur. Pezullimi i datës do të thotë dhe pezullimi i datës së fushatës zgjedhore. Marrja e një vendimi në 31 tetor, dikton që pas kësaj datë duhet të ketë një periudhë të re shtyrje prej 30 ditësh për fushatën për datën e re. Kreu i PD tha se nuk e afekton kjo kandidatin që mbështet opozita, Florjan Binaj. Më mirë që kemi më tepër kohë për fushatë”, tha Boçi në Top Story.

I pyetur përse PD duartrokiti vendimin e Kushtetueses, vendime të së cilët më parë i ka “vënë në pikëpyetje”, Boçi sqaroi “PD nuk ka duartrokitur për shtyrjen e zgjedhjeve, por për tendencën e Kushtetueses për të vendosur ligjin para tendencave politike, apo shtyrjeve ose ndikimit politik. Mesazhi i shpërndarë në grupin e PS, tregon se kanë njohuri për vendimin”.

/m.q/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›